Ndërlidhjet

Privatizimi i Telekomit, në 'kohë të gabuar'


Foto nga arkivi

Telekomi i Kosovës pritet t’i nënshtrohet privatizimit. Vite më parë, privatizimi i Telekomit kishte dështuar në dy raste.

Edhe tani, inicimi i procedurave të privatizimit të Telekomit të Kosovës nga ekspertë të çështjeve ekonomike po konsiderohet se po bëhet në një kohë të gabuar për shkak të gjendjes financiare dhe performancës së dobët që aktualisht ka kjo kompani publike. Kundër privatizimit të Telekomit të Kosovës janë edhe përfaqësues të punëtorëve.

Qeveria e Kosovës, në janar të këtij viti, pati marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, ndërsa ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë kësaj jave ka nisur takimet me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Ministri Lluka ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizojë pjesën vendimmarrëse të Telekomit, rreth 51 për qind, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë krizë financiare në të cilën gjendet Telekomi i Kosovës, vendimi për privatizimin është i gabuar.

“Inicimi i procedurave të privatizimit në kohën kur Telekomi i Kosovës është i kolapsuar financiarisht, mendoj se është vendim i gabuar për faktin se në gjendjen në të cilën është Telekomi, aktualisht nuk është inkurajues për investitorët seriozë që të vijnë të investojnë në Kosovë. Po ashtu edhe fakti tjetër, meqenëse Kosova ndodhet me një Qeveri në dorëheqje, asnjë partner serioz ndërkombëtare nuk është i interesuar që të bëjë ndonjë marrëveshje kontraktuale me një Qeveri apo Kuvend në dorëheqje”, tha Gashi.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare për shkak të borxheve të shumta të akumuluara. Njëri prej tyre kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove ndaj operatorit telefonik, Z-Mobile.

Privatizimi i Telekomit të Kosovës në gjendjen financiare në të cilën gjendet është kundërshtuar edhe nga Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Lamih Balaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se fillimisht para se të diskutohet privatizimi i kompanisë duhet dhënë përgjegjësi personat të cilët e kanë sjell në këtë gjendje këtë kompani.

Sipas tij, tani për sindikatën është i mbyllur kapitulli i privatizimit.

“Privatizimi nuk duhet të ndodhë për shkak se nuk mund të amnistohet krimi që i është bërë Telekomit të Kosovës. Duhet të bëhen investime, duhet të ngritet vlera e Telekomit e ndoshta në një kohë më të largët mund të diskutohet edhe nga Qeveria së bashku me ne që një pjesë të aseteve të privatizohen”, ka thënë Balaj.

Kurse, Naim Gashi, në anën tjetër, thekson se Telekomi i Kosovës ka nevojë për investime të jashtme dhe privatizim, por paraprakisht duhet të bëhet fshirja e borxheve, nxjerrja nga kolapsi financiar dhe llogaridhënie e gjithë atyre që e kanë sjell në këtë gjendje Telekomin.

“Pasi që të përmirësimit financiarisht edhe likuiditetit financiar, por edhe qëndrueshmëria në treg atëherë do të inkurajohen investitorët e jashtëm për shitjen e pjesshme të aksioneve të Telekomit të Kosovës”, thotë Gashi.

Telekomi i Kosovës i ishte nënshtruar dy herë procesit të privatizimit mirëpo asnjëri proces nuk është finalizuar me sukses.

Në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG