Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.
Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, tha në një konferencë për media në objektin e Kuvendit se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të saj.
"Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë", tha ai.
Sipas tij, një akuzë do të duhej të kishte lidhje konkrete dhe të drejtpërdrejtë me pretendimet për të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe jo të përfshihej në juridiksionin e tyre vetëm për shkak të një lidhjeje të përgjithshme me luftën ose UÇK-në.
Për rastet që aktualisht janë në proces, Hamza tha se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit ishte senatori zviceran Dick Marty.
Ky institucion gjyqësor ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Hamza tha se projektligji parasheh edhe mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Këto organizata do të raportonin para Kuvendit dhe publikut.
Hamza tha se PDK-ja ka diskutuar për këtë nismë me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës dhe u bëri thirrje këtyre subjekteve që ta mbështesin projektligjin.
"Kjo çështje i tejkalon përmasat e një subjekti politik, të një mandati, të një qeverisjeje, por këtu kemi të bëjmë me historinë e Kosovës dhe ne po kërkojmë që të ketë drejtësi, por mos t'i shkruhet historia", tha ai.
Me 22 deputetët e saj, PDK-së i duhen edhe 18 nënshkrime të deputetëve nga grupet e tjera parlamentare për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Thirrja e PDK-së vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim të hënën, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, kërkoi që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të apelit.
“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti.
Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë “mobilizim të plotë diplomatik” me aleatët ndërkombëtarë, me qëllim që procesi i shqyrtimit në shkallën e dytë, sipas tij, të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.
Protestat janë mbajtur çdo natë që prej shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator. Në to janë parë rregullisht edhe deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së; si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e tyre.
Gërvalla është kritikuar nga organizatorët e protestave për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin.