Ndërlidhjet

Kërkohen reforma përmbajtjesore në sistemin e përgjimeve


Ilustrim

Reformat në ndjekjen e komunikimeve elektronike apo përgjimin e bisedave telefonike, të postave elektronike dhe të komunikimeve tjera të internetit duhet të jenë thelbësore dhe në përputhje të plotë me raportin e grupit të ekspertëve të Bashkimit Evropian.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë në Maqedoni, duke komentuar njoftimet për përgatitjen e ndryshimeve të reja ligjore që për bazë do të ketë standardet më të avancuara ndërkombëtare. Në fakt, kjo u bë e ditur nga ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, i cili ka kërkuar mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare, por edhe përfshirjen e tyre në debatin mbi këtë çështje.

“Ne bisedojmë për modelet që në janë ofruar, pra katër modelet dhe ne kemi zgjedhur njërin prej tyre që i plotëson kriteret për të cilin do të bisedojmë me të gjithë shoqërinë. Pra, qëllimi jonë është që të kemi një qendër të veçantë operative teknike apo agjenci ku do të vendosej pajisja për ndjekjen e komunikimeve në bashkëpunim me më shumë institucione tjera. Pra, ne vlerësojmë se pajisjet e përgjimit të mos jenë brenda Ministrisë së Brendshme. Ne duam një reformë e cila do të jetë efikase dhe e cila do të mbroj para se gjithash të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Ai tha se do të ndryshohet çdo akt nënligjor i cili do të krijojë paqartësi lidhur me sigurinë në shtet, ndërsa bëri të ditur se në Maqedoni më nuk bëhen përgjime të paligjshme apo se përgjohen vetëm se rastet me urdhër të organeve gjyqësore, e që kanë të bëjnë me ruajtjen e rendit kushtetues dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por, përvoja e kaluar lidhur me përgjimet masive sipas ekspertëve lënë pak hapësirë për optimizëm në këto deklarime të drejtuesve të institucioneve.

Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë dhe profesor i së drejtës penale se ka nevojë për ndryshime ligjore, por ato para se gjithash sipas tij duhet të përqendrohen në miratimin e masave sa më të rrepta për ata që nuk respektojnë ligjin, pasi edhe ligji aktual sipas tij i përmbahet normave ndërkombëtare por që janë shkelur pikërisht nga ata që duhet të respektojnë dispozitat në fuqi.

“Detyrimisht ka nevojë për ndryshime dhe plotësime rrënjësore. Në këtë ligj, i cili mund të ndryshohet dhe plotësohet, dënimet apo politika sanksionuese duhet të jetë shumë më e rreptë sesa që është aktualisht. Pra, duhet të ketë një ligj të veçantë dhe kushdo që punon të ketë edhe përgjegjësinë që të mos vjen deri tek keqpërdorimet e ndryshme. Këtu është problemi esencial, pasi vet shteti e keqpërdorimi sistemin e përgjimeve dhe nuk bëhet fjalë për individë të caktuar. Në Maqedoni u dëshmua se vet ligjvënësi ka pasur vullnetin e keq, pasi pikërisht ato persona që kanë pasur detyrime të mbrojnë ligjin, ata e kanë keqpërdorur”, thotë Selmani, duke shtruar nevojën e marrjes së masave sa më të rrepta ndaj atyre që kanë shkelur ligjin.

Ai e quan qesharak vendimin e fundit të gjykatës e cila dënoi me 1 vit e gjysmë burg, zyrtarin i cili kishte dhënë urdhër për asgjësimin e aparaturës për përgjim.

“Nëse këta persona nuk do të marrin dënimet e meritura, kjo nënkuptohet se sërish lihet hapësira për të dyshuar se njëjtit mund të keqpërdorin sistemin me çmime më të larta apo të vogla, qoftë të aspektin politik të brendshëm apo të jashtëm. Me dënimet e para që u dhanë nuk jepet shpresë se mund të ndryshohet gjendja aktuale”, thotë Bashkim Selmani, njohës i çështjeve të sigurisë dhe profesor i së drejtës penale.

Nevoja për reforma në sistemin e përgjimeve vjen si pasojë e krizës politike e cila për tre vite tronditi Maqedoninë, pikërisht nga afera e përgjimeve e zbuluar në shkurt të vitit 2015 nga lideri i opozitës së atëhershme, Zoran Zaev. Ai nxori në sipërfaqe mbi 20 mijë përgjime të politikanëve, afaristëve, gazetarëve e personaliteteve tjera, që besohet të jenë bërë në mënyrë të paligjshme nga struktura të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

XS
SM
MD
LG