Ndërlidhjet

Pritje të gjata për dokumente: Qytetarët kërcënojnë me padi


Pasaporta e re me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e vjetër me emrin Republika e Maqedonisë. Gusht, 2023.
Pasaporta e re me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e vjetër me emrin Republika e Maqedonisë. Gusht, 2023.

“Ndihem sikur jam bllokuar në një burg të madh, në shtetin që jetoj”, thotë për Radion Evropa e Lirë Milla Tuceviq, e cila u kthye e zhgënjyer të premten në orët e hershme të mëngjesit nga përgjigja që mori në sportelin për marrjen e të dhënave për nxjerrjen e dokumenteve të reja personale në Shkup.

“Pse të mos mund të shkoj ta shoh motrën dhe familjarët e mi që ndodhen në Sarajevë?! Kjo nuk është e drejtë, megjithëse vetëm para dy vjetësh nxora pasaportën dhe afati i saj nuk ka skaduar. Kjo aspak nuk është në rregull ndërkohë që motra është e sëmurë dhe nuk mund t’i gjendem pranë në këto ditë të vështira”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, Emilija Nastevska thotë se nuk mund të kthehet në Kanada te fëmijët, pasi nuk arrin të marrë pasaportën, megjithëse është fotografuar në fillim të janarit.

Madje, ajo thotë se do të bëjë padi ndaj shtetit.

“Të drejtat e qytetarët janë shkelur, me këtë që pamundësohet lëvizja e lirë. E di se padia ndaj shtetit do të jetë proces i vështirë, por nëse paraqitet një iniciativë ku do të mblidhen më shumë qytetarë që do ta padisin shtetin, do t’i bashkohem asaj nisme... Askush nuk ka të drejtë të ma ndalojë të lëviz jashtë shtetit për fajin e shtetit që nuk është në gjendje t’i pajisë me kohë qytetarët e saj me dokumente udhëtimi”, thotë Emilija Nastevska.

Ndërsa, Bujar Ramadani, i cili është me punë të përkohshme në Gjermani thotë se ka rrezik ta humbasë punën pasi ka marrë leje për dy javë për të ardhur në Shkup që të pajiset me dokumentet e reja. Mirëpo, këtë nuk arrin ta bëjë as me procedurë të shpejtuar, edhe pse thotë se ka paguar trefishin e taksës për nxjerrjen e pasaportës së re.

“Unë pres por puna nuk pret. Çdo ditë më thonë nuk është gati hajde nesër… ndërkohë që punëdhënësi më dha vetëm dy javë pushim”, thekson Bujar Ramadani.


Qytetarët janë të revoltuar se Maqedonia e Veriut, edhe pse ka marrë obligim që t’i ndryshojë dokumentet e udhëtimit, edhe pas vitit 2019 ka vazhduar të lëshojë dokumente personale ku nuk figuron emri i ri “Maqedonia e Veriut”. Kështu, ata kanë dokumente të cilave nuk u ka skaduar afati, por ato në bazë të Marrëveshjes së Prespës nuk janë të vlefshme pas 12 shkurtit.

Autoritetet zotohen se do t’i përforcojnë kapacitetet për të ndarë më shumë dokumente të reja.

Shoqata e Avokatëve të Rinj thotë se qytetarët që mendojnë se janë dëmtuar apo se u janë shkelur të drejtat personale, do të duhet të dëshmojnë se shteti ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke lëshuar dokumente personale me emrin e vjetër të shtetit, megjithëse që nga janari 2019 janë bërë ndryshimet kushtetuese, me këtë është ndryshuar dhe emri i shtetit.

“Këta shtetas në praktikë mund të përballen me sfidë në vërtetimin e kësaj rrethane. Ligji kushtetues i janarit 2019 parashikon detyrimin e shtetit për të ‘harmonizuar’ dokumentet me emrin e ri, duke mos parashikuar një datë të qartë deri në të cilën mund të lëshohen dokumentet personale me emrin vjetër të shtetit. Sfidë mbetet dhe dëshmimi i kufizimit të lëvizjes së lirë. Prandaj, qytetarët, edhe pse ligjërisht mund të kërkonin përgjegjësi nga shteti, në praktikë do të përballeshin me probleme dhe përfundim të pasigurt të procedurës”, thotë për Radion Evropa e Lirë nga Shoqata e Juristëve të Rinj.

Nga ana tjetër, Margarita Caca-Nikollovska, ish-gjykatëse në Strasburg, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut si shtet ka marrë përgjegjësinë pesë vjet më herët të ndryshojë dokumentet personale të qytetarëve të saj dhe në këtë drejtim të paktën ka përgjegjësi në aspektin organizativ të pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja.

“Pse nuk ofroi mekanizmat për nxjerrjen e dokumenteve me emrin e ri, kur kishte detyrim ta bënte këtë? A i lëshon ai dokumentet e përfunduara brenda afatit ligjor? Këto janë pyetjet kryesore, për të cilat nuk ka përgjigje adekuate. Ai që mund të veprojë në një padi duhet t'i ketë parasysh këto elemente”, thotë ajo.

Edhe nga Komiteti i Helsinkit kanë theksuar se një milion qytetarë të Maqedonisë së Veriut, për shkak të mospajisjes me dokumente të reja personale me emrin e ri të shtetit, Maqedonia e Veriut, nuk do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe themelore njerëzore për lëvizjen e lirë.

“Disa janë bllokuar në vendin e tyre dhe të tjerët nuk do të mund të kthehen. Një çorganizim i tillë prek mijëra bashkëqytetarë tanë dhe çon në shkelje elementare të të drejtave të qytetarëve, të cilët për arsye të ndryshme duhet të largohen nga kufijtë e shtetit. Procedurat për nxjerrjen e dokumenteve personale në këtë moment janë të gjata, kaotike dhe përveç cenimit të dinjitetit, shkaktojnë dëme reale të natyrës materiale dhe jo materiale”, theksohet në reagimin e Komitetit të Helsinkit në Shkup.

Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar më 17 korrik të vitit 2018 ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Në bazë të Marrëveshjes së Prespës, dokumentet personale duhet të ndërrohen në përputhje me emrin e ri të shtetit brenda pesë vjetëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, përkatësisht deri më 12 shkurt të vitit 2024.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG