Arrestohet pronari i Informer-it, SNS-ja e Vuçiqit i del në mbrojtje

Deputetët të SNS-së të mbledhur para stacionit policor në Vozhdovac, në mbështetje të Dragan J. Vuçiqeviq. Beograd, 25 nëntor 2026.
Deputetët të SNS-së të mbledhur para stacionit policor në Vozhdovac, në mbështetje të Dragan J. Vuçiqeviq. Beograd, 25 nëntor 2026.

Prokuroria Themelore Publike në Beograd i ka caktuar masën e ndalimit pronarit të medias Informer, Dragan J. Vuçiqeviq.

Nga kjo Prokurori i thanë Radios Evropa e Lirë se ai u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale të shkaktimit të panikut dhe trazirave, si dhe pengimit të drejtësisë.

Organi i ndjekjes tha se Vuçiqeviq do të merret në pyetje të enjten, më 26 nëntor, ku do të njoftohet edhe për kallëzimin penal të ngritur ndaj tij.

Zëvendëskryeredaktori i Informer-it kërkon lirimin e Vuçiqeviqit

Zëvendëskryeredaktori i Informer-it, Dejan Vukelliq, kërkoi që pronari dhe redaktori i këtij mediumi, Dragan Vuçiqeviq, të lirohet menjëherë dhe të mbrohet në liri.

Në një deklaratë për mediat para stacionit policor në Vozhdovac, ku Vuçiqeviq po mbahet, Vukelliq tha se nuk ka arsye për të dyshuar se ai nuk do të paraqitet në gjykatë për t’u mbrojtur, “pavarësisht akuzave” që rëndojnë ndaj tij.

Vukelliq vlerësoi po ashtu se Vuçiqeviq ndodhet në polici sepse “nuk po i lejohet e drejta për lirinë e shprehjes”.

Deputeti i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe djali i Vuçiqeviqit, Vukashin Vuçiqeviq tha se ajo për të cilën po akuzohet babai i tij është “persekutim i pastër politik”.

Deputetët e grupit “Serbia Fiton” mbështesin Vuçiqeviq

Kreu i grupit parlamentar opozitar të SNS-së dhe ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë seancës parlamentare vlerësoi se Vuçiqeviq është arrestuar “vetëm për shkak të punës së tij si gazetar”.

Deputetët e Listës Studentore, listë që fitoi zgjedhjet e tetorit, duartrokitën kur Vuçiq njoftoi se Vuçiqeviq ishte arrestuar.

“Kjo më mjafton për të kuptuar se me çfarë idiotësh kemi të bëjmë”, tha Vuçiq.

Ai tha po ashtu se deputetët e grupit “Serbia Fiton” shkuan te stacioni policor në Vozhdovac për të mbështetur pronarin e arrestuar të Informer-it.

Pas përfundimit të fjalimit të tij në Kuvend, edhe Vuçiq u largua nga seanca.

Deputetë të SNS-së para stacionit policor ku po mbahet pronari i Informer-it.
Deputetë të SNS-së para stacionit policor ku po mbahet pronari i Informer-it.

Kush është Dragan J. Vuçiqeviq?

Dragan J. Vuçiqeviq është pronar dhe drejtues i televizionit privat kabllor Informer, i cili filloi transmetimin në maj të vitit 2023. Pas tij qëndron kompania Insajder Tim, themelues dhe aksionari kryesor i së cilës është Vuçiqeviq.

Më 2025, kompania kishte 12.6 milionë euro të ardhura, ose një të katërtën më shumë se një vit më parë.

Gjatë protestave antiqeveritare të udhëhequra nga studentët, para televizionit Informer dhe tabloidit me të njëjtin emër u mbajtën disa tubime, ndërsa në njërin prej tyre u nënshkrua edhe peticioni për ndalimin e punës Informer-it.

Për përmbajtjen e programeve të këtij televizioni, prej vitesh janë dërguar ankesa në Trupin Rregullator për Media Elektronike (REM). Pas zgjedhjeve, më 27 tetor, u dorëzua edhe një iniciativë për nisjen e procedurës për revokimin e licencës së transmetimit të TV Informer.

Iniciativën e kanë paraqitur 33 shoqata mediale, organizata të shoqërisë civile, profesorë dhe studiues të gazetarisë dhe shkencave sociale nga universitetet në Beograd, Novi Sad dhe Nish.

Si arsye janë përmendur shkeljet shumëvjeçare të ligjeve për media dhe të etikës profesionale, fushata kundër personave që mendojnë ndryshe dhe propaganda në favor të pushtetit në largim.

Në nismë është thënë se TV Informer “që nga themelimi është profilizuar si instrument propagandistik” i SNS-së së Vuçiqit, si dhe se “është i pari sa i përket shkeljes së rregullave të etikës, përhapjes së dezinformatave, gjuhës së urrejtjes dhe fushatave kundër personave që mendojnë ndryshe”.

Informer-it deri më tani nuk i është revokuar licenca, por REM-i që atëherë i ka shqiptuar disa masa ndëshkuese dhe sanksione.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, në të cilat SNS-ja humbi pushtetin, këshilli i REM-it filloi shqyrtimin e procedurave ndaj disa televizioneve nën pretendimet që lidhen me shkeljen e ligjeve për mediat gjatë fushatës zgjedhore.

Deri më tani, numri më i madh i ankesave është bërë për përmbajtjen programore të TV Informer-it, i afërt me SNS-në, parti që ishte në pushtet për 14 vjet.

​
XS
SM
MD
LG