Ndërlidhjet

Gratë protestojnë në Tiranë: “Nuk duam lule, por drejtësi”


Këpucë të kuqe të vendosura në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë në protestë kundër dhunës ndaj grave. 8 mars 2023.
Këpucë të kuqe të vendosura në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë në protestë kundër dhunës ndaj grave. 8 mars 2023.

Mijëra këpucë të kuqe u vendosën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave në familje dhe shoqëri.

Ky është 8 marsi i dytë që instalacioni "Këpucët e kuqe" zhvillohet në kryeqytetin e Shqipërisë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Protesta në Tiranë.
Protesta në Tiranë.

Kjo protestë e heshtur, e organizuar nga Fem fest, u shoqërua edhe me disa performanca me mesazhe kundër dhunës ndaj grave, mes tyre edhe një performancë e katër anëtarëve të grupit nga Kosova Haveit.

Shoqata të shumta të grave në Shqipëri organizuan edhe një marshim nga sheshi “Nënë Tereza” drejt ndërtesës së Kryeministrisë.

Marshi i grave në Tiranë më 8 mars 2023.
Marshi i grave në Tiranë më 8 mars 2023.

Ato mbanin në duar pankarta të shumta me mesazhe sikurse: “Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri”, “Marshojmë nuk festojmë, për një jetë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave”, “Muk është krim pasioni, është femicid”.

Protesta në ditën e gruas vjen pak ditë pas një ngjarje të rëndë në Tiranë. Më 1 mars, Dan Hutra, 40 vjeç, vrau tri gra dhe plagosi dy të tjera, ndërsa më herët ishte dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij të parë.

Një tjetër pankartë në protestë ishte edhe "Drejtësi për Xhoin", vajza nga Kenia e cila humbi jetën pasi u dhunua dhe u hodh nga ballkoni i banesës së saj në Tiranë. Ajo jetonte në Tiranë dhe punonte në një kazino. Familja e saj dhe disa prej grave që punonin me të, kanë akuzuar një prej punonjësve të tjerë, por deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.

Protestueset kërkuan për shtetasen e Kenias, Xhoi.
Protestueset kërkuan për shtetasen e Kenias, Xhoi.

Aktivistet e shoqërisë civile marshuan nga sheshi "Nënë Tereza" drejt Kryeministrisë, ku iu dhuruan lule grave police, që mbikëqyrën protestën. Ndërsa në duar mbanin pankarta “Nuk duam lule, por drejtësi”.

Marshimi vijoi më pas drejt Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku protestueset kërkuan sërish që të hiqet gjykimi i shkurtuar për veprën penale të dhunës në familje. Pikërisht kjo klauzolë në Kodin e Procedurës Penale ka krijuar mundësinë që persona të dënuar për dhunë në familje t'iu ulet masa e dënimit. një nismë ligjore është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisëm por ende nuk është miratuar.

"Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri", shkruan në një prej pankartave në protestën në Tiranë.
"Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri", shkruan në një prej pankartave në protestën në Tiranë.

Gjatë vitit 2022 në Shqipëri janë vrarë gjashtlë gra, ndërsa të dhunuara kanë qenë 3.676 vajza dhe gra, prej tyre 2.206 kanë përfituar urdhër mbrojtjeje.

Ndërsa nga fillimi i këtij viti e deri tani në Shqipëri janë vrarë katër gra.

XS
SM
MD
LG