Ndërlidhjet

Majlinda Kelmendi pensionohet nga sporti aktiv, dekorohet me urdhrin “Shotë Galica”


Majlinda Kelmendi gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e tërheqjes së saj nga sporti aktiv.
Majlinda Kelmendi gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e tërheqjes së saj nga sporti aktiv.

Me një ceremoni shtetërore, kampionia e Kosovës, Majlinda Kelmendi, më 6 dhjetor është pensionuar si xhudiste aktive. Në ceremoninë e organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u tha se bota mësoi për Kosovën falë Majlinda Kelmendit.

Duke mos i përmbajtur lotët, vet Kelmendi tha se për gjithë suksesin e saj falënderimi më i madh i takon Kosovës.

“Kam punuar shumë që mos të zhgënjej Kosovën e ta bëjë vendin krenar”, tha Kelmendi duke i falënderuar të gjithë për përkrahje përgjatë rrugëtimit të saj.

Në këtë ceremoni, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka nderuar Majlinda Kelmendin me urdhrin “Shotë Galica”. Urdhri “Shotë Galica” u ndahet personave, të cilët kanë avokuar, kanë bërë vepra trimërie apo akte guximi, por edhe luftuan për barazinë gjinore.

Majlinda Kelmendi, afër presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Majlinda Kelmendi, afër presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ajo me të drejtë cilësohet si legjendë e sportit të xhudos, heroinë e Kosovës. Në tre dekadat e jetës së saj u bë fytyra e Kosovës së sotme”, tha presidentja Osmani gjatë fjalimit.

Presidentja Osmani përmendi edhe trajnerin e Majlindës, Driton Kukën dhe Agron Kukën, kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës duke i falënderuar për lartësimin e shtetit të Kosovës.

Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
Trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Ndërkaq, Driton Kuka, trajner i Majlinda Kelmendit e përshkroi atë si simbol të lirisë së fituar me shumë sakrifica.

“Majlinda u bë personazhi cili u jepte shpresa njerëzve të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë”, tha Kuka.

Kelmendi konsiderohet gjerësisht si një nga garueset më të mëdha të xhudos dhe sportit në Kosovë në përgjithësi. Suksesi i saj më i madh ndodhi në Lojërat Olimpike “Rio 2016” kur fitoi medaljen e artë të parë Olimpike por edhe të parën për Kosovën.

Kelmendi u bë dy herë kampione e botës dhe katër herë kampione e Evropës. Përgjatë karrierës, Kelmendi po ashtu fitoi katër herë titullin më garën e famshme të Grand Slamit të Parisit. Ishte xhudistja e shpallur më e mira në botë në vitin 2017.

Pas përfundimit të Lojërave Olimpike që këtë vit në korrik u mbajtën në Tokio, Majlinda Kelmendi kishte njoftuar tërheqjen nga sporti aktiv. Ajo përballej me shumë probleme fizike të cilat i pamundësuan edhe medalje në Tokio.

Pas tërheqjes nga sporti aktiv, Kelmendi do të vazhdojë punën si trajnere përkrah mentorit të saj, Driton Kuka.

XS
SM
MD
LG