Qeveria e Kosovës vlerësoi më 2 tetor se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ky qëndrim është përfshirë në vendimin e miratuar në mbledhjen elektronike të Qeverisë, në përgjigje të kërkesës së Kuvendit të Kosovës të 23 shtatorit për vlerësimin e projektligjit.
Vendimi, bashkë me tekstin e mendimit të Qeverisë, i dërgohet Kuvendit.
Në njoftimin për mbledhjen, Qeveria tha se vlerësimi përfshin përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e projektligjit.
Vendimi përbën qëndrimin e Qeverisë për nismën, ndërsa ndryshimet e propozuara ende nuk janë miratuar nga Kuvendi.
Nisma për ndryshimin e ligjit pasoi dënimin në shkallë të parë për krime lufte të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 dhe Rexhep Selimit me 13 vjet.
Të dënuarit kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin.
Çfarë synon nisma?
PDK-ja propozon, ndër të tjera, ngushtimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe bartjen te gjykatat dhe prokuroria në Kosovë të rasteve që do të konsideroheshin jashtë këtij juridiksioni.
Propozimet përfshijnë edhe mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë që presidenti t’i falë të dënuarit.
Kurti kishte deklaruar më 30 shtator se zyra e tij ligjore po e shqyrtonte propozimin dhe se përgjigjja për Kuvendin do të jepej brenda javës.
Zotimet ndërkombëtare
Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë se ndryshimi i ligjit dhe zbatimi i ndryshimeve të synuara përballen me kufizime kushtetuese dhe me zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka thënë se deputetët kanë kompetencë të nisin ndryshime ligjore, por ato nuk mund t’i cenojnë obligimet që Kosova ka marrë përsipër për gjykatën.
Përmes shkëmbimit të letrave me Bashkimin Evropian më 2014, Kosova u zotua, ndër të tjera, të konsultohej me BE-në për ndryshime ligjore që ndikojnë në mandatin e gjykatës apo në procedurat përkatëse.
Dhomat e Specializuara i kanë thënë REL-it se nuk janë konsultuar për nismën.
“Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të garantuar gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Ne nuk komentojmë mbi nismat politike”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Një ditë para vendimit të Qeverisë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e pyetur në Prishtinë për nismën për ndryshimin e ligjit, tha se i takon Kosovës të vendosë, por theksoi se “është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”.
Në konferencën e përbashkët me Kurtin më 1 tetor, ajo tha gjithashtu se mandati i institucioneve të pavarura gjyqësore duhet të respektohet plotësisht dhe se aktgjykimi ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve.
Ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara është edhe një nga kërkesat e protestuesve që, nën thirrjen “Jo në emrin tim”, kanë protestuar në Prishtinë kundër dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së. Organizatori Çlirim Haziri i ka thënë REL-it se kërkojnë edhe garantimin e një buxheti mbështetës për mbrojtjen e katër të dënuarve.
PDK-ja e ka lidhur vazhdimin e diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pas takimit me Kurtin në mbrëmjen e 2 tetorit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje. Ai përsëriti se miratimi i ndryshimeve është i domosdoshëm për partinë e tij dhe se më pas është e hapur të diskutojë për presidentin.
Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor dhe Kosova rrezikon zgjedhje të reja parlamentare nëse deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin kreun e shtetit.