Ndërlidhjet

Përmendoret dhe nacionalizmi e fusin projektin “Shkupi 2014” në rishqyrtim


Shkup

Projekti “Shkupi 2014” pritet t’i nënshtrohet rishikimit për shkak të konceptit të gabuar që ka.

Ekspertët thonë se nuk paraqesin problem vetëm një pjesë e përmendoreve apo fasadat e stilit antik në bazë të projektit “Shkupi 2014”, por i gjithë projekti si tërësi ka bërë që Shkupi të ketë një reflektim që s`ka të bëj me realitetin e qytetarëve që jetojnë në këtë qytet.

Këto komente vijnë pas vendimit të Ministrisë së Kulturës për të reviduar projektin “Shkupin 2014 “.

Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni thonë se nëse Maqedonia si shtet në formë adekuate nuk reagon ndaj projektit njëetnik siç është “Shkupi 2014”, atëherë kjo çon kah ndarjet.

Projekti Shkupi 2014 në esencë ka konceptin që të ketë ekskluzivitetin e nacionalizmit maqedonas kundrejt popullatës tjetër, përkatësisht asaj shqiptare”.

“Duhet pasur të qartë se projekti ‘Shkupi 2014’, nuk është vetëm sheshi, por i gjithë qyteti. Ai përfshinë si infrastrukturën ashtu edhe aspektet e tjera të zhvillimit urban dhe zhvillimeve të tjera kundrejt getoizimit të pjesës ku jetojnë qytetarët e një përkatësie tjetër fetare dhe kombëtare, siç janë shqiptarët”, thotë Asani.

Për të larguar “këtë kancer dhe jo virus, siç e quan Ministri i Kulturës”, thotë ai, nuk mjafton vetëm largimi i një pjese të përmendoreve apo fasadave, por duhet të bëhet baraspesha ekonomike, baraspesha urbanistike si dhe barazia e reflektimit kulturor në të gjitha pjesët e qytetit të Shkupit.

Në të kundërtën, sipas Asanit, Ministria e Kulturës dhe Qeveria në tërësi vetëm se do t’i përshtaten këtij projekti i cili është në përfundim.

Ndërkohë ministri i Kulturës në Qeverinë e Maqedonisë, Robert Allagjozevski gjatë prezantimit të punës në 100 ditët e para të dikasterit që drejton, tha se projekti “Shkupi 2014” është një virus i cili duhet të trajtohet në karantinë.

Projektin ‘Shkupi 2014’ e cilësojmë si një virus i cili së pari duhet të vihet në karantinë, ta trajtojmë në mënyrë të izoluar derisa të marrim një vendim se çfarë do të bëjmë më tutje”.

Grupi i punës për projektin ‘Shkupi 2014’, në fund vendosi që t’i qasemi problemit me faza, gjegjësisht t’u jepet prioritet atyre objekteve të cilat janë më kontestuese, si përmendorja e ‘Andon Qosetos’ si dhe projektet të cilat janë në faza të ndryshme të ndërtimit, të cilat paraqesin komplikime të ndryshme dhe dëmtojnë buxhetin e shtetit”, ka theksuar ministri Robert Allagjozevski.

Ndërkaq, ish- kryetarja e Asociacionit të Arkitektëve të Shkupit, Danica Pavllovska thotë se nuk mjafton vetëm analizimi dhe revidimi i projektit, por ky projekt sa më parë duhet të futet në moratorium dhe të stopohen të gjitha aktivitet që ndërlidhen me përfundimin e punimeve rreth tij.

Mendoj se nevojitet që të ndërpriten të gjitha aktivitet rreth projektit ‘Shkupi 2014’, përkatësisht që ky projekt të futet në moratorium. Ndërkohë, në Kuvend duhet të miratohet një ligj i cili në vete do të ngërthejë analizën dhe reagimin ndaj të gjitha anomalive që i ka sjellë Shkupit ky projekt”, thekson Pavllovska.

Nga ana tjetër, Skender Asani thotë se ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, në kuadër të grupit të punës i cili është i angazhuar të përpilojë një analizë për realizimet dhe pasojat projektit “Shkupi 2014”, duhet që patjetër të angazhojë dhe ekspertë shqiptarë.

E shoh si veprim shumë të gabueshëm që në kuadër të Komisionit i cili do të duhet të bëj revidimin e projektit ‘Shkupi 2014’, nuk ka asnjë shqiptarë i cili në mënyrë profesionale në të gjitha aspektet e dinë se si frymon qyteti i Shkupit, çfarë projekte janë bërë gjatë historisë dhe synimet e tjera”, thotë Asani.

Përderisa në këtë komision mbeten të anashkaluar shqiptarët, unë nuk jam e bindur se do të gjendet formula adekuate për t`u shënuar nga kanceri i quajtur projekti ‘Shkupi 2014’”, thekson ai.

Ndryshe, për realizimin e projekti “Shkupi 2014”, llogaritet se nga arka e shtetit janë shpenzuar rreth gjysmë miliardë euro në kohën kur Maqedonia po përballet këto vitet e fundit me krizë të rëndë ekonomike.

Projekti në fjalë është kundërshtuar edhe për shkak të karakterit të tij njëetnik.

XS
SM
MD
LG