Ndërlidhjet

Përgjimet shënjestrojnë zyrtarët shtetërorë në afera me tenderë 


Sekretari i Qeverisë, Dragi Rashkovski, i cili është përfshirë aferë me tenderë.

Bisedat e përgjuara së fundmi kanë vënë në shënjestër sekretarin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovskin. Në bazë të bisedimeve të publikuara në disa media on-line, pretendohet se Rashkovski ka qenë pjesë e kurdisjes së një tenderi për pajisje të kontrollit të fluturimeve, në favor të një kompanie italiane.

Tenderi i përmendur në këto biseda të përgjuara, ka të bëjë me furnizimin e sistemit të kontrollit të fluturimeve, që është financuar edhe me mjete të Bankës Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut theksojnë se Rashkovski është kyçur në këtë tender për të zhbllokuar procedurën e dorëzimit të aparaturës, në bazë të kontratës së lidhur paraprakisht,përkatësisht në vitin 2016, me ç’rast, sipas Qeverisë, të gjitha procedurat e dorëzimit të aparaturës janë realizuar në përputhje me ligjet në fuqi.

Edhe socialdemokratët e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë theksuar dikush e ka penguar qëllimisht kontratën për furnizimin e sistemit të ri të radarit, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve, për çka dëshmi janë dorëzuar në institucionet kompetente.

“E vërteta është se për shkak të domosdoshmërisë së pajisjes për funksionim normal të komunikacionit ajror, me urdhër të Qeverisë është caktuar mbledhje për përcaktimin e dinamikës për realizim”, thuhet në një deklaratë të LSDM-së.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë se është e patolerueshme që në zyrat e Qeverisë të vendoset rreth furnizimeve publike, tenderëve dhe marrëveshjeve të ndryshme.

Kryetarja e Transparency International, Sllagjana Taseva, thotë për Radion Evropa e Lirë se zyrtarët qeveritarë duhet të qëndrojnë larg procedurave të furnizimeve publike, tenderëve etj.

Taseve thotë se drejtuesit e institucioneve duhet të luajnë rolin e mbikëqyrësit dhe të intervenojnë vetëm nëse shkelet ndonjë normë gjatë procedurës.

“Na u bë shprehi shumë e keqe edhe në rastet kur bëhet fjalë për investime në sektorin privat, apo kur bëhet fjalë për tenderë në lëmi specifike, diskutohet në zyrat e ministrave, zyrat e kryetarëve të komunave siç kemi parë në disa raste, apo zyrat e Kryeministrisë”.

“Asnjë arsyetim nuk mban se pse sekretari shtetërore i Qeverisë është përfshirë në atë diskutim. Sipas funksionit dhe kompetencave, kjo çështje (tenderimi për furnizimin e sistemit të ri për kontroll të fluturimeve) nuk është punë e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë dhe ai, pra Rashkovski duhet t’ia sqarojë opinionit si dhe pse është gjendur në atë bisedë”, thotë Taseva.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka kërkuar që sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski të japë dorëheqje, pasi siç kanë theksuar nga kjo parti, Rashkoski me të “dy këmbët” është futur në skandalin më të madh të korrupsionit të pushtetit, që ka të bëjë me furnizimin e pajisjes për sistemin e kontrollit të fluturimeve civile.

Madje nga VMRO-ja kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë parashtresë deri te Prokuroria Themelore Publike, mbi informacionet që bazohen në bisedat e përgjuara, ku Rashkovski dyshohet se ka ndërhyrë në këtë tender.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragi Rashkovski, ka bërë të ditur se gjatë të martës do të japë versionin e tij lidhur me audio-incizimet e publikuara në disa media on-line.

XS
SM
MD
LG