Ndërlidhjet

Projektligji i (jo)transparencës


Protesta e shoqërisë civile kundër Projektligjit për financimin e subjekteve politike.
Protesta e shoqërisë civile kundër Projektligjit për financimin e subjekteve politike.

Organizatat e shoqërisë civile në Kosovës, po e kundërshtojnë ashpër Projektligjin për financimin e subjekteve politike. Projektligji në fjalë, sipas shoqërisë civile, paraqet degradim të të gjitha standardeve për financimin e partive politike. Aktualisht, ekziston një ligj i cili rregullon çështjen e financave dhe transparencën në këtë fushë, por i cili është në procedurë të ndryshim-plotësimit për shkak të vërejtjeve të Bashkimit Evropian dhe shoqërisë civile.

Transparenca e partive politike, përfshirë edhe publikimin e financave dhe shpenzimeve, përbën një prej kritereve të domosdoshme që Komisioni Evropian e ka ritheksuar në raportet vjetore për Kosovën, si një prej shteteve aspiruese në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në kundërshtim të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjit aktual për financimin e partive politike, të hënën në Prishtinë, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kanë protestuar duke marshuar derë më derë te partitë politike, me kërkesën që të refuzojnë këtë projektligj gjatë shqyrtimit në Kuvendin e Kosovës.

Marsh kundër Projektligjit për financimin e subjekteve politike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:37 0:00

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë se janë më shumë se 20 amendamente të cilat janë në kundërshtim me të gjitha standardet demokratike.

"Janë 27 amendamente në ketë projektligj të cilat janë bërë nga grupi punues dhe komisionet e tjera parlamentare, të cilat e kanë degraduar në masë të madhe këtë ligj, i cili është në kundërshtim edhe me frymën kushtetues, pasi që shkel disa nga parimet kryesore të financimit, llogaridhënies si dhe të transparencës së partive politike", tha Cakolli.

Partitë politike, sipas shoqërisë civile, bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare krahasuar me mjetet që atyre u ndahen çdo vit nga buxheti i Kosovës. Më shumë se katër milionë euro u ndahen çdo vit partive politike. Shpërndarja e mjeteve bëhet mbi bazën e ulëseve të siguruara në Kuvendin e Kosovës. Por, problemi, sipas shoqërisë civile, është te fakti se këtyre mjetet që shpenzohen përtej ndarjes buxhetor, nuk u dihet burimi.

Cakolli tha se me anë të këtij projektligji, partitë politike po tentojnë që të marrin vet në dorë çështjen e financimit dhe vet të caktojnë edhe limitin edhe shumën e financimit.

"Risia më negative e këtij projektligji është fakti se tashmë ekziston mundësia që donatorët të ofrojnë para për subjektet politike pa dhënë emër se kush janë ata dhe për çfarë parash bëhet fjalë. Po ashtu, është rritur limiti i keshit [parave të gatshme] për shkak se deri tani ka qenë limiti deri në 50 euro kesh për persona fizik dhe tash është rritur në 500 euro. Ky amendament cenon në masë të madhe edhe mundësinë e transparencës së partive politike në aspektin financiar, pasi që hapet mundësia që të ketë pastrim të parave nga ana e bizneseve, të cilat paratë e pista të tyre do të mund t'i pastronin duke dhënë donacione", tha Cakolli.

Shoqëria civile, po kërkon nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që të mos e votojnë projektligjin aktual, dhe siç thotë ata, partitë politike të mos shndërrohen në biznese.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit aktual, përveç tjerash përcakton edhe masat ndëshkuese për subjektet që nuk respektojnë kërkesat e dala nga ky ligj. Në bazë të ligjit ekzistues, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, i cili tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.

Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës Demokraci për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë se projektligji i cili pritet të votohet në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës, ka shumë amendamente të cilat nuk janë në favor të demokracisë në vend.

"Një nga amendamentet më të rrezikshme që shoqëria civile e konsideron në draft-ligjin e ri është ai për zvogëlimin e gjobave, derisa rritet shuma të cilën partitë politike e marrin. Po ashtu ky draft-ligj pamundëson edhe auditimin e rregullt të partive politike dhe kjo është e dëmshme për demokracinë në Kosovë, pasi që kjo do t’ua mundësojë partive politike të merren me punë të pista, ta themi troç”, thotë Emini.

“Po ashtu më ketë projektligj, në të ardhmen partitë politike do të jenë edhe më të pasura, pa një kontroll të rreptë financiar, gjegjësisht kjo do të pamundësojë që Zyra për Regjistrim e partive politike dhe Komisioni Qendrori Zgjedhjeve të ushtrojnë një kontroll të rreptë mbi financat e partive politike", thekson Emini.

Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, transparenca e partive politike dhe publikimin e financave dhe shpenzimeve, ishte një nga vërejtjet të cilat janë theksuar për të gjitha shtetet aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financim e subjekteve politike përcakton disa nga masat ndëshkuese për subjektet që nuk respektojnë kërkesat e dala nga ligji. Projektligji do të duhej të rregullonte mënyrën, kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin për shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike në Republikën e Kosovës. Projektligji për financimin e partive politike pritet që të dalë në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës në një nga seancat e radhës.

XS
SM
MD
LG