Ndërlidhjet

PDK tërhiqet nga kërkesa për rezolutë, përfundon seanca


Kuvendi i Kosovës, fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar punimet e një seance të thirrur nga Partia Demokratike të Kosovës për të diskutuar për Pakon Emergjente Financiare prej 320 milionë eurosh, për siç thuhej për të “tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë të shkaktuara nga sëmundja COVID-19”.

Në fillim të seancës, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamaz, ka kërkuar që të hidhet në votim një mocion, i cili do të fuste në rend të ditës diskutimin dhe aprovimin e projektligjeve të propozuara nga PDK-ja për situatën ekonomike të krijuar nga Covid-19.

Bëhet fjalë për Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e pandemisë COVID-19, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Por, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se për shkak të procedurave ligjore, në seancë të jashtëzakonshme nuk mund të futen pika tjera.

Pas diskutimeve nga deputetët në Kuvendin e Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se PDK-ja tërheq propozimin për rezolutë për shkak, siç ka thënë ai, nuk ka pajtueshmëri që këto projektligje të futen për rishqyrtim.

Qëllimi i propozimit, ka thënë Hamza, ishte që të krijohet baza legale, për t’i ndihmuar të punësuarit në sektorin privat, bizneset, përfituesit nga buxheti i Kosovës, komunat e Kosovës, komunitetet joshumicë dhe kategoritë tjera.

“Mirëpo duke parë situatën se nuk ka vullnet dhe kur nuk ka vullnet dhe përgjegjësi për këtë punë, ne si grup parlamentar i PDK-së tërhiqemi meqë nuk ka pajtueshmëri që këto projekt ligje të propozuara të futën në rend dite, të trajtohen dhe të aprovohen nga ky kuvend”, tha Hamza.

Pas tërheqjes se propozimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbyllur seancën.

Seanca ka qenë e mbyllur për media, për shkak se hapësira e rezervuar për gazetarë është shfrytëzuar nga deputetët në mënyrë që të respektojnë distancën fizike.

PDK-ja ka thënë se dëshiron që Pakoja Emergjente Fiskale të jetë në vlerë prej 320 milionë eurosh, duke argumentuar se Pakoja Emergjente Fiskale e miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës – që është në vlerë prej 179 milionë eurosh – nuk do të mund të përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve dhe bizneseve në kohën e pandemisë.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë u shfaqën më 13 mars. Numri i të prekurve tashmë ka arritur në 377, 8 persona kanë vdekur dhe 63 janë shëruar.

Për shkak të koronavirusit, qeveria ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.

XS
SM
MD
LG