Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Papa thotë se liderët e Birmanisë e morën mesazhin e tij


Papa Françesku

Papa Françesku tha se kishte derdhur lot kur kishte dëgjuar për gjendjen e vështirë të refugjatëve rohinxha në Bangladesh dhe se ai ishte i ashpër ndaj ushtrisë së Birmanisë, lidhur me nevojën për respektimin e të drejtave të popullatës së minoritetit mysliman.

“Unë kam derdhur lot, jam përpjekur që këtë ta bëj në atë mënyrë që të mos shihet. Ata qanin, po ashtu”, tha të shtunën mbrëma Papa Françesku, në aeroplan, derisa kthehej në Romë, pas udhëtimit të tij në Bangladesh dhe në Birmani, që po ashtu njihet si Mianmar.

Papa Françesku disa herë e ka mbrojtur grupin rohinxha, derisa afro 620 mijë pjesëtarë të tyre, janë larguar në Bangladesh, prej muajit gusht të këtij viti, me shpresë se do të ikin nga ajo që Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si “pastrim etnik” në Birmani.

Dhuna kundër komunitetit rohinxha ka filluar gjatë goditjes ushtarake, pas sulmeve nga kryengritësit rohinxha në rajonin Rakhine në Mianmar.

Ushtria e këtij vendi i ka hedhur poshtë akuzat se në shënjestër i kishte civilët dhe thotë se aksionet ushtarake ishin drejtuar kundër militantëve.

Papa Françesk ka marrë disa kritika se nuk e ka përmendur në mënyrë të qartë goditjen apo se nuk e ka përdorur fjalën “rohinxha” në bisedën e tij me lideren civile në Birmani, Aung San Suu Kyi, dhe me zyrtarët e tjerë më 28 nëntor.

“Rohinxha është një term kontestues në Birmaninë, me popullatë shumicë budiste, ku minoritetit mysliman i mohohet e drejta për shtetësi dhe pjesëtarët e tij kategorizohen si imigrantë të paligjshëm “Bengali”.

Liderët lokalë të Kishës Katolike Romake e kanë lutur Papa Françeskun që të mos e përdorë termin “rohinxha”, duke u frikësuar se do të shkaktonte mospajtim të thellë kundër të krishterëve dhe grupeve të tjera pakicë në Birmani.

Papa Françesku është takuar privatisht me liderët ushtarakë të Mianmarit, më 27 nëntor, pak kohë pasi kishte arritur për vizitë në këtë vend.

I pyetur nga gazetarët se a e ka përdorur shprehjen “rohinxha” në këto takime, Papa ka thënë:

“Kam përdorur fjalë me qëllim që të arrij te mesazhi dhe kur e kam parë se mesazhi ka arritur, unë mora kurajë për të thënë çdo gjë që dëshiroja të thosha”.

Përgjigjen e tij ai e përfundoi me një thënie latine “Intelligenti Pauca” që do të thotë “pak fjalë mjaftojnë për ata që kuptojnë”, që nga disa të pranishëm u konsiderua se ai e kishte përdorur atë fjalë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG