Ndërlidhjet

Beograd: Përfundon protesta, opozita i jep afat qeverisë deri më 19 prill


Beograd, 13 prill, 2019.
Beograd, 13 prill, 2019.

Ka përfunduar protesta antiqeveritare dhe kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Serbi.

Organizatorët në përfundim të saj paraqiten kërkesat e tyre që përfshijnë formimin e një komisioni ndërmjet qeverisë dhe opozitës për organizimin e zgjedhjeve të lira, zgjedhjen e përbërjes së re të rregullatorit të mediave elektronike dhe zgjedhjen e ekipit të ri të transmetuesit publik.

Opozita tha se qeveria ka kohë deri të premten për t'iu përgjigjur kërkesave në të kundërtën, siç thanë, do të përballet me një protestë edhe më masive.

Afati që ka dhënë opozita serbe përkon me ditën kur edhe presidenti Aleksandar Vuçiq ka thirrur një tubim të qytetarëve për të dëshmuar, siç ka thënë, bashkimin dhe unitetin karshi problemeve të shumta që i ka Serbia.

Protesta e së shtunës u vlerësua të jetë më e madhja në vargun e tubimeve që po organizohet tash e disa muaj kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e presidentit Vuçiq.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar se protesta u zhvillua pa incidente dhe se llogaritet të kenë marrë pjesë rreth 7500 protestues.

Organizatorët e protestës pretendojnë se numri i pjesëmarrësve ishte shumë më i lartë. Kreu i Partisë së Re, Zoran Zhivkoviq tha se në protestë kanë marrë pjesë 35 mijë persona.

Ai deklaroi se nuk vjen në shprehje të ketë dialog me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Aleanca për Serbinë, si organizatore e protestës, ka ftuar qytetarët nga e gjithë Serbia të marrin pjesë në protestë.

Ndërkohë në mëngjes ishin shtuar masat e sigurisë në ndërtesën e Kuvendit të Serbisë.

Protestuesit u mblodhën para Qeverisë dhe Kuvendit si dhe zhvilluan marshin e zakonshëm në rrugët kryesore të Beogradit.

Presion mbi Vuçiqin
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:10:00 0:00

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të jetë në vendin e punës në ditën e protestës.

Përmes një fotografie në Instagram ai u pa duke biseduar në zyrën e tij me bashkëpunëtorët më të afërt.

Policia me masa shtesë sigurie

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Balsha Bozhoviq, ka thënë se që nga orët e hershme të mëngjesit forcat policore po mbajnë të rrethuar ndërtesën e Kuvendit të Serbisë.

“Policia gjendet brenda ndërtesës së Kuvendit dhe nuk po lejojnë lëvizjen e lirë të deputetëve”, ka thënë Bozhoviq.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq tha se policia ndodhet brenda ndërtesës për të parandaluar “nëse dikush përpiqet ta djegë atë apo të vjedhë pikturat dhe mobiliet brenda saj, si dhe të mbrojë deputetët dhe punëtorët brenda ndërtesës”.

Në një postim tjetër në Twitter, ministri Stefanoviq tha se “nëse dikush tenton të sulmojë institucionet shtetërore siç bën me RTS, këtë nuk do të ia arrijnë”.

Që prej dhjetorit të vitit të kaluar, në Serbi po mbahen protesta për të kundërshtuar, siç thuhet, sundimin autokratik të Vuçiqit dhe kufizimit të lirisë së mediave.

Protestuesit hyjnë në ndërtesën e Televizionit Shtetëror
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:14 0:00

Muajin e kaluar, një grup protestuesit kishin hyrë në ndërtesën e transmetuesit publik, RTS duke kërkuar që t'iu lejohet që të paraqesin kërkesat e tyre. Megjithatë, policia kishte arritur që t'i nxjerrë nga ndërtesa.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG