Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka përsëritur të shtunën se është e gatshme të kontribuojë në zgjedhjen e presidentit të Kosovës, por vetëm pasi Kuvendi të miratojë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, se partia e tij mund të diskutojë për presidentin menjëherë pas miratimit të ligjit.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.
Ai tha se mes palëve janë zhvilluar biseda dhe se mbeten edhe disa ditë për të arritur një marrëveshje, por shtoi se nuk e di nëse ajo do të arrihet.
Hamza tha se kërkesa për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk lidhet me nevojën e PDK-së për të marrë pjesë në zgjidhjen e çështjes së presidentit, por me rëndësinë që, sipas tij, kjo çështje ka përtej partisë.
Qeveria e Kosovës të premten vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Mendimi i Qeverisë i është dërguar Kuvendit, ndërsa ndryshimet ende nuk janë miratuar nga deputetët apo trajtuar nga komisioni parlamentar për legjislacion.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e përsëriti të shtunën kërkesën që Kuvendi ta miratojë projektligjin në dy lexime. Ajo tha se, nëse kjo ndodh, PDK-ja do t’i vërë në dispozicion 22 votat e saj për zgjedhjen e presidentit.
“Në rast se do të miratohet ligji brenda dy leximeve, plotësim-ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 22 votat në dispozicion për zgjedhjen e presidentit”, tha Deliu në një intervistë për agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Ajo tha se kandidati për president duhet të jetë një figurë që mund të afrojë forcat politike dhe të shmangë zgjedhjet e reja parlamentare, por nuk përmendi ndonjë emër konkret.
Në të njëjtën ditë, Kurti zhvilloi takim të ndarë edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por nuk u dhanë detaje të tjera.
Ndërkohë, organizatorët e protestave të përditshme nën moton “Jo në emrin tim” e zhvendosën të shtunën aksionin para Kuvendit të Kosovës, pas 18 ditësh protestash kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata u bënë thirrje deputetëve që mbështesin ndryshimet në ligj të kërkojnë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për shqyrtimin dhe votimin e projektligjit.
Organizatorët theksuan se, sipas Rregullores së Kuvendit, një seancë e jashtëzakonshme mund të kërkohet nga një e treta e deputetëve.
Projektligji i propozuar nga PDK-ja synon, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, bartjen në Kosovë të rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.
Ndryshimet në ligj janë propozuar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Të katër të dënuarit kanë të drejtë ankese.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, vendi rrezikon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare.