Projektligj në SHBA për të zbuluar operacionet e fshehta të Rusisë

Një njoftim në një supermarket në Dublin, pas një sulmi kibernetik që preku frigoriferët e supermarketeve në disa vende evropiane.
Një njoftim në një supermarket në Dublin, pas një sulmi kibernetik që preku frigoriferët e supermarketeve në disa vende evropiane.

Tre ligjvënës demokratë amerikanë propozuan një projektligj të ri, i cili do ta detyronte Departamentin amerikan të Shtetit ta informonte rregullisht Kongresin për aktivitetet e luftës hibride dhe operacionet e fshehta që i atribuohen Rusisë.

Projektligji, i njohur si WATCH Russia Act (Ligji për Paralajmërimin e Aleatëve dhe Monitorimin e Veprimeve të Fshehta Armiqësore të Rusisë), vjen në kohën e shqetësimeve në rritje për aktet e sabotimit, sulmet kibernetike dhe operacionet e tjera të fshehta në Evropë.

“Sulmet e Rusisë ndaj aleatëve tanë nuk zhvillohen gjithmonë në forma tradicionale të luftës”, tha kongresisti demokrat, Wesley Bell, më 18 nëntor, kur edhe u bë publik projektligji.

“Ligji WATCH Russia synon të sigurojë që Kongresi t’i njohë këto taktika dhe të jetë në gjendje të reagojë në mënyrë efektive”, shtoi ai.

Çfarë parasheh projektligji?

Projektligji kërkon që sekretari amerikan i Shtetit t’i dorëzojë Kongresit një raport brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe më pas të raportojë çdo tre muaj.

Raportet do të përfshinin sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit, sabotimin e infrastrukturës kritike, ndërhyrjet në zgjedhje, presionin ekonomik, si dhe shkeljet e hapësirës ajrore apo të territorit të vendeve aleate.

Ato do të duhej të përshkruanin aktivitetet e tilla, të identifikonin përgjegjësit, të shpjegonin qëllimet dhe pasojat e tyre, si dhe të dokumentonin masat e ndërmarra nga Uashingtoni, NATO-ja apo shtetet aleate.

Raportet do të ishin publike, por administrata amerikane do të mund të përfshinte edhe shtojca me informacione të klasifikuara.

Sipas Bellit, presidenti rus, Vladimir Putin, po përdor taktika të luftës hibride për të përhapur frikë dhe për të destabilizuar demokracitë evropiane.

Kongresistja Sarah McBride, një nga hartueset e projektligjit, tha se kjo nismë do t’i ndihmonte Shtetet e Bashkuara që t’i identifikonin operacionet e fshehta të Moskës, të cilat po ndryshojnë vazhdimisht, dhe të reagonin ndaj tyre.

Sipas saj, projektligji do të forconte gjithashtu mbikëqyrjen nga Kongresi dhe do të ndihmonte në mbrojtjen e sigurisë kombëtare amerikane.

Evropa u përball së fundmi me një sërë incidentesh, përfshirë edhe sulme kibernetike, që penguan funksionimin e frigoriferëve në supermarketet e disa vendeve, duke rrezikuar prishjen e ushqimeve.

Kush është grupi iranian që lidhet me sulmin kibernetik ndaj frigoriferëve? Kush është grupi iranian që lidhet me sulmin kibernetik ndaj frigoriferëve?

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

Po ashtu, kërcënimet e rreme për bomba shkaktuan anulimin e fluturimeve në disa vende evropiane.

Megjithatë, nuk u vërtetua se Rusia qëndron pas këtyre incidenteve.

Në rastin e sulmeve ndaj frigoriferëve në rreth 700 dyqane në Francë, autoritetet franceze akuzuan më vonë Iranin.

Por, udhëheqës politikë dhe agjenci të inteligjencës në disa vende të tjera evropiane e akuzuan Rusinë për sulme të tjera kibernetike dhe akte sabotimi - akuza që Kremlini i mohoi.

Kërcënim edhe për SHBA-në

Shelby Magid, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës për Euroazinë në Këshillin Atlantik, tha për Radion Evropa e Lirë se projektligji është i rëndësishëm, sepse i trajton operacionet hibride ruse si kërcënim jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara.

“Ky është kërcënim edhe për sigurinë amerikane... Është shqetësim për të gjithë aleatët e NATO-s”, tha Magid.

Duke folur për atë që e cilësoi si shtim të madh të sulmeve ruse në Evropë, ajo tha se Rusia po teston deri ku mund të shkojë me veprimet e saj, pa u përballur me pasoja, ndërkohë që synon të dobësojë edhe mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.

James Batchik, zëvendësdrejtor i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, tha se projektligji do të ndihmonte për të zbuluar përmasat e aktiviteteve të Rusisë kundër aleatëve evropianë.

“Identifikimi dhe monitorimi i sulmeve në ‘zonën gri’ do të mbeten gjithmonë sfidë. Megjithatë, përpjekja për t’i bërë publike veprimet e Rusisë kundër aleatëve tanë evropianë dhe përmasat e tyre, do të ishte një fillim i vlefshëm”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Termi “zonë gri” u referohet veprimeve armiqësore që nuk përbëjnë luftë të hapur, si sulmet kibernetike, sabotimi dhe dezinformimi.

Joshua Huminski, nënkryetar i lartë për siguri kombëtare dhe inteligjencë në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, tha se raportimet e rregullta të Qeverisë do t’i ndihmonin ligjvënësit amerikanë të merrnin vendime më të informuara për ndarjen e fondeve, dhënien e autorizimeve dhe masat politike.

Huminski paralajmëroi, gjithashtu, se jo çdo incident i dyshimtë në Evropë duhet t’i atribuohet automatikisht Rusisë.

“Rusia nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo incidenti”, tha ai.

Ai përmendi edhe një nismë të ngjashme ligjore, të propozuar në fund të vitit të kaluar, të quajtur DISRUPT Act.

Ajo synonte krijimin e grupeve të posaçme qeveritare për të ekspozuar përçarjet mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat bashkëpunojnë mes tyre.

Sipas Huminskit, ajo nismë nuk ka shënuar shumë përparim, por projektligji WATCH Russia tregon se interesi i Kongresit për këtë çështje po rritet.

Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk duhet pritur që projektligji të sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën se si SHBA-ja u përgjigjet operacioneve ruse.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Projektligji i është dërguar Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku duhet të shqyrtohet para se të hidhet në votim.

Nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, ai duhet të marrë edhe miratimin e Senatit, përpara se t’i dërgohet presidentit për nënshkrim.

Por, mbetet e paqartë nëse projektligji do të miratohet, pasi kanë mbetur vetëm disa javë deri në përfundimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kongresit.

Sipas Magidit, edhe nëse projektligji nuk miratohet, vetë propozimi i tij përçon një mesazh politik: ligjvënësit amerikanë po i marrin seriozisht operacionet hibride të Rusisë dhe sigurinë e aleatëve të NATO-s.

Përgatiti: Valona Tela
​
XS
SM
MD
LG