Ndërlidhjet

Çfarë do të thotë pagesa e gazit me rubla? 


Fotografi ilustruese.

Associated Press

Çmimet veçse të larta të gazit në Evropë kanë lëvizur që kur presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi për kërkesën që importuesit të paguajnë për gazin natyror rus me rubla në vend të dollarëve dhe eurove.

Ja disa nga implikimet që mund të ketë një lëvizje e tillë:

Çfarë po propozon Putini?

Evropa importon sasi të mëdha të gazit natyror rus për të ngrohur shtëpitë, për të prodhuar energji elektrike e të tjera dhe këto importe kanë vazhduar pavarësisht luftës në Ukrainë.

Rreth 60 për qind e importeve paguhen me euro, ndërsa pjesa tjetër me dollarë. Putini dëshiron ta ndryshojë këtë duke u kërkuar importuesve të huaj të gazit të blejnë rubla dhe t'i përdorin ato për të paguar furnizuesin shtetëror, Gazprom.

Putin i tha Bankës Qendrore ruse të mërkurën e kaluar që të krijonte një sistem të zbatueshëm.

Çfarë efekti mund të ketë ky plan?

Importuesit do të duhej të gjenin një bankë që do të shkëmbente euro dhe dollarë për rubla. Kjo mund të jetë e rëndë sepse disa banka ruse janë bllokuar ose janë shkëputur nga sistemi i transfereve SWIFT që lehtëson pagesat ndërkombëtare.

Megjithatë, ka disa banka që nuk e kanë ndërprerë punën dhe aktualisht, sanksionet e vendosura nga Thesari i SHBA-së që ndalojnë transaksionet bankare përmbajnë përjashtime për pagesat e energjisë.

Si e dëmton Rusinë përjashtimi nga sistemi SWIFT?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:32 0:00

Ky është një koncesion për aleatët evropianë që janë shumë më të varur nga nafta dhe gazi rus dhe kanë frikë se një ndërprerje totale mund ta çojë ekonominë e tyre në recesion.

Nëse Rusia paguhet për gazin me monedhën e saj në rastin më të mirë do të ndihmonte në shmangien e sanksioneve financiare, duke mbështetur vlerën e rublës ose mbrojtjen e ekonomisë ruse, tha Eswar Prasad, profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell dhe një ish-zyrtar në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

"Ose Putini po merr këshilla të tmerrshme ekonomike ose po largohet më tej nga binarët me urrejtjen e tij për Perëndimin", tha Prasad.

“Do të ishte më e lirë për importuesit e huaj të paguajnë për eksportet e Rusisë me një monedhë vlera e së cilës po bie, por është e vështirë të blesh rubla dhe të bësh pagesa në një mënyrë që shmang sanksionet”, tha ai.

Ai paralajmëroi se masa “mund të tronditë më tej tregjet globale të energjisë duke përkeqësuar ndërprerjet aktuale të furnizimit dhe duke shtuar pasigurinë për furnizimet e ardhshme, të cilat të gjitha mund të shtojnë më shumë rritjen e çmimeve”.

Si u prit kërkesa e Putinit në Evropë?

Qeveritë evropiane dhe kompanitë e energjisë po e refuzojnë idenë, duke thënë se kontratat e importit të gazit specifikojnë monedhën dhe se njëra palë nuk mund ta ndryshojë atë brenda natës. Ata thonë se synojnë të vazhdojnë të paguajnë në euro dhe dollarë.

Më gjerësisht, Grupi i Shtatë ekonomive kryesore, duke përfshirë Japoninë, SHBA-në dhe Kanadanë, si dhe Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Britaninë (G7) kanë rënë dakord të refuzojnë kërkesën e Moskës. Komisionari i Energjisë i Bashkimit Evropian gjithashtu ra dakord, thuhet në një deklaratë të G7-s.

Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck, u tha gazetarëve të hënën se "të gjithë ministrat e G7-s ranë dakord plotësisht" se një hap i tillë do të ishte "një shkelje e njëanshme dhe e qartë e kontratave ekzistuese".

Cili është motivi i Putinit?

Në teori, kërkesa për pagesa me rubla mund të mbështesë kërkesën për monedhën dhe kursin e saj të këmbimit.

Por jo shumë, tha Prasad. Euro dhe dollari tashmë po përdoren për të blerë rubla kur Gazprom-i shkëmben të ardhurat nga jashtë.

Qendra për Studime Lindore në Varshavë ka sugjeruar që duke lëvizur rrjedhën e valutës së huaj nga Gazprom-i në sistemin bankar kryesisht të kontrolluar nga shteti, Kremlini do të fitojë kontroll të shtuar mbi valutën e huaj që është bërë më e rrallë që kur vendet perëndimore ngrinë pjesën më të madhe të rezervave të Rusisë jashtë vendit.

Megjithatë, kjo do ta linte Gazprom pa valutë të fortë për të bërë pagesat e borxhit të jashtëm ose për të blerë furnizime jashtë vendit. Siç qëndron, furnizuesi i gazit tashmë duhet të shesë 80 për qind të valutës së tij të huaj në Bankën Qendrore të Rusisë.

Mosmarrëveshja për rubla ka ngritur shqetësime se mund të çojë në një ndërprerje të furnizimit me gaz natyror. Kjo mund ta ekspozojë Rusinë ndaj akuzave për mosrespektimin e kontratave afatgjata të energjisë, gjë që ka bërë deri më tani.

Sistemi i tubacioneve evropiane është shumë i lidhur, kështu që çdo përpjekje për të kufizuar flukset në disa vende do të ndikonte në të tjerët, sipas analistëve në Rystad Energy. Përtej kësaj, shitjet e energjisë janë një burim kyç i të ardhurave për Rusinë.

I pyetur nga gazetarët nëse Rusia mund të shkurtojë furnizimin me gaz për klientët evropianë nëse ata refuzojnë kërkesën për të paguar në rubla, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha në një konferencë të hënën se "ne sigurisht nuk do të furnizojmë gaz falas".

“Në situatën tonë, është vështirë se është e mundur dhe e realizueshme të angazhohemi për bamirësi për Evropën”, tha Peskov.

Sa real është kërcënimi?

Propozimi i rublës bëri që shoqata e shërbimeve komunale të Gjermanisë, BDEW, t'i bënte thirrje qeverisë të shpallte një "paralajmërim të hershëm" për një mungesë të rëndë të energjisë.

Kjo është e para nga tri fazat e emergjencës energjetike në ligjin e BE-së dhe Gjermanisë, ku më e larta është mungesa aq e rëndë sa qeveria duhet të mbyllë gazin për industrinë për të mbrojtur familjet.

A ia del Evropa pa gazin rus?
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:06 0:00

Qeveria gjermane nuk e sheh të nevojshme një deklaratë të tillë, tha një zëdhënëse të hënën.

Është e mundur që Putini po bën bllof. Këtë muaj, Rusia kërcënoi se do të përdorte rubla për të paguar investitorët e huaj që mbajnë letra me vlerë qeveritare të dominuara në dollarë. Ai kaloi me një pagesë në dollarë pasi agjencitë e vlerësimit thanë se pagesa në rubla do ta vendoste Rusinë prapa.

Kur bëhet fjalë për pagesat për gazin, "Putini mund të kërkojë rubla, por kontratat janë të qarta", tha Carl Weinberg, kryeekonomist dhe drejtor menaxhues në High Frequency Economics në White Plains, Nju Jork.

"Opsioni i tij i vetëm për të detyruar ndryshimin është të refuzojë të ofrojë produkte dhe kjo nuk mund të ndodhë: Ai nuk mund të ndalojë daljen e naftës dhe gazit nga toka pa puset mbuluese dhe kapaciteti i magazinimit do të mbushet shumë shpejt nëse dërgesat ndalen”.

“Pra, le ta quajmë bllof”, tha Weinberg.

“Rusia nuk mund të ndalojë dërgimin e produkteve më shumë se sa Gjermania dhe BE-ja mund të ndalojnë blerjen e tij”.

Pse është energjia një faktor i rëndësishëm në luftë?

Ekonomia evropiane mbetet shumë e varur nga Rusia për 40 për qind të importeve të saj të gazit dhe 25 për qind të naftës së saj.

Ndërsa, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë thënë se do të ndalojnë blerjen e naftës ruse, liderët evropianë i janë shmangur një bojkoti total të naftës dhe gazit rus. Në vend të kësaj, ata janë fokusuar në zvogëlimin e importeve të tyre gjatë disa viteve të ardhshme përmes ruajtjes, burimeve të tjera dhe kalimit në energji me erë dhe diell sa më shpejt që të munden.

Vlerësimet janë të ndryshme për ndikimin e një mbylljeje totale të gazit në Evropë, por ato përgjithësisht përfshijnë një humbje të konsiderueshme të prodhimit ekonomik.

Përgatiti: Doruntina Baliu

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG