Ndërlidhjet

Politika ka vënë “duart mbi drejtësinë”


Ilustrim

Sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik, ndikim ky që po rrezikon funksionimin e shtetit ligjor, thonë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të shoqërisë civile që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë.

Afera për rastin e njohur si ‘Pronto’ dhe rasti i fundit i dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj janë vetëm dy nga rastet që, sipas tyre, tregojnë ndikimin politik mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale Ndërkombëtare në një bisedë për Radion Evropa e Lirë e quan të rrezikshme për vendin, ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë.

“Ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë në Kosovës është evident, por paksa perfid, pak i fshehur, por si i tillë është evident për shkak se kemi vërejtur edhe në aferën “Pronto” dhe shumë afera tjera. Udhëheqësit politikë apo partitë politike kanë qenë shumë të interesuara që të emërojnë njerëz të afërt të tyre në sistemin e drejtësisë. Ky është ndikim i politikës që po rrezikon autonominë, pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, thotë Salihu.

Rasti i fundit i dorëheqjes së prokurorit Blakaj, i cili ishte duke hetuar rastet e cilësuara si të ndjeshme, sidomos ato që ndërlidhen me dyshimet për manipulimet me lista të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ngriti shqetësime të mëdha në vend.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Greg Delawie, e kishte quajtur ditë të pikëlluar për sundimin e ligjit në Kosovë dhe dekurajuese dorëheqjen e prokurorit Blakaj. Lidhur me rastin Blakaj ka pasur reagime edhe nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, një ditë më parë, qindra qytetarë kanë protestuar dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pas pretendimeve se Lumezi ka ndërhyrë në hetimet e zhvilluara nga ish-prokurori Elez Blakaj.

Kërkohet dorëheqja e Lumezit
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:30 0:00

Ndikimi i politikës në sistemin e drejtësisë, shton profesor Salihu po krijon probleme të mëdha në funksionimin e shtetit ligjor.

“Një ndër postulatet themelore të funksionimit të shtetit ligjor në kuadër të së cilit shtyllë kryesore është sistemi i drejtësisë është që sistemi i drejtësisë, Gjyqësia, Prokuroria dhe Policia të jenë jashtë politikës, të mos ndikohen nga politika. Përndryshe nëse është e pranishme politika, sidomos politika ditore, atëherë cenohet rëndë sistemi i drejtësisë dhe si konsekuencë e kësaj, janë pasojat jashtëzakonisht të rënda në radhë të parë të lirisë dhe të drejtave të njeriut, për sigurinë e qytetarëve, për jetën e njeriut, për të drejtat elementare të qytetarëve dhe të tërë kombit”, thekson Salihu.

Në anën tjetër, Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut ky që monitoron punën e sistemit të drejtësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika është e pranishme pothuajse në të gjitha pozitat kyçe në sistemin e drejtësisë.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi bazuar në monitorimin sistematik që bën, vazhdimisht ka ngritur shqetësimet për ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë, shqetësime këto të cilat janë adresuar edhe në Raportin e progresit të Komisionit Evropian dhe po ashtu edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit”.

“Politika është prezente pothuajse në të gjitha pozitat kyçe në sistemin e drejtësisë dhe përmes emërimit të tyre, bën që në raste të caktuar sikur që e shpërfaqi prokurori Elez Blakaj të ndërhyjë në mënyrë shumë konkrete, për të iniciuar dhe për t’i mbyllur rastet të cilat procedohen”, thotë Musliu.

Kjo ndërhyrje e politikës në sistemin e drejtësisë, shton Musliu, po bëhet për shkak të interesave të personave të caktuar të politikës dhe për shkak të ndikimit që e kanë krijuar e që dëshirojnë ta mbajnë.

“E vetmja mënyrë për ta mbajtur këtë ndikim është që të kenë policë prokurorë dhe gjykatës të emëruar në stilin e aferës ‘Pronto’, të cilët mund t’i mbrojnë dhe amnistojnë nga çdo ndjekje apo gjykim që mund t'iu bëhet atyre”, thekson Musliu.

Situata në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë në Kosovë, shprehet Musliu, është pothuajse e pashpresë. Sipas tij, tani për tani mund të bëhet një ndryshim i pritur vetëm përmes një procesi të Vettingut, i cili duhet ta përfshijë në detaje Policinë, Prokurorinë dhe Gjyqësorin.

Institucionet e Kosovës, sidomos ato të sundimit të ligjit, janë ndihmuar në dhjetë vjetët e fundit edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX.

Por, sipas vlerësimeve të bëra, po nga organizatat joqeveritare, edhe ky mision nuk i kishte përmbushur pritjet, sidomos kur bëhet fjalë për rastet e cilësuara të ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të nivelit të lartë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG