Ndërlidhjet

Prokuroria mban sekret laboratorin që do të ekzaminojë zarfet nga Serbia


Kutitë me vota në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Mostrat e zarfeve me votat nga Serbia, sipas Prokurorisë së Kosovës, kanë përfunduar për ekzaminim në një prej laboratorëve të një shteti evropian, por nuk tregohet se në cilin vend.

Prokuroria e Kosovës po i vazhdon hetimet në lidhje me zarfet nga Serbia, pas raportimeve se më shumë se 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin reaksione alergjike pas hapjes së këtyre zarfeve. Prej tyre, 12 kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë hospitalizuar.

Artan Grantolli, nga Prokuroria e Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë mostrat për analiza laboratorike janë dërguar jashtë Kosovës, por nuk ka saktësuar në cilin vend.

“Është gjetur një laborator në njërin nga shtetet e Evropës, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza. Sapo t’i marrim rezultatet ne do t’i bëjmë publike për opinionin”, tha Grantolli.

Kosova nuk ka laborator për ekzaminime të këtij lloji. Në mungesë të ekzaminimit të mostrave të zarfeve, në Kosovë janë kryer deri më tani analizat e pacientëve të shtrirë në spital.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani nuk ka dhënë detaje se çka ka pasur brenda zarfeve që u ka shkaktuar, siç ishte thënë, reaksione alergjie punonjësve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai më 15 tetor kishte deklaruar se pas analizave të bëra për 12 pacientët e shtrirë, e që ishin përballur me një reaksion teksa kanë qenë duke numëruar zarfet me vota të ardhura nga Serbia në Kosovë, kishte rezultuar se nuk kanë ndonjë shkaktar infektiv.

Ndërkohë, disa media në Kosovë, duke u thirrur në burimet e tyre, kanë raportuar se janë gjetur dy lloje të elementeve të mundshme në zarfet nga Serbia.

“Elementi që vetë letra e përmban e që nuk ka rrezik dhe një lloj elementi tjetër që gjendet në spërkatës për pastrim të zyrave ose për spërkatjet e pemëve e që nuk ka rrezik për jetën”, është thënë në raportimet e mediave.

Video: Policia nis hetimet për zarfet nga Serbia. Prishtinë, 13 tetor, 2019.

Policia del në vendngjarje pas raportimeve për zarfet nga Serbia
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Por, drejtori i Institutit Kombëtar, Naser Ramadani, i kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë ka thënë shkurt se këto njoftime “janë thashetheme”.

Ndërkaq Lindita Ajazaj-Berisha, ushtruese e detyrës së drejtorit në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, aty ku edhe janë pacientët e shtrirë dhe po marrin trajtim, tha se dy pacientë me vetë kërkesë kanë dal nga klinika, derisa shton se të tjerët po vazhdojnë të mbahen në mjekim.

"Pacientët ende janë në klinikë. Po e presim rezultatet e fundit të analizave. Dy pacientë tashmë janë liruar nga klinika, pas insistimit me vetëkërkesë’’, tha Ajazaj-Berisha.

Të dielën, më 13 tetor, teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, fillimisht ishin 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore dhe më pas 12 përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera. Pacientët po mbahen ende nën mbikëqyrjen e mjekëve, edhe pse rezultatet e analizave të tyre kanë rezultuar se nuk ka ndonjë shkaktar infektiv.

Prokuroria e Kosovës është duke i vazhduar hetimet në lidhje me këtë rast.

Por, për autoritetet në Beograd, gjithçka në lidhje me zarfet nga Serbia është një përpjekje për manipulim.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG