Ndërlidhjet

Shpërthejnë protesta pasi ish-kryeministrit pakistanez i ndalohet mbajtja e posteve publike


Mbështetësit e partisë së ish kryeministrit Imran Khan protestojnë kundër vendimit të Komisionit Zgjedhor. Pakistan, 21 tetor 2022.
Mbështetësit e partisë së ish kryeministrit Imran Khan protestojnë kundër vendimit të Komisionit Zgjedhor. Pakistan, 21 tetor 2022.

Të premten më 21 tetor, gjykata e lartë zgjedhore në Pakistan i ndaloi ish-kryeministrit Imran Khan të mbajë poste publike për pesë vitet e ardhshme.

Pas vendimit, mijëra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez, Imran Khan, kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër përjashtimit të tij nga autoritetit zgjedhor i vendit.

Protestat filluan menjëherë pasi Komisioni Zgjedhor i Pakistanit i ndaloi ish-kryeministrit Khan të mbajë poste publike për shkak të fshehjes së dhuratave dhe të ardhurave nga shitja e tyre e supozuar gjatë kohës që shërbente si kryeministër.

Partia e ish-kryeministrit Khan, Tehreek-e-Insaf (PTI), thotë se vendimi do të kundërshtohet në gjykatën e lartë.

Demonstrata nisën në kryeqytetin Islamabad, duke u përhapur më pas në qytetet Lahore, Faisalabad, Multan, Sialkot, Peshawar, Karachi, Quetta, si dhe në qytete dhe rrethe të tjera.

Në qytetin veriperëndimor Peshawar, mbështetësit e Khan-it bllokuan autostradën kryesore dhe gjithashtu u vunë flakën gomave për të ndërprerë trafikun.

Ndërkohë, Khan, i cili është zotuar se do të zhvillojë një "marshim të gjatë" drejt kryeqytetit Islamabad në përpjekje për të thirrur zgjedhje të parakohshme që janë planifikuar për tetorin e vitit të ardhshëm, thirri një takim urgjent të partisë për të diskutuar kursin e ardhshëm të veprimit.

Khan, ish-lojtar i kriketit, ka organizuar disa mitingje anti-qeveritare që nga muaji prill kur u rrëzua nga pushteti në një votë mosbesimi në parlament.

Në zgjedhjet e pjesshme në fillim të kësaj jave, Khan fitoi gjashtë nga shtatë vendet e Asamblesë Kombëtare për të cilat ai garonte në të gjithë vendin.

XS
SM
MD
LG