Ndërlidhjet

PDK e AAK kërkojnë sërish heqjen e Projektligjit për pagat nga diskutimi në Kuvend


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë bërë sërish thirrje që projektligji për pagën minimale të hiqet nga rendi i ditës në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për 14 qershor.

Pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë së Kuvendit, shefat e grupeve parlamentare të PDK-së dhe AAK-së, Abelard Tahiri dhe Besnik Tahiri, e kanë quajtur projektligjin për pagat si diskriminues.

“Lënia jashtë e kategorisë më të ndjeshme në vendin tonë, pra veteranëve të Republikës së Kosovës është një çështje, të cilën në asnjë rrethanë, ne si grupe parlamentare të opozitës, nuk do ta përkrahim”, ka thënë Abelard Tahiri.

Ngjashëm është shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së.

“E shoh si ligj diskriminues, e shoh si ligj totalisht të pamatur dhe e shoh si ligj që e dëmton në esencë një kategori të rëndësishme, të nderuar të vendit tonë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Rritja e pagës minimale nga 170 në 264 euro bruto (250 neto), është paraparë me disa ndryshime ligjore të sponsorizuara nga Qeveria e Kosovës.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, që është 170 euro, dhe kjo është sa aktualisht marrin.

Por, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziut, nga 2017, kur është bërë një plotësim-ndryshim i Ligjit për veteranët e luftës, një ndërlidhje e tillë më nuk parashihet.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale më 7 qershor, ka theksuar se “nuk është se shteti jep pak për veteranin,”por "veteranit i kanë hyrë në hise disa të tjerë që ndoshta mund të mos jenë veteranë”.

“Ky është problemi që kemi ngritur si Qeveri. Edhe kryeministri (Kurti) ka thënë që duhet të bëhet një pastrim i listave”, ka thënë Murati.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” kanë vlerësuar se pa përfunduar procesi gjyqësor lidhur në rastin “Veteranët”, pastrimi i listës së veteranëve nuk mund të bëhet.

Gjykata e Apelit, më 26 prill të vitit 2022, ka kthyer në rigjykim rastin e njohur si “Veteranët”.

Në akuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila ishte konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, u ngrit dyshimi se për 19.500 persona është dhënë statusi i veteranit në mënyrë të paligjshme.

Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53.188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37.006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.

Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK - gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.

Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.

XS
SM
MD
LG