Ndërlidhjet

Pas shkëputjes nga Z-Mobile, Telekomi i Kosovës synon rimëkëmbjen


Telekomi i Kosovës po shpreson se me shkëputjen e kontratës me Dardafon, në kuadër të së cilit është edhe shërbimi telefonik i njohur me emrin Z-Mobile, do të rriten të hyrat e kësaj kompanie publike.

Por, Telekomit, i mbetet t’i përfundojë tani edhe procedurat tjera gjyqësore me kompaninë Z-Mobile, si dhe t’ia paguajë borxhin prej 25 milionë euro. Sipas zyrtarëve të Qeverisë në dorëheqje të Kosovës, Telekomi, megjithatë, ka mundësi që të shlyej këtë borxh dhe të nis rimëkëmbjen.

Të martën, Telekomi i Kosovës ka shkëputur kontratën me kompaninë Z-Mobile, të cilën e kishte vlerësuar si shumë të dëmshme. Kjo kontratë ishte nënshkruar para 10 vjetësh. Por, deri te shkëputja erdhi pasi që Telekomi ishte vënë para një krize serioze financiare, kurse punonjësit kishin hyrë në grevë me kërkesën që kontrata me Z-Mobile të mos vazhdohej.

Në një komunikatë për media kompania Z- Mobile ka bërë të ditur se vazhdimi i kësaj kontrate ka qenë në dobi të Telekomit, të konsumatorëve të Kosovës dhe zhvillimit të një tregu cilësor dhe konkurrent. Sipas kësaj kompanie, veprimet e Telekomit të Kosovës nuk i sjellin asnjë dobi as Telekomit as tregut të telekomunikacionit.

Sa i përket numrave që konsumatorët kanë me Z-Mobile, kjo kompani thekson se do të bëjë zgjidhje për konsumatorët e saj, duke shfrytëzuar deri në fund të gjitha mundësitë ligjore.

“Nga deklarimet, kemi vërejtur se Telekomi synon ta bëjë edhe një veprim tjetër kundërligjor, marrjen e numrave dhe konsumatorëve të Z-Mobile, duke e quajtur “periudhë tranzicioni”. Kjo është shumë e çuditshme, për shkak se edhe Telekomi e di se numrat e Z-Mobile janë pronë e kësaj kompanie dhe ato nuk mund të konfiskohen nga ndonjë kompani tjetër, as publike as private. Veprimet e tilla eventuale janë arbitrare dhe do te kenë konsekuenca juridike”, thuhet në komunikatën e kompanisë Z- Mobile.

VIDEO: Greva e punëtorëve të Telekomit

Në anën tjetër, ministri në dorëheqje i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas shkëputjes së kësaj kontrate, Telekomi i Kosovës mund të bëhet mjaft atraktiv dhe fitimprurës. Sipas tij, pas këtij vendimi të hyrat për Telekomin mund të rriten deri në 20 për qind.

Lluka ka folur edhe për borxhin që Telekomi ka ndaj kompanisë Z-Mobile. Ai ka treguar se Telekomi ka qenë i gatshëm të paguajë këtë borxh në këste nga 300 mijë euro në muaj, duke filluar nga muaji shtator deri në përfundim të borxhit. Por, sipas tij, përfaqësuesit e Z-Mobile nuk kanë pranuar një ofertë të tillë.

“Z-Mobile e ka kundërshtuar këtë ofertë duke kërkuar që borxhi i përgjithshëm të paguhet brenda gjashtë muajve, me këste të barabarta në muaj, prej 4 deri në 5 milionë euro. Kjo ishte një masë jashtëzakonisht ekstreme për Telekomin, duke e ditur gjendjen financiare. Kështu që Z-Mobile vendosi që lëndën të dërgojë te përmbaruesi. Normalisht që Telekomi e ka zmbrapsur vendimin e përmbaruesit dhe tani rasti është në gjykatë që mund të merr kohë, ndoshta edhe disa vjet për të ardhur deri te një përfundim final se si do të paguhet ky borxh”, tha Lluka.

“Por, sido që të jetë, derisa të merret një vendim nga gjykata, mendoj që Telekomi do të ketë hapësirë pa pengesë për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë një kompani profitabile dhe do të jetë në gjendje të përballojë çfarëdo vendimi”, tha Lluka.

Edhe ekspertë të fushës së ekonomisë konsiderojnë se mundësitë për zhvillim të Telekomit tashmë ekzistojnë, por që sipas tyre, nevojiten investime në mënyrë që të përmirësohet pozita konkurruese në treg.

Muhamet Sadiku, ekspert për çështje ekonomike, pohon se kusht kryesor për rikthimin e Telekomit në fushën e telekomunikimeve është përmirësimi i menaxhimit.

“Telekomi nuk mund të qeveriset më me strukturat politike, si në aspektin e menaxhmentit edhe në aspektin e Këshillit Drejtues. Pra, mund të ketë rrugëdalje, por çelësi i rrugëdaljes mbetet përmirësimi i qeverisjes dhe jo orientimi i aktiviteteve që në të ardhmen Posta dhe Telekomi i Kosovës të privatizohen me çmim të lirë”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, ministri në dorëheqje, Valdrin Lluka tha se Z-Mobile posedon rreth 300 mijë numra dhe në një periudhë prej 30 deri në 120 ditë do të transferohen tek operatori Vala.

“Numri 045 që fillon me 5 dhe 6 dhe numri 046 që fillon me 1 i takojnë Z-Mobile. Pra, janë këta 300 mijë numra që Z-Mobile i ka në shfrytëzim. Prandaj, numri nuk ka nevojë të ndryshohet, por sim-kartela duhet të ndryshohet. Kështu që klientët e Z-Mobile, brenda 120 ditësh do të ftohen që të ndërrojnë sim-kartelën me numër të valës”, thekson Lluka.

Për shkëputjen e kontratës ndërmjet operatorit të Telekomit të Kosovës dhe operatorit Dardafon.net zyrtarisht është njoftuar edhe Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), thuhet në një komunikatë për media të ARKEP-it.

Në komunikatë thuhet se “Telekomi i Kosovës është zotuar se në pajtim me kushtet kontraktuale komerciale do të aplikojë një periudhë tranzitore në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve për mosndërprerje të shërbimit” .

“ARKEP është duke analizuar situatën e krijuar dhe në pajtueshmëri me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi do të ndërmarrë veprime rregullative nëse një gjë e tillë është e nevojshme në ditët në vijim, pas sqarimeve të pranuara nga palët në proces”, thuhet në komunikatë.

Video nga arkivi: A po falimenton Telekomi i Kosovës?

Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me kontratën e shkëputur.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Ndërkohë, për dëmin e shkaktuar ndaj kompanisë Z-Mobile, Telekomi i Kosovës obligohej t’i lëshonte numeracion shtesë Z-Mobile, t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G dhe të paguante një gjobë prej mbi 25 milionë euro në emër të shpagimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së arbitrazhit.

Pas shkëputjes së kontratës me Z-Mobile, tani Telekomin e Kosovës e pret edhe një fazë tjetër, ajo e privatizimit.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, por fillimisht duhet të hyjë në fazën e ristrukturimit. Në fillim të vitit të ardhshëm pritet që të fillojë edhe zyrtarisht privatizimi i Telekomit të Kosovës që dikur ka qenë ndër kompanitë më profitabile në tregun e telekomunikacionit.

XS
SM
MD
LG