Ndërlidhjet

Politikat krye më vete të zëvendësministrave të Jashtëm


Mbledhja e qeverisë me zëvendësministrat, foto nga arkivi

Deklaratat kundërthënëse të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës dhe me raste edhe fyese, shpërfaqin moskoordinimin e këtij dikasteri qeveritar, por edhe nxitë hutinë në opinion, vlerësojnë përfaqësues dhe ish-përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Muaj më parë, zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, ishte cituar nga mediat në Kosovë të ketë thënë se mosnjohja e Kosovës nga disa vende të caktuara nuk çon peshë. Kjo ishte nxitur reagime në opinion.

Së fundmi, zëvendësministri tjetër i Jashtëm, Gjergj Dedaj, përmes rrjetit social Facebook, kishte shkruar një deklaratë, e cila është konsideruar fyese për komunitetin turk dhe serb në Kosovë. Për më tepër edhe Qeveria e Kosovës është distancuar nga deklarata e Dedajt , duke e quajtur fyese dhe të papranueshme.

Deputeti Dukagjin Gorani, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, thotë për Radion Evropa e Lirë, deklaratat e zëvendësministrave të Jashtëm të vendit, janë të pamatura dhe e rëndojnë situatën e politikës së jashtme të Kosovës.

“Deklarimet pamatura, çfarë ishte ajo e pardjeshme e zëvendësministrit Gjergj Dedaj, nuk i ndihmojnë situatës edhe ashtu të rëndë që e ka politika e jonë e jashtme ose së paku imazhi i jashtëm i Kosovës, i cili nëpër shumë nivele duket të jetë edhe i paarsyetuar. Mirëpo, e vërteta faktike është që zëvendësministrat në Kosovë nuk çojnë fare peshë. Prej raporteve të deritashme të punës së zëvendësministrave, të cilat kanë qenë edhe objekt i talljes publike, shihet që posti i zëvendësministrit shërben për rehati dhe për punësime brendapartiake, e jo aq shumë edhe për realizimin e ndonjë pune kuptimplote”, tha Gorani.

Pavarësisht se si vlerësohet pozita e zëvendësministrave në Kosovë, e sidomos të dikasterit të Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj, ish-zëvendësministër i Jashtëm në mandatin e kaluar qeverisës, thotë për Radion Evropa e Lirë se objektivat e politikës së jashtme nuk duhet lejuar të dëmtohen nga fragmentarizmi brenda për brenda institucioneve të qeverisjes, e sidomos me deklarata publike.

“Është e vërtetë që gjatë vitit të fundit ne kemi parë kolizion të qëndrimeve dhe të objektivave, duke filluar nga deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme, por edhe të zëvendësministrave, të cilat pastaj na kanë shkaktuar konfuzion neve, këtu brenda dhe sidomos, shkaktojnë konfuzion të qëndrimeve në botën e jashtme. Kjo, për ne, si shtet i Kosovës, është një pikë e dobët, e cila më pas mund të konvertohet në disavantazhe gjatë bërjes politikë të jashtme”, theksoi Murtezaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë mbledhjes së Qeverisë, ditën e martë, e ka quajtur të papranueshme gjuhën e përdorur nga zëvendësministri Dedaj.

“Të gjithë ne i obligohemi një disipline, një etike në deklarimet publike. Gjuha që e fyen ose nxitë urrejtje, që ofendon apo lëndon vende dhe popuj, është e papranueshme prej Qeverisë dhe prej zyrtarëve të saj. Në këtë rast u apeloj të gjithë ministrave dhe zyrtarëve tjerë që të kenë kujdes”, ka thënë Haradinaj.

Por, deputeti Gorani thekson që situata e kohëve të fundit brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, e shton edhe më shumë hutinë, që sipas tij, ekziston brenda vet Qeverisë, për faktin se siç thotë ai, tashmë ekzistojnë mosmarrëveshjet dhe mungesa e koordinimit ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Në Ministrinë e Jashtme duket se ka probleme edhe më të thella se sa vetëm ato teknike dhe administrative. Duket se ka mospajtime edhe politike, si dhe përpjekje që të krijohen rokada të ndryshme të kuadrove, ku një ose një pjesë e zëvendësministrave të barten nëpër postet tjera, duke mos pasur për atë punë as mbulesë dhe as ekspertize madje as autorizim. Krejt kjo e shkakton edhe një huti, meqenëse këto lëvizje reflektohen edhe brenda anëtarëve të Komisionit, të cilët po ashtu u takojë partive të caktuara e sidomos atyre të pushtetit”, u shpreh Gorani.

Ndërkaq, Murtezi vlerëson se deklaratat e pamatura, sikurse ato të zëvendësministrave të Jashtëm, mund të krijojnë situata delikate dhe të dëmshme për Kosovën.

“Faktorët ndërkombëtarë dhe institucionet ndërkombëtare janë në konfuzion me qëndrimet e institucioneve të Kosovës, lidhur me çështjet e ndryshme, për shkak të deklaratave kundërthënëse se apo që përplasen njëra me tjetrën ndërmjet zyrtarëve të së njëjtës Qeveri”, tha Murtazaj.

Sidoqoftë, deputetët që përfaqësojnë komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, kanë kërkuar nga kryeministri Haradinaj që ta shkarkojë zëvendësministrin Dedaj, për shkak të deklaratës së tij, të cilën ata e konsiderojnë fyese për komunitetin e tyre.

XS
SM
MD
LG