Ndërlidhjet

Projektligji për financimin e partive politike nuk siguron transparencë


Ilustrim
Ilustrim

Pavarësisht plotësim-ndryshimit që i është bërë Ligjit për financimin e partive politike, përfaqësuesit e shoqërisë civile konsiderojnë se ai sërish lë hapësirë për fshehje të burimeve të financimit dhe cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike.

Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për Radion Evropa e Lirë se shoqëria civile kishte kërkuar që të bëhet një ligj më i mirë për financimin e partive politike, por, me ndryshimet që i janë bërë, sipas tij, ka dal një ligj që cenon edhe më shumë transparencën dhe llogaridhënien.

“Përfundimi i asaj që ne e kemi parë, pasi që Ligji ka shkuar në Kuvend e tutje në Komisione parlamentare, ka dalë që ka ndryshuar kuptimin komplet të asaj që ne kemi kërkuar qe sa kohë dhe asaj që ka kërkuar Agjenda për Reforma Evropianë (ERA)".

"Si i tillë, plotësim-ndryshimi që i është bërë këtij Ligji cenon transparencën e subjekteve politike ndaj publikut pasi që ua mundëson atyre mospublikimin e emrave të pronarëve apo personave juridik. Nëse një kompani jep donacion (partisë politike) atëherë me Ligjin e ri pronari mund të mos deklarohet”.

“Për më tepër, tavanet e kontributeve në para të gatshme për subjektet politike janë dhjetëfishuar nga 50 në 500 euro. Po ashtu janë rritur edhe kuotat e donacioneve, në këtë rast, nëse donacioni më parë për fushatë zgjedhore ka qenë 2 mijë euro për një person fizik, tashmë është bërë 4 mijë euro. Ndërsa, për persona juridik ka qenë 10 mijë euro, kurse tani është bërë 20 mijë euro”, thotë Spahija.

Muaj më parë, nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ishte iniciuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e partive politike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.

Ky projektligj ka marrë tanimë dritën e gjelbër nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, por që me disa nga ndryshimet që janë bërë nuk janë pajtuar dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Javën e kaluar është mbajtur Komisioni parlamentar për legjislacion, por që nuk kishe arritur të shqyrtohet plotësim ndryshimi i Ligjit për Financimin e partive politike në mungesë kuorumi.

Kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu pati thënë se partitë opozitare janë kundër këtij projektligji dhe do të kërkojnë që të mos procedohet në Kuvend.

“Ky raport përmban shumë probleme dhe natyrisht vota jonë si opozitë është kundër. Adreson interesa private të grupeve e individëve të caktuar, lejon shuma marramendëse për subjektet politike në kundërshtim me ligjin që është aktualisht”, ka thënë Haxhiu.

Transparenca e partive politike, përfshi edhe publikimin e financave dhe shpenzimeve, përbën edhe një prej kritereve të domosdoshme të Komisionit Evropian që u ka vënë të gjitha shteteve aspiruese në procesin e gjatë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Bazuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian, Kosova përbën një prej vendeve që ka probleme me mungesën e transparencës nga partitë politike.

Partitë politike në vazhdimësi janë kritikuar se bëjnë shpenzime në shuma më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit, e që arrijnë vlerën e më shumë se 4 milionë euro.

Florent Spahija nga KDI thotë se partive politike me ndryshimet që po i bëhen këtij Ligji po iu mundësohet të financohen nga mjete që asnjëherë nuk do të mund t'u dihet prejardhja.

“Nëse miratohet ky ligj ashtu siç është vendosur atëherë subjektet politike do të kenë shumë më pak detyrime ndaj nesh si publik për të treguar se si kanë ardhur tek të ardhurat e tyre, dhe do të shfrytëzojnë këtë ligj për të financuar subjektet e tyre politike në mënyrë më të keqe të mundshme përmes parave të cilat nuk ja dimë prejardhjen. Po ashtu, nuk do të dimë se kush ka bërë donacione deri në 500 euro me para të gatshme dhe shteti asnjëherë nuk do të ketë mundësi që ato donacione deri në 500 euro të shoh nëse ai person që i ka dhënë ka pasur mundësi t’i jep ato para”, thotë Spahija.

Shoqëria civile javën e kaluar, nën moton “Paratë tona, standardet tona”, ka nisur fushatën për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për financimin e subjekteve politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG