Ndërlidhjet

Pakistan: Islamistët i ndalin protestat pas marrëveshjes me Qeverinë


Aktivistët islamikë pakistanezë thonë se do t’i ndalin protestat tashmë njëjavëshe, pasi është arritur marrëveshje me Qeverinë për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë së Pakistanit, dhe kjo me gjasë duket se paraqet përfundim të përleshjeve vdekjeprurëse disaditëshe në kryeqytetin Islamabad.

“Kërkesa jonë kryesore është pranuar”, i tha sot agjencisë Reuters, Ejaz Ashrafi, zëdhënës i grupit, Tahreek-e Labaik Ya Rasool.

Protestat me kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Zahid Hamid, janë shndërruar në gjithnjë e më të dhunshme gjatë ditëve të fundit, pasi ky grup islamik e ka bllokuar hyrjen në Islamabad. Kjo ka çuar në përleshje, nga të cilat janë vrarë gjashtë persona dhe janë plagosur afro 200 të tjerë.

Islamistët pretendojnë se ministri Hamid kishte dorë në atë që ata e quajnë legjislacion blasfemik për plotësimin e betimit zgjedhor në Pakistan, pasi ai i ka shmangur fjalët e Profetit Muhamet në tekst.

Zahid Hamid
Zahid Hamid

Hamidi ka kërkuar falje dhe për këtë lëshim e ka fajësuar administratën.

Kanali shtetëror televiziv, PTV, dhe mediat e tjera, kanë raportuar se ministri Hamid i ka ofruar dorëheqje kryeministrit, Shahid Khaqan Abbasi, megjithqë nuk është publikuar ndonjë deklaratë zyrtare e Qeverisë.

Dhuna në Islamabad ka ndikuar që Ministria e Brendshme e Pakistanit, para dy ditësh, e kishte autorizur vendosjen e “trupave të mjaftueshme” të ushtrisë për “kontrollin e ligjit dhe rendit” në qytet deri në vendimin e ardhshëm.

Pakistan: Aksion policor ndaj protestuesve islamikë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Ruajtja e instalimeve të ndjeshme

Raportohet se trupat e armatës do t’i siguronin instalimet e ndjeshme, enklavat diplomatike dhe zyrat e drejtësisë, Parlamentit, Presidencës, Kryeministrisë dhe objekteve të Ministrisë së Jashtme.

Por, megjithqë policia dhe forcat paraushtarake e kishin rrethuar kampin e protestuesve të krijuar nga aktivistët në raajonin Faizabad, atje nuk ka pasur pjesëtarë të ushtrisë gjatë demonstratës së djeshme.

“Ne do të lëvizim kur të kemi urdhër”, tha zyrtari i lartë policor, Amir Niazi, dhe ka shtuar se “atë që protestuesit e bënë dje në asnjë mënyrë nuk ishte e ligjshme, pasi ata i sulmuan forcat tona”.

Afro 2 mijë protestues e kanë mbajtur kampin prej 6 nëntorit, duke e bllokuar rrugën kryesore për në kryeqytetin Islamabad, e cila shfrytëzohet nga mijëra udhëtarë nga qyteteti Ravalpindi, ku gjenden kazerma ushtarake.

Protestat janë përhapur edhe në nëntë qytete të tjera, përfshirë qytetin-port pakistanez, Karaçi.

Tubim në mbështetje të protestuesve në Islamabad
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:15 0:00

Programi Radio Mashal i Radios Evropa e Lirë ka raportuar se protestuesit, po ashtu, kishin hyrë në një sektor të Islamabadit, që është afër Ravalpindit.

“Duket se po dështojnë”

Politikanë opozitarë në Pakistan nga partitë islamike për këtë dhunë në kryeqytet e kanë fajësuar Qeverinë.

Shehryar Khan Afridi, ligjvënës nga Tehreek-e-Insaf, i tha Radio Mashalit se “Qeveria ka përdorë forcë, që nuk ishte masë e përshtatshme, duke shkaktuar lëndime dhe dëmtime të pasurisë publike”.

Muhammad Ibrahim Khan, lider i partisë opozitare fetare, Jamaat-e-Islami, i tha Radios Evropa e Lirë se qeveria “duket se po dështon” dhe është dashur të kontaktojë me partitë opozitare me “prani të konsiderueshme në parlament, para se të ndërmerrte aksion”.

Por, Mia Iftikhar Hussain, lider i Partisë Kombëtare Awami në opozitë, ka theksuar se aksioni i Qeverisë u bë pasi gjykatat u kanë urdhëruar autoriteteve për t’i larguar protstuesit.

Aleatët e partisë, Liga Myslimane Pakistaneze, që është në Qeveri, e kanë mbrojtur operacionin policor që kishte për qëllim largimin e kampit të protestuesve.

Kufizime në transmetim

Njëherësh, Autoriteti rregullator i mediave elektronike i Pakistanit (PEMRA) dje ka urdhëruar ripërtritjen e transmetimeve të teleevizionit kabllovik, i cili një ditë më parë ishte mbyllur me vendim të po këtij autoriteti për shkak të dhunës.

Ky urdhër ishte dhënë pasi gazetarët dhe sindikatat e tyre kërkuan që kanalet private televizive të lejohen të transmetojnë raportime për protestat në Islamabad dhe në qytetet e tjera nëpërmjet televizionit kabllovik.

Në një zhvillim të ndarë, Autoriteti pakistanez për telekom, po ashtu, e kishte ndalur qasjen në mediat sociale, siç janë Twitter, YouTube dhe Dailymotion, në përpjekje për parandalimin e raportimit për konfliktin ndërmjet protestuesve islamikë dhe autoriteteve.

Përkundër operacionit policor, ku ishin të përfshirë 8,500 pjesëtarë dhe trupa paraushtarake speciale, me përdorim të gazit lotsjellës dhe shkopinjve nga autoritetet, forcat e sigurisë para dy ditësh nuk ia dolën t’i shpërndajnë njerëzit në kampin e protestuesve.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG