Ndërlidhjet

Pandemia rralloi rastet e zjarreve në Maqedoninë e V.


Maqedoni e Veriut: një aeroplan me rezervuar uji për fikje të zjarrit, hedh ujë mbi malet që digjen (Foto nga arkivi)
Maqedoni e Veriut: një aeroplan me rezervuar uji për fikje të zjarrit, hedh ujë mbi malet që digjen (Foto nga arkivi)

Pandemia e koranivirusit të ri, e ka ulur shumëfish numrin e shpërthimit të zjarreve nga personat e papërgjegjshëm, rrjedhimisht edhe atë të sipërfaqeve pyjore të djegura.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, bëjnë të ditur se gjatë vitit 2020, me shpërthimin e pandemisë së koranivirusit të ri, në Maqedoninë e Veriut janë raportuar 593 raste zjarri, me ç’rast janë kapluar nga zjarret 268 hektarë hapësira pyjore, kundrejt vitit 2019, kur ishin paraqitur 1 mijë e 749 raste të shpërthimit të zjarreve, që kishin djegur 8 mijë e 837 hektarë hapësira pyjore.

Bekim Maksuti, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, për Radion Evropa e Lirë thotë se pandemia ka rritur në masë të theksuar ndërgjegjësimin e qytetarëve, për rëndësinë e bashkëveprimit të njeriut me natyrën.

“Viti 2020 ka qenë një vit shumë i qetë për sa i takon ballafaqimit tonë si drejtori me zjarret, sepse kemi patur një numër shumë më të vogël të zjarreve të shpërthyera. Kjo është si rrjedhojë edhe e ngritjes së vetëdijes së qytetarëve, pasi gjatë kohës së pandemisë, njerëzit kanë lëvizur më shumë në natyrë dhe kjo ka rritur edhe përgjegjëshmërinë e qytetarëve, pasi nëse kanë parë diçka të dyshimtë që mund të paraqet kërcënim, e kanë paraqitur atë, por edhe kantë dalë si vullnetarë, kur ka qenë e nevojshme të ballafaqohen me menaxhimin e zjarreve të shpërthyera në hapësirat e gjelbëruara”, thotë Maksuti.

Aktivistët për mbrojtjen e natyrës në vazhdimësi kanë ngritur zërin se vënia e zjarrit në pyje është e qëllimshme pasi në këtë mënyrë, individë të caktuar, përfitojnë nga prerja e drunjëve dhe shitja e tyre si lëndë djegëse.

Shoqatat ekologjike që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor, thonë se të gjitha rekomandimet e mjekëve, çojnë kah një emërues i përbashkët, se kura më e mirë është ngritja e imunitetit dhe kjo arrihet përmes lëvizjeve në shtigjet malore.

Fitim Hoxha kryetar i Shoqatës Bjeshkatare Ekologjike Shkupi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se bjeshkatarët në një farë forme janë shndërruar në gardianë të shtigjeve malore.

“Këto ecjet më të shpeshta që ndodhën si rrjedhojë e pandemisë, ndikuan pozitivisht që pyjet dhe natyra të ruhet më tepër, të mbahet ambienti më i pastër dhe të ketë sa më pak zjarre në natyrë. Prezencave e njerëzve që e duan natyrën, nëpër male dhe bjeshkë, sigurisht se i ka larguar ata dashakeqësit e natyrës, të cilët për qëllime personale dhe mbase ekonomike ndiznin zjarre, por ndërgjegjja e pastërt e qytetarëve, ndikoi që natyra përkatësisht bjeshkët, të marrin një kahje pozitive”, thotë Hoxha.

Sfidë për të menaxhuar me shpërthimin e zjarreve, mbetet dhe mos kryerja e kontrolleve teknike të tre mini aeroplanëve të cilët shfrytëzohen nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, për fikjen e zjarreve aktive.

Maqedoni e Veriut: hapësira pyjore të përfshira nga zjarri
Maqedoni e Veriut: hapësira pyjore të përfshira nga zjarri

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rrjedhë është procesi i shpalljes së tenderimit të kompanisë, e cila do të kryejë kontrollet teknike, duke theksuar se shpreson që me fillimin e sezonit të shpërthimit të zjarreve, aeroplanët që shfrytëzohen për fikjen e zjarreve të jenë funksional.

Në bazë të procedurave ligjore për fikjen e zjarrit, nëse nuk arrihen të vendosen nën kontroll zjarret aktive në hapësira të hapura nga automjetet zjarrfikëse dhe aeroplani i Ministrisë së Mbrojtjes, atëherë kërkohet ndihmë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, e cila vë në dispozicion tre aeroplanët e saj, me kapacitet prej tre mijë litrave ujë në rezervuarët e tyre, që shërbejnë për fikjen e zjarreve në viset ku nuk kanë qasje automjetet zjarrfikëse.

Në bazë të hulumtimit të Qendrës për Komunikim me Qytetarët, Maqedonia e Veriut ka 241 automjete zjarrfikëse, por sfidë mbetet efikasiteti i tyre, pasi vjetërsia mesatare e këtyre automjeteve është rreth 28 vjet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG