Ndërlidhjet

Tre burra në garë për vendin e Angela Merkelit


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përshëndet me dorë pas një fjalimi gjatë kongresit të partisë së saj CDU, Hamburg.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, përshëndet me dorë pas një fjalimi gjatë kongresit të partisë së saj CDU, Hamburg.

Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, CDU (Unioni Kristian Demokrat), do të zgjedhë liderin e ri këtë të shtunë, votim ky i cili shënon fillimin e garës për pozitën kryesore në Gjermani, përderisa pandemia me COVID-19, e ka trazuar ekonominë më të madhe evropiane.

Derisa kanë mbetur edhe nëntë muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme, aktualisht, gara është shumë e paqartë në betejën për postin udhëheqës të partisë, e cila e ka dominuar skenën politike gjermane për 70 vjet.

Tre burra mund të jenë rivalë për këtë pozitë, por ata nuk kanë arritur që të krijojnë momentum me fushatat e tyre, për shkak të krizës së vazhdueshme dhe në rritje me pandeminë.

Për më shumë, vota e së shtunës mund të përcaktojë largim dramatik nga politika konsensuale, me të cilën Merkel u bë e njohur ndërkombëtarisht. Por, politikanja veterane planifikon të largohet nga skena politike në shtator, pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Në garë është aleati i Merkelit, Armin Laschet, kryeministri i landit më të populluar në Gjermani të North Rhine-Westphalia.

Por, siç raporton AFP, në sondazhe, ai është prapa rivalit të ashpër konservator të kancelares, Friedrich Merz, i cili ka dhënë indikacione se dëshiron ndarje të plotë me epokën e Merkelit.

Kandidati i tretë, eksperti i politikave të jashtme, Norbert Roettgen, po ‘lufton kokë më kokë’ në sondazhe me Laschet.

Disa e përshkruajnë këtë proces votimi si ngjarjen më të rëndësishme këtë vit, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit. Kjo për shkak se fituesi mund të jetë në pozitë kryesore për t’i drejtuar konservatorët e Merkelit në zgjedhje dhe që potencialisht të zë vendin e saj në zyrën e kancelares, pasi ajo po pensionohet pas 16 vjetësh në detyrë.

Por, pandemia, po ashtu ka ndryshuar kartat në tavolinë dhe ka hapur mundësinë që krejt dikush tjetër të fitojë besimin e konservatorëve për pozitën e kancelarit dhe t’i drejtojë ata në zgjedhje.

Zgjedhje kruciale

Përderisa e shtuna po afrohet, Helge Braun, shefi i stafit të kancelares Merkel, që konsiderohet si një nga personat me ndikim në parti, i ka dhënë mbështetje Laschetit, që po cilësohet si ‘kandidati i vazhdimësisë”.

Markus Soeder, lideri i partisë simotër të CDU-së në Bavari, CSU, po ashtu i ka dhënë mbështetje Laschetit.

Edhe pse në fillim, Laschet ishte favorit, gafa të shumta në menaxhimin e pandemisë, kanë ndikuar në rënie të madhe të miratimit të publikut.

Merz, një veteran i vijës së ashpër, ka premtuar se do ta ndryshojë partinë, duke e bërë atë më të djathtë. Por, disa druajnë se dallimet e vjetra mund të dalin në pah nën udhëheqjen e Merzit. Politikat e tij liberale mund të dështojnë që të jenë tërheqëse, pasi ekonomia është në regres, ndërsa mbylljet e njëpasnjëshme po kufizojnë bizneset.

Kandidatët për kryetar të CDU-së, Friedrich Merz (majtas), Norbert Roettgen (mes) dhe Armin Laschet (djathtas) 14 dhjetor 2020.
Kandidatët për kryetar të CDU-së, Friedrich Merz (majtas), Norbert Roettgen (mes) dhe Armin Laschet (djathtas) 14 dhjetor 2020.

Norbert Roettgen është një kandidat tjetër që po bën fushatë me premtimin për modernizim.

E në këtë situatë, pa një opsion të spikatur, shumë zëra po bëjnë thirrje që aleanca konservatore të shtyjë dikë tjetër si kandidat të saj për kancelar.

Aktualisht, personi më popullor është lideri i CSU-së dhe kryeministri i landit të Bavarisë, Soeder, i cili ka fituar përkrahje të madhe në nivel kombëtar, për shkak të përgjigjes së fuqishme ndaj pandemisë.

Një tjetër kandidat do të mund të ishte Jens Spahn, ministri popullor i Shëndetësisë në Gjermani, i cili i ka dhënë mbështetje Laschetit, por në disa raste ka tingëlluar sikur mund ta provojë vet fatin.

Sipas Ursula Muench, profesoreshë e shkencave politike në Universiteti e Munihut, kushdo që e fiton lidershipin e CDU-së, do të jetë ‘nën presion për një kohë’, veçanërisht nëse rezultati është i ngushtë.

Laschet “është i pajisur”

Merkel dha dorëheqje nga pozita e kryetares së CDU-së në vitin 2018, pas 18 vitesh në udhëheqje. Ajo e ndërmori këtë hap kur partia e saj filloi të dobësohet dhe të përballej me krize identiteti, kur nevojitej përcaktimi se si të pozicionohej kundër rritjes së të djathtës ekstreme.

Një delegat mban një pankartë me mbishkrim falënderues për kryetaren e Partisë CDU, Angela Merkel, gjatë kongresit të partisë, Hamburg, Gjermani, 7 dhjetor 2018.
Një delegat mban një pankartë me mbishkrim falënderues për kryetaren e Partisë CDU, Angela Merkel, gjatë kongresit të partisë, Hamburg, Gjermani, 7 dhjetor 2018.

Ajo ishte zëvendësuar me aleaten e saj të preferuar,Annegret Kramp-Karrenbauer.

Por, Kramp-Karrenbauer dha dorëheqje vetëm disa muaj pasi mori pozitën për shkak të dështimit në zgjedhjet lokale.

Dy kongrese të partisë, që kishin synim zgjedhjen e liderit të ri kanë dështuar, për shkak të krizës së shkaktuar nga COVID-19.

CDU-ja do ta mbajë kongresin e parë digjital të premten dhe të shtunën, ku 1,001 delegatë do të votojnë në ditën e dytë të kongresit për liderin e ri të partisë.

Nëse asnjëri prek kandidatëve nuk merr më shumë se 50% të votave, do të organizohet një raund i ri votimi. Pas kësaj, atëherë kjo zgjedhje duhet të konfirmohet nga votimi me postë.

Merkel, popullariteti i së cilës është rritur në prag të përfundimit të mbretërimit të saj për shkak të trajtimit të pandemisë, ka thënë vazhdimisht se nuk do të mbështeste asnjë kandidat.

Por, siç raporton AFP, gjatë një vizite në Nordrhein-Westfalen verën e kaluar, ajo tha se Laschet "është i pajisur” për të qenë kancelar.

Përgatiti: Shkumbin Ahmetxhekaj
XS
SM
MD
LG