Ndërlidhjet

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim çështjen për kryetarin e PD-së


Selia e Partisë Demokratike (PD). Tiranë, 3 mars 2023.
Selia e Partisë Demokratike (PD). Tiranë, 3 mars 2023.

Gjykata e Apelit në Shqipëri vendosi të premten që ta rrëzojë vendimin e Gjykatës së shkallës së parë Tiranë, që i dha të drejtë Sali Berishës të marrë drejtimin e Partisë Demokatike (PD), si dhe vendosi që çështja të kthehet në rigjykim.

Vendimi i shkallës së parë, që u mor më 25 mars të vitit të kaluar, e njohu si të ligjshëm Kuvendin Kombëtar të PD-së dhe vendimet që u morën prej tij në dhjetor të vitit 2021. Veç tjerash, ky kuvend vendosi për shkarkimin e të gjitha strukturave dhe drejtuesve të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga Lulzim Basha, ndryshimin e statutit, të logos, si dhe zgjedhjen e Berishës në krye të PD-së.

Vendimi u ankimua nga kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, pas dorëheqjes së Lulzim Bashës. Pas verdiktit të gjykatës, Sali Berisha në një deklaratë për media tha se vendimi ishte politik.

“Sot Edi Rama dha vendimin e tij me të cilin ka një synim, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit. Gjykata lexoi vendimin e përgatitur me kohë nga Rama. PD është sot një parti më e fuqishme se kurrë. Do mbledhim së shpejti forumet drejtuese dhe do marrim të gjitha vendimet e duhura për të vijuar misionin tonë në mënyrën më të fuqishme”, tha Berisha, ndërsa nuk pranoi të merrte pyetje nga gazetarët.

Me këtë vendim të Gjykatës së Apelit, grupimi i udhëhequr nga Alibeaj do të përfshihet në garën zgjedhore të 14 majit, si Partia Demokratike institucionale, që njihet zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Edhe pse grupimi i drejtuar nga Berisha ka shpallur disa kandidatë, ata nuk mund të regjistrohen në KQZ dhe do të duhet të gjendet një alternativë tjetër, siç ndodhi në zgjedhjet vitit të kaluar, ku kandidatët e tij garuan nën logon e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, e regjistruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane.

Afati i fundit për regjistrimin e forcave politike që do të garojnë në zgjedhjet lokale është data 6 mars.

Lëkundjet në Partinë Demokratike filluan në vitin 2021 kur Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së dhe nga vetë partia ish-kreun e partisë, ish-kryeministrin Sali Berisha, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për ta shpallur Berishën person të padëshiruar (person non grata) për shkak të akuzave për korrupsion.

Protestë e opozitës

Paraditen e së premtes, ndërsa gjykata ishte mbledhur për të shqyrtuar këtë çështje, opozita në Shqipëri protestoi para ndërtesës së kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, me arsyetimin se ai e ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Carles McConigal.

Sipas aktakuzës së prokurorisë amerikane, Mcconigal ka fshehur apo nuk ka raportuar disa takime me kryeministrin shqiptar. Gjithashtu, ai akuzohet se ka përfituar ryshfet prej 225 mijë dollarësh nga një ish-punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror, i cili ka qenë prezent në disa takime Rama-McConigal.

Protesta nisi pak orë pasi Gjykata e Apelit kishte filluar shqyrtimin e çështjes se kush do ta drejtojë PD-në.

Protesta e opozitës shqiptare në Tiranë. 3 mars 2023.
Protesta e opozitës shqiptare në Tiranë. 3 mars 2023.

Edhe pse krerët e opozitës, Sali Berisha dhe Ilir Meta, deklaruan se protesta lidhet me rastin McConigal, fjalimet e tyre para protestuesve u fokusuan te vendimi i Gjykatës së Apelit.

“Pasi asgjësoi Partinë Socialiste (PS) dhe e ktheu në sektin e rilindjes, Rama kërkon që ta asgjësojë PD-në. Mendon se do e përjashtoj nga zgjedhjet, por Edi Rama do të përjashtojmë nga Shqipëria. Revolucioni ynë ka misionin e madh të demokracisë, të shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.

Ndërsa Meta tha se Rama kërkon që të marrë edhe vulë ne PD-së.

“Por ne do të vazhdojmë rrugën tonë, protesta e zgjedhje. Në 14 maj do jemi këtu për të festuar fitoren e opozitës”, tha kreu i Partisë së Lirisë.

Pasi përfundoi mandatin e tij si president, Ilir Meta ia ndryshoi emrin Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), partisë që derisa ai ishte president e drejtonte bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, dhe tani kjo parti quhet Partia e Lirisë dhe kryetar është vet Meta.

Policët gjatë protestës së opozitës shqiptare në Tirane. 3 mars 2023.
Policët gjatë protestës së opozitës shqiptare në Tirane. 3 mars 2023.

Protesta zgjati rreth një orë dhe për mbarëvajtjen e saj u angazhuan rreth 1.500 forca policie. Gjatë protestës nuk u shënua asnjë incident.

XS
SM
MD
LG