Ndërlidhjet

Papa nis vizitën treditëshe në Ballkan


Papa Françesku në Sofje
Papa Françesku në Sofje

Papa Françesku nisi vizitën treditëshe në Bullgari dhe Maqedoni të Veriut, me synim përmirësimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse.

Papa takoi të dielën udhëheqësit ortodoksë në Bullgari, por ata refuzuan të marrin pjesë në shërbime me të.

Papa u bëri thirrje bullgarëve t’i hapin zemrat dhe shtëpitë e tyre për migrantët, duke thënë se një vend si Bullgaria, që po humb popullsinë për shkak të migrimit, duhet t’i kuptojë mirë forcat që i shtyjnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre.

Sofje, 5 maj 2019
Sofje, 5 maj 2019

"Bullgaria, ashtu si shumë vende të tjera të Evropës, duhet të merret me atë që mund të quhet një dimër i ri: dimri demografik që ka zbarkuar si një perde akulli në një pjesë të madhe të Evropës - pasojë e një besimi të zvogëluar në të ardhmen", tha ai.

Papa ka kohë që po përpiqet t’i kapërcejë tensionet e përhershme midis degëve ortodokse dhe katolike të krishterimit.

Në vitin 2016, ai ka zhvilluar një takim historik në Kubë me patriarkun Kirill, kreun e Kishës Ortodokse Ruse.

Megjithatë, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare e hodhi poshtë çdo mundësi për të mbajtur lutje të përbashkëta me Papën.

"Duam të theksojmë se çdo formë e shërbimit të përbashkët liturgjik ose e lutjeve, si dhe veshja e rrobave liturgjike, janë të papranueshme për ne, sepse kodet e shenjta nuk i lejojnë këto", tha Sinodi i Shenjtë para arrritjes së Papës.

Papa Françesku ka në agjendë edhe vizitën në një qendër refugjatësh në Bullgari, si dhe takimin me kryeministrin bullgar, Boyko Borisov.

Koalicioni i qendrës së djathtë i Borisovit përfshin tri parti nacionaliste anti-migrante dhe ka bërë thirrje për mbylljen e kufijve të Bashkimit Evropian për migrantët, ndërsa në kufirin e Bullgarisë me Turqinë ka ngritur gardh me gjemba.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe Komisioni Evropian e kanë akuzuar Bullgarinë për shkeljen e ligjeve të Bashkimit Evropian për azilin.

“Jam i lumtur të mirëpres njeriun, i cili është simbol i besimit në botën tonë. Lutjet e Papa Françeskut për paqe janë jashtëzakonisht të rëndësishme për rajonin tonë që shtrihet nga Ukraina në lindje deri te Ballkani Perëndimor”, tha Borisov derisa priti Papën në Aeroportin e Sofjes.

Borisov tha se vizita e Papës "pasqyron interesimin e tij për zhvillimin paqësor ekonomik të Ballkanit".

Kisha Ortodokse e Bullgarisë është e vetmja që nuk ka zgjedhur të marrë pjesë në një komision që synon të përmirësojë dialogun me Kishën Katolike Romake, e cila ka rreth 44,000 ndjekës në Bullgari.

Papa Françesku, të hënën, do udhëtojë drejt Maqedonisë së Veriut, ku do të marrë pjesë në një përkujtim për Nënë Terezën, e cila ka lindur në Shkup më 1910.

Maqedonia e Veriut ka rreth 20,000 ndjekës katolikë romakë.

Kisha Ortodokse Maqedonase ka shpallur pavarësinë në vitin 1967, por nuk është njohur nga kishat e tjera ortodokse.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG