Ndërlidhjet

Tensione në ditën e dymbëdhjetë të protestës në Tiranë

E përditësuar
Një protestues hedh gurë drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë më 24 tetor.
Një protestues hedh gurë drejt policisë pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë më 24 tetor.

Më pak se gjysmë ore pas nisjes së protestës të thirrur nga studentët janë shënuar përleshjet e para mes tyre dhe forcave policore pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë të Shqipërisë.

Kjo është dita e dymbëdhjetë me radhë që studentët dhe të rinjtë po protestojnë në Shqipëri duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë së tij. Ky i fundit ka refuzuar këtë kërkesë, duke i ftuar ata për dialog.

Të rinjtë fillimisht ua vunë flakën dy kosha mbeturinash dhe i vendosën afër kordonit policor, duke vazhduar me hedhjen e gurëve në drejtim të Ministrisë së Arsimit dhe policëve. Policia u kundërpërgjigj menjëherë me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Për shkak të ndërhyrjes së policëve, protestuesit janë larguar nga afërsia e Ministrisë së Arsimit.

Ata u grumbulluan afër Kryeministrisë, ku vazhduan hedhjet e gurëve dhe mjeteve piroteknike drejt policisë dhe kundërpërgjigjes së këtyre të fundit me topa uji dhe gaz lotsjellës.

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë po vazhdojnë edhe në Parkun Rinia, por edhe në afërsi të Ministrisë së Brendshme.

Policia shqiptare, përveç topave të ujit dhe gazit lostjellës, po përdor edhe plumba gome.

Një person qëndron i shtrirë në rrugë teksa prapa tij shihet kamioni që lëshon ujë drejt protestuesve në Tiranë më 24 tetor.
Një person qëndron i shtrirë në rrugë teksa prapa tij shihet kamioni që lëshon ujë drejt protestuesve në Tiranë më 24 tetor.

Të shtunën, Partia Demokratike në opozitë në mesditë nisi një marsh drejt Kryeministrisë, ndërkaq në orën 14:00 nisi protesta e thirrur nga studentët, që mbështetet nga profesorët universitarë. Pak para orës 14:00, përkrahësit e PD-së nisën marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, dhe u bashkuan protestës së thirrur nga studentët.

Gjatë ditës, përkrahësit e PD-së dogjën “tavolinë e dialogut” para Kryeministrisë, që kryeministri Edi Rama ka vendosur duke ftuar studentët për dialog.

Djegia e "tryezës së dialogut" nga përkrahësit e PD-së pranë Kryeministrisë shqiptare më 24 tetor.
Djegia e "tryezës së dialogut" nga përkrahësit e PD-së pranë Kryeministrisë shqiptare më 24 tetor.

Policia shqiptare njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë për protestat e së shtunës.

Ndërkaq, Rama sërish i ftoi për dialog protestuesit më 24 tetor. Megjithatë, ai tha se protestuesit kanë “frikë” që të dialogojnë me të pasi mund të cilësohen si “tradhtarë” nga protestuesit e tjerë.

Megjithatë, protestuesit kanë argumentuar se Rama ka mundur që t’iu përgjigjet thirrjeve të tyre për dialog gjatë protestave paqësore, të quajtura “Revolucioni Flamingo” dhe tani nuk duan më dialog, por vetëm dorëheqjen e tij.

Që nga 13 tetori, protestat në Shqipëri janë përcjellë me përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave policore, teksa ka pasur akuza nga protestuesit për dhunë joproporcionale nga ana e zyrtarëve policorë. Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe biznese private në qendër të Tiranës.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë konferencës për media më 24 tetor, përsëriti qëndrimin e tij se protestat kanë qëllim destabilizimin e Shqipërisë dhe kthimin prapa të vendit.

Të rinjtë që po protestojnë po kërkojnë dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe reformimin e Kodit Zgjedhor, që sipas tyre, do të mundësonin konkurrencë më të barabartë zgjedhore.

Rama është në pushtet që nga viti 2013 dhe e fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 2025.

Ky material është pjesë e rubrikave
​
XS
SM
MD
LG