Ndërlidhjet

Prokuroria thotë se ende nuk është gati aktakuza për veteranët


Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku gjatë konferencës për media.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku gjatë konferencës për media.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas disa hetimeve dhe kompletimit të aktakuzës me emrat e personave që dyshohet se kanë fituar statusin e veteranit në mënyrë të kundërligjshme, do të dorëzohet në gjykatën kompetente.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku në një konferencë për media tha se prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje javën e kaluar, atij ia ka sjellë aktakuzën disa ditë para datës 11 korrik të 2018-ës dhe të pakompletuar. Ai deklaron se në aktakuzë përmendet vetëm numri i veteranëve, që siç thuhet, fituan statusin duke 'mashtruar', por jo edhe emrat e tyre.

"Krejt janë të skanuar emrat e 19,060 personave, kurse prokurori thotë se në draft-aktakuzë të lexohen aplikacionet për veteranë", tha Millaku.

Kryeprokurori Millaku tha se lënda për përfituesit në mënyre jo të ligjshme do t’i jepet një prokurori tjetër të Speciales. Ai tha po ashtu se për një lëndë të tillë nuk ka pasur asnjë lloj presioni politik për asnjërin prokuror, duke përfshirë edhe ish- prokurorin Blakaj.

"Nuk kemi pasur presion prej asnjë njeriu të gjallë", tha Millaku.

Sipas kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, arsyeja se pse prokurori Elez Blakaj dha dorëheqje është pasi atij iu ofrua një pozitë pune dhe pagë e mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarët e Komisionit për statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së, i konsiderojnë si të paqëndrueshme deklaratat e zyrtarëve nga sistemi i drejtësisë, kur thonë se rreth 19 mijë veteranë fituan statusin kundërligjshëm.

Demaliaj: Shifrat për 19 mijë mashtrues janë të gabuara

Anëtari i këtij komisioni Shkumbin Demaliaj, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje duhet të hetohet dhe mos të bëhet politikë me të.

Sipas tij, rasti ka qenë nën hetime dhe është dashur të përfundojë dhe jo të bëhet publike çështja që është duke u hetuar. Kjo është ndërhyrje e rëndë në drejtësi, thotë Demaliaj.

"Është shifër e gabuar, shumë gabim që e ka bërë. Prokurori që e ka hetuar rastin ka dyshuar se janë 19 mijë njerëz të shtuar në këto lista. Kjo është shifra më marramendëse që mund të ndodhë në lidhje me atë. Mund të ketë gabime të vogla, numri 19 mijë, a e dini çfarë do të thotë, se 19 mijë njerëz nuk kanë qenë në luftë e janë në lista. Kjo është bërë më shumë temë e natyrës politike, për shkak që dikujt i konvenon kjo çështje. Ne e dimë të gjithë strukturimin e (UÇK-së) si ka ndodhë”, tha Demaliaj.

Demaliaj tha se është e vërtetë se një numër i madhe i personave kanë aplikuar për statusin pasi që kanë menduar se i plotësojnë kriteret e parapara, por jo të gjithë janë pranuar.

"Le të konsultohet ligji lidhur me ketë çështje dhe të merret drejtësi me këtë punë, e jo për të qenë temë e opinionit publik. Unë mendoj se nesër për të filluar një riaplikim do të dalë numër i dyfishtë sepse ka shumë njerëz që nuk kanë aplikuar dhe e meritojnë me qenë në ato lista, në njërin nga këto statuset e veteranit, sepse aty kategorizimi është veteran luftëtar, veteran pjesëmarrës, veteran pjesëtar, është veterani invalid, dëshmorë, por ka edhe me mijëra të tjerë që janë të refuzuar", Demaliaj.

Demaliaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndonjë gabimi. Ai thotë se mund të ketë lëshime, por jo të shkohet deri në atë shkallë e të kritikohet një strukturë e tërë, duke filluar nga komandantët e përgjithshëm, e deri te zinxhiri komandues më i ulët.

Mashtrimet irritojnë veteranët e vërtetë

Nga ana tjetër, Lekson Zhubi ish- ushtar i UÇK-së, i cila e ka statusin e invalidit veteran të luftës thotë se kjo që po ndodh me këto listat e veteranëve është shumë irrituese. Ai në radhë të parë thotë se cilido që ka fituar në mënyrë të paligjshme mund të identifikohet lehtë.

"Kjo çështje më irriton shumë. Pas luftës kemi pasur mundësi t'i kemi librezat, do të thotë të korpusit të Kosovës, që jemi të regjistruar si veteran e ushtar, ata që kanë qenë me të vërtetë në luftë edhe shumica që kanë qenë me të vërtetë i kanë librezat që nga përfundimi i luftës, jo tash. Mendoj se numri është rritur dhe duhet të japë përgjegjësi dikush. Për t’u vërtetuar se kush e ka qenë në luftë ose jo, kjo shumë lehtë mund të vërtetohet sepse mund të thërras komandanti i zonës ushtarët dhe nuk mund të hyjë gjithkush aty. Pra, kështu mund të veprojë secila brigadë", tha Zhubi.

Ai tha se është e pakuptimtë dhe e papranueshme që një person që nuk ka qenë fare në luftë të krahasohet me një i cili ka qenë për ditë të tëra në front lufte.

Zhubi pyet se si është e mundur që në kohë lufte një fëmijë 10-vjeçar të jetë veteran, apo një 70-vjeçar në atë kohë të ketë një status të ngjashëm.

Veteranët thonë se kontributi i cilitdo person për çlirimin e vendit duhet të vlerësohet, por jo me statusin e veteranit.

XS
SM
MD
LG