Ndërlidhjet

Partitë politike i paguajnë gjobat në minutën e fundit


Foto arkiv
Foto arkiv

Partitë politike kanë pritur momentet e fundit për t’i shlyer gjobat nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, në mënyrë që të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 22 tetor në Kosovë.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i tha Radios Evropa e Lirë se të martën të gjitha partitë politike i kanë shlyer borxhet që u janë shqiptuar.

Borxhi i përgjithshëm i partive politike ka qenë 350 mijë euro.

Mund të them se të gjitha subjektet, me përjashtim të Partisë së Pavarur Liberale dhe Partia Demokratike të Unitetit që nuk kanë shlyer borxhet, të gjitha subjektet tjera i kanë paguar të gjitha gjobat me të cilat janë dënuar në zgjedhjet parlamentare 11 qershorit”, tha Desku.

Sipas PZAP-it, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës ishte gjobitur me 158 mijë euro. Koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës ishte gjobitur me mbi 71 mijë uro, kurse Lëvizja Vetëvendosje me 66 mijë euro.

Shlyerja e borxheve në PZAP ishte e domosdoshme, pasi në bazë të ligjit, asnjë subjekt politik në Kosovë nuk mund të garojë në zgjedhje, nëse nuk paguhen gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Ndryshe, të martën në mesnatë është mbyllur afati për aplikim për subjektet politike të cilat tani presin certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Me anë të një komunikatë për media Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kanë aplikuar 91 subjekte politike.

Nga to, 35 janë parti politike, 1 koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur”, thuhet në komunikatë.

Autoritete kompetente në vend, thonë se kenë filluar tashmë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në 38 komunat e Kosovës.

XS
SM
MD
LG