Ndërlidhjet

Qëllohet ish-kryeministri i Pakistanit


Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, largohet pasi u paraqit para Gjykatës së Lartë në Islamabad. 31 gusht 2022.
Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, largohet pasi u paraqit para Gjykatës së Lartë në Islamabad. 31 gusht 2022.

Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është qëlluar me armë zjarri.

Një person i armatosur ka hapur zjarr ndaj automjetit që po transportonte ish-kryeministrin pakistanez, duke e plagosur lehtë atë dhe disa nga mbështetësit e tij, tha një udhëheqës i lartë nga partia e tij.

Zyrtari i partisë, Asad Umar, tha se Khan është plagosur në këmbë dhe nuk është lënduar rëndë.

“Ai po dërgohet në një spital në Lahore, por nuk është plagosur rëndë. Një plumb e goditi në këmbë”, u tha Umar gazetarëve.

Sipas Ministrisë së Brendshme, Qeveria pakistaneze ka urdhëruar një hetim për incidentin.

Ende nuk dihet identiteti i personit që qëlloi Khanin, por ai u arrestua në vendngjarje.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për të shtënat.

Sipas Policisë, sulmi ndodhi në distriktin Wazirabad në provincën lindore Punjab, ku Khan po udhëtonte me një kolonë të madhe makinash që po shkonte drejt kryeqytetit, Islamabad, si pjesë e fushatës së tij që tenton të detyrojë qeverinë aktuale të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Zotimin për këtë "marshim të gjatë" drejt Islamabadit, Khan e kishte dhënë ditën që iu ndalua të mbante poste publike për pesë vjet.

Më 21 tetor, gjykata e lartë zgjedhore në Pakistan ia ndaloi ish-kryeministrit që të mbajë poste publike për pesë vjetët e ardhshëm. Partia e Khanit, Tehreek-e-Insaf (PTI), tha se vendimi do të kundërshtohet në Gjykatën e lartë.

Demonstratat nisën në kryeqytetin Islamabad, duke u përhapur më pas në qytetet Lahore, Faisalabad, Multan, Sialkot, Peshawar, Karachi, Quetta, si dhe në qytete dhe rrethe të tjera.

XS
SM
MD
LG