Ndërlidhjet

Putin: Mbështesim arritjen e një marrëveshjeje Prishtinë-Beograd


Vizita e presidentit rus në Serbi
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Vizita e presidentit rus në Serbi

“Rusia pajtohet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje të pranueshme reciproke në përputhje me rezolutën 1244”, tha presidenti rus Vladimir Putin në Beograd.

Ai tha se autoritetet në Prishtinë morën disa hapa së fundi, siç është formimi i Ushtrisë së Kosovës, e cila, siç tha, është shkelje e Rezolutës 1244.

“Rusia ndan shqetësimin me udhëheqjen dhe popullin serb se këto veprime të papërgjegjshme mund ta destabilizojnë Ballkanin”, shtoi Putin.

Duke përsëritur se ai nuk e sheh një zgjidhje të afërt në perspektivë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se për çdo zgjidhje do të konsultohet me Putinin.

Deklaratat e Putinit dhe Vuçiqit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

“Serbia është gjithmonë e gatshme për negociata dhe kompromis, por nuk pajtohet me poshtërimin” tha presidenti Vuçiq. Të njëjtin qëndrim ai tha se ia ka shprehur edhe homologut të tij rus kur kanë biseduar për Kosovën.

Ai tha se e ka njoftuar presidentin rus me gjithë atë çfarë po ndodh në Kosovë, për siç tha “tarifën ndaj mallrave nga Serbia të vendosur nga ana e Prishtinës dhe formimin e Ushtrisë së Kosovës në kundërshtim me Rezolutën 1244”.

“Morëm mbështetje të konsiderueshme nga Putini”, tha Vuçiq.

Presidenti i Rusisë udheheq vizitën e një delegacion të lartë shtetëror rus në Serbi.

Më të arritur në Beograd, Putin është pritur në aeroportin “Nikola Tesla” nga ana e presidentit Vuçiq.

“Shpresoj se këtu do të ndiheni si në shtëpinë tuaj”, i tha presidenti serb homologut të tij rus, në fillim të pritjes shtetërore.

Vuçiq e falënderoi Putinin për “mundin, kohën, respektin dhe dashurinë në zhvillimin e raporteve serbo-ruse”. Ai, gjithashtu, e falënderoi Putinin për mbështetjen në mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë.

"Rusia gjithmonë mund të llogarisë se e ka një aleat në Serbi”, tha Vuçiq.

Ndërkaq, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në fillim të takimit tha se “jam shumë i lumtur që kam rastin të vizitoj Serbinë miqësore, vëllazërore dhe të flas për bashkëpunimin ".

Paraprakisht të dy presidentët kanë vendosur kurora në memorialin "Varrezat e Çlirimtarëve" në Beograd.

Shkëmbimi i dokumenteve dypalëshe të nënshkruara u mbajt në prani të dy krerëve të shtetit dhe më pas edhe ceremonia e dekorimit me Urdhrin e “Aleksandër Nevski” të Presidentit të Serbisë nga ana e Vladimir Putinit.

Para rreth 100 mijë qytetarëve të mbledhur para Kishës së "Shën Savës" në Beograd, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin iu drejtua masës me fjalët “Faleminderit për miqësinë”.

Kjo vizitë e Putinit nga ana e Serbisë, por edhe disa qarqeve ndërkombëtare, është parë si një vizitë e rëndësishme politike në një kohë kur ekziston një mundësi në rritje e angazhimit të drejtpërdrejtë të fuqive kryesore në botë për zgjidhjen e çështjes së raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Para disa ditësh, Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke destabilizuar Ballkanin duke treguar “rol dominues” në këtë rajon, kanë raportuar gazetat serbe.

Putin i ka bërë këto komente për gazetat serbe, “Veçernje Novosti” dhe “Politika”, të publikuara më 15 janar. Komentet e presidentit rus janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Kremlinit.

Expose: Cari post-sovjetik, Rusia dhe Perëndimi

Në deklaratat e tij është theksuar edhe njëherë lidhja e ngushtë historike e Moskës me Serbinë, si dhe paralajmërimi për ndikimin perëndimor.

Komentet e tij kanë qenë edhe në kundërshtim me paralajmërimet nga Uashingtoni dhe nga disa vende evropiane që janë të shqetësuara për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin, duke përfshirë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë.

Në këto intervista, Putin ka rikujtuar edhe bombardimet e NATO-s në Serbi më 1999 gjatë luftës në Kosovë, si dhe pavarësinë e Kosovës.

“Për aq kohë sa situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominues, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit”, është cituar të ketë thënë Putin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG