Ndërlidhjet

Presidenti nuk e dekreton Radomir Labanin


Presidenti Hashim Thaçi
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk do ta dekretojë Radomir Labanin për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Zyra për informim e Presidencës ka thënë për Radio Evropa e Lirë se dekretimi nuk do të ndodhë deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë.

“Mund ta konfirmojmë se për shkak të dyshimeve të ngritura për te kaluarën e z.Laban, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij, derisa organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Institucionet në Serbi thonë se Radomir Laban është në arrati që nga viti 2011.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Kralevë, Aco Millojeviç tha për Radion Evropa e Lirë se “me aktgjykimin e departamentit të posaçëm të Gjykatës së Lartë në Beograd të datës 29 janar 2011, e cila është ndryshuar me aktgjykimin e Gjykatë së Apelit më 4 qershor 2011, Radomir Laban u shpall fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai u dënua me gjashtë vjet burgim. Koha të cilën e ka kaluar Laban në paraburgim, që nga 28 nëntori 2006 e deri më 3 prill 2009 do t’i llogaritet”.

Millojeviç shtoi se kanë marrë informacion nga policia se Laban kishte lënë familjen e tij dhe se gjendej në territorin e Kosovës.

“Kemi marrë njoftim nga policia se Laban ka lënë familjen e tij dhe se gjendet në territorin e Kosovës, në Skivjan të komunës së Gjakovës.”, tha Millojeviç.

Ai tha se pas mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm nga Ministria e Drejtësisë dhe Administrata Shtetërore e Serbisë se Gjykata ka iniciuar një urdhërarrest ndërkombëtar në Interpol për Radomir Laban.

Gjykata në Kralevë, bënë të ditur se këtë rast e ka adresuar edhe në misionin e EULEX-it në Prishtinë. Megjithatë kjo gjykatë thotë se nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

“Kemi konfirmimin se EULEX-i e ka pranuar kërkesën tonë. Gjithashtu, ne kemi kërkuar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për zyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së në Prishtinë, me kërkesë që të marrin të gjitha masat brenda juridiksionit të tyre dhe të dorëzojnë Labanin te autoritetet e policisë së Serbisë në mënyrë që ai të kryej dënimin e tij“, shtoi Millojeviç.

Përkundër kësaj, misioni i EULEX-it i tha të mërkurën Radios Evropa e Lirë se ka njoftuar këtë gjykatë se e ka të pamundur të merret me këtë kërkesë për shkak të mandatit që ka.

Përndryshe, Laban u dënua si pjesë e të ashtuquajturës mafia e doganave, një grup i përbërë nga gjashtë persona të dyshuar për ryshfet, shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG