Ndërlidhjet

Projektligjet për tranzicionin e FSK-së në shqyrtim dhe dëgjim publik


Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Foto nga arkivi.
Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Foto nga arkivi.

Tri projektligjet e miratuara në parim për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës pritet t’i nënshtrohen dëgjimit publik dhe rishikimit, para se të shkojnë në Kuvend për miratim përfundimtar.

Dëgjimet publike pritet të organizohen në Prizren dhe në Graçanicë. Bëhet fjalë për Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, atë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka vendosur të formojë grupin punues që do të merret me shqyrtimin e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Deputeti i partisë Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nga shqyrtimet e bëra në ligje, nuk shihet se ka shumë nevojë për ndryshime.

"Para se të punojmë në projektligje do t’i bëjmë dëgjimet publike në Prizren dhe Graçanicë dhe të gjitha inputet apo plotësimet që do të jepen nga shoqëria civile, nga ekspertët, nga vetë qytetarët, pastaj do të fillojë punën grupi punues. Normalisht nëse grupi apo komisioni parasheh që ka nevojë për ndonjë ekspertë, do të ftohen edhe ata nga jashtë që t’i japin inputet e tyre në këto ligje", tha deputeti Shala.

*Video nga arkivi: Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë

Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:59 0:00

Ai tha se formimi i grupeve punuese është një praktikë e zakonshme, pasi aty ka mundësi që partitë politike të japin mendimet apo sugjerimet për nene të caktuara.

"Në çdo ligj formohen grupet punuese për shkak se trajtohen ligjet nen për nen dhe aty shprehen të gjithë përfaqësuesit e partive politike, por edhe sugjerimet që janë diskutuar në parlament. Po ashtu edhe elementet të cilat do të merren nga dëgjimet publike që mund të futen në kuadër të ligjit", tha Shala.

Edhe deputeti opozitar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri, anëtar i komisionit, tha se duke parë rastin që këto ligje janë të veçanta duhet të shikohet mundësia për ndryshimet e mundshme.

"Komisionet janë trupa punues të Kuvendit, por në këtë rast nëse kemi një grup punues, kjo nuk ka asgjë të keqe dhe ndihmon për të parë se çka eventualisht mund të plotësohet apo ndryshohet edhe pse thënë sinqerisht këtu pak ka mundësi, në këto projektligje që të shtojmë. Sido që të jetë, është obligim i yni për të parë se në mes të dy leximeve çka mund të plotësohet", tha Beqiri.

Ai tha po ashtu se në rast se mund të ketë ndonjë ndryshim në këto projektligje ato do të bëhen në koordinim me ekspertët ndërkombëtarë.

"Unë besoj se ka hapësirë për ndonjë ndryshim por nuk janë të mëdha. Këto ndryshime duhet të bëhen në harmoni edhe me ata që janë të rëndësishëm, pra me ekspertët e NATO-s, ekspertë të cilët drejtpërdrejtë nesër mund të kenë ndikimin", tha Beqiri.

Procesi i tranzicionit apo transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një Forcë me kapacitete shtesë drejt formimit të ushtrisë, po përcillet edhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijanciç, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është i interesuar për një proces gjithëpërfshirës në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

"Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës si pjesë integruese e agjendës së Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian ka bërë gjithmonë thirrje për një proces gjithëpërfshirës që çon drejt harmonizimit të legjislacionit në transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke llogaritur interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe partnerëve relevantë, etnive, organizatave", tha Kocijanciç në një përgjigje me shkrim.

Paraprakisht, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se vazhdon të mbështesë “tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së”.

Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Aleanca e NATO-s ka dhënë shenja se ka hequr dorë nga kërkesa këmbëngulëse që për çfarëdo ndryshimi të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë të domosdoshme ndryshimet kushtetuese.

XS
SM
MD
LG