Ndërlidhjet

Përhapja e fruthit në Kosovë: Pse po shtohen rastet dhe çfarë duhet të dinë prindërit?

5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.

Përhapja e fruthit në Kosovë po shënon rritje shqetësuese. Vetëm javën e kaluar u regjistruan 21 raste të reja, ndërsa që nga prilli janë konfirmuar rreth 100 raste.

Për krahasim, gjatë periudhës 2021-2024 ishin regjistruar vetëm tri raste, të gjitha të importuara.

Epidemiologia e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Edita Goranci, thotë në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë se rikthimi i sëmundjes lidhet drejtpërdrejt me rënien e vaksinimit të fëmijëve me vaksinën MMR.

"Kur e kishim mbulueshmërinë mbi 95 për qind me vaksinën kundër fruthit, situata epidemiologjike ishte e qetë. Rastet paraqiten pikërisht ku ka fëmijë të pavaksinuar", pohon Goranci.

Sëmundja e fruthit është sëmundje vdekjeprurëse. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se mbi 95 mijë njerëz kanë vdekur nga fruthi gjatë vitit 2024, shumica fëmijë nën moshën pesëvjeçare, megjithëse e kishin pasur një vaksinë në dispozicion.

Sipas Gorancit, në Kosovë, deri tani, tre fëmijë kanë pasur nevojë për trajtim në kujdes intensiv, për shkak të komplikimeve nga kjo sëmundje.

"Fruthi është një sëmundje e rëndë. Rreth 30 për qind e rasteve përfundojnë me komplikime. Një deri në dy fëmijë në 1.000 persona të sëmurë vdesin", thotë ajo.

Sipas saj, virusi mund të shkaktojë pasoja, si infeksion në mushkëri, inflamacion të trurit e infeksion të veshit të mesëm.

▶️ Shiko podkastin:

🎧 Dëgjo podkastin:

Përhapja e fruthit në Kosovë: Pse po shtohen rastet dhe çfarë duhet të dinë prindërit?
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:27:26 0:00

Kush është më i rrezikuar?

Epidemiologia thotë se më të rrezikuarit janë fëmijët e pavaksinuar.

"Të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar janë në rrezik nga fruthi. Posaçërisht fëmijët nën pesë vjeç, personat me imunitet të ulët dhe gratë shtatzëna", thotë Goranci.

Ajo shton se vaksina mbetet mbrojtja më efektive.

"Doza e parë mbron në 93 për qind të rasteve, ndërsa doza e dytë në 97 për qind. Është një ndër vaksinat më të sigurta", thekson ajo.

Si përhapet fruthi?

Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse dhe transmetohet përmes ajrit.

"Një fëmijë i infektuar infekton rreth 90 për qind të kontakteve që nuk janë të vaksinuara. Virusi përhapet gjatë të folurit, kollitjes apo teshtitjes, dhe mund të qëndrojë deri në dy orë në ajër dhe në sipërfaqe", shpjegon Goranci.

Temperatura, ethet, rrjedhja e hundëve, skuqja e syve dhe dhimbja e fytit janë simptomat e para, sipas saj.

Keqinformimi po ndikon në rënien e vaksinimit

Sipas Gorancit, një nga arsyet kryesore të hezitimit të prindërve për t’i vaksinuar fëmijët me dozën e parë të vaksinës, në moshën 1-vjeçare, dhe pastaj me dozën e dytë, në moshën 6-vjeçare, mbeten dezinformatat në rrjetet sociale.

"Është e papranueshme që një prind të vendosë të mos e vaksinojë fëmijën, bazuar në një keqinformim të lexuar në rrjetet sociale. Çdo shqetësim duhet diskutuar me mjekun", thotë ajo.

Goranci përmend edhe pretendimin e rremë se vaksina MMR shkakton autizëm, për çka thotë se prindërit nuk po i vaksinojnë fëmijët derisa të fillojnë të flasin – por, sipas saj, nga të gjitha studimet e bëra nuk ka asnjë të dhënë shkencore se kjo vaksinë shkakton autizmin tek fëmijët.

“Është bërë një trend, për ta shtyrë [marrjen] e vaksinës MMR, për të mos e marrë në moshën 12-mujore. Ne i kemi pothuajse mbi 50 për qind të rasteve, 50 raste janë të kësaj grupe moshe - një vjeç deri në dy vjeç - ku e kanë shtyrë, e kanë pasur mundësinë ta marrin vaksinën, dhe e kanë shtyrë. Fatkeqësisht, ata fëmijë po na infektohen”.

Megjithëse autoritetet shëndetësore po e monitorojnë situatën, Goranci paralajmëron se përhapja mund të vazhdojë përderisa ka fëmijë të pavaksinuar.

Komunat ku më së shumti janë regjistruar raste të infketimit me fruth janë Prishtinë, Fushë-Kosova, Ferizaj dhe Kaçaniku.

Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.

Autore: Flaka Zogu | Realizimi teknik: Rrahman Osmani
  • 16x9 Image

    Flaka Zogu

    Producente për multimedia e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG