Ndërlidhjet

Disa prokurorë të Ukrainës shkarkohen nga detyra


Flamuri i ukrainës pranë ndërtesës së Qeverisë në Kiev.
Flamuri i ukrainës pranë ndërtesës së Qeverisë në Kiev.

Prokurorët në pesë rajone të Ukrainës janë shkarkuar nga detyra, mes një skandali korrupsioni të profilit të lartë, që ka çuar në disa dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve të lartë në të gjithë vendin.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha më 25 janar se prokurorët e rajoneve të Zaporizhzhya, Kirovohrad, Poltava, Sumy dhe Chernihiv ishin liruar nga detyrat e tyre.

Skandali i korrupsionit shpërtheu më 22 janar, kur Ministria e Mbrojtjes u akuzua nga një gazetë investigative për mbipagimin e furnizuesve për ushqimin e ushtarëve ukrainas. Furnizuesi ka thënë se faji ishte i tyre nga një gabim teknik dhe se nuk ishin dhënë para shtesë. Ministria tha se akuzat ishin të pabaza.

Në të njëjtën ditë, zëvendësministri i Infrastrukturës i Ukrainës u arrestua me dyshimin se kishte marrë ryshfet prej 400 mijë dollarësh për importimin e gjeneratorëve në shtator, një akuzë të cilën ai e mohon.

Nënkryetari i administratës presidenciale, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi më 24 janar se i kishte paraqitur dorëheqjen Zelenskiyt.

Pak kohë pas njoftimit të Tymoshenkos, zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, që ishte përgjegjës për furnizimin e ushtrisë me ushqim dhe pajisje, gjithashtu dha dorëheqje, duke përmendur "akuzat e mediave" për korrupsion.

Dy zëvendësministra, Vyacheslav Nehoda dhe Ivan Lukerya nga Ministria e Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës dhanë gjithashtu dorëheqje më 24 janar.

Po të njëjtën ditë, Oleksiy Symonenko, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, u shkarkua.

Largimet e zyrtarëve pasuan njoftimin e presidentit Volodymyr Zelensky, më 23 janar, se do të bënte ndryshime në udhëheqje në nivele të larta dhe të ulta.

Zelensky u zotua për çrrënjosje të korrupsionit nga administrata e tij.

XS
SM
MD
LG