Ndërlidhjet

Edhe 40 të huaj në mesin e protestuesve të arrestuar në Iran


Protestues iranianë bllokojnë një rrugë në Teheran, disa ditë pas vdekjes së Mahsa Amini, shtator 2022.

Në mesin e qindra protestuesve të arrestuar nga regjimi iranian gjatë protestave që po vazhdojnë që nga shtatori në këtë vend, janë edhe 40 nënshtetas të huaj.

Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i gjyqësorit iranian, Masoud Setayeshi, për agjencinë shtetërore të lajmeve, IRNA, të martën.

Setayeshi, sipas agjencisë IRNA, tha se armiqtë e Iranit duan ta krijojnë një pamje “të zezë dhe të ithët, plot me kaos dhe pasiguri” të vendit.

Zëdhënësi i gjyqësorit iranian tha se të arrestuarit po përballen me akuza të ndryshme, përfshirë spiunazh, dhe shtoi se proceset gjyqësore të tyre do të zhvillohen nën ligjin kriminal islamik.

Gjithsej 1.118 protestuesve në Iran u janë ngritur aktakuza për rrezikim të sigurisë kombëtare, tha Setayeshi. Deri më tani, të paktën gjashtë protestues janë dënuar me vdekje. Zyrtari iranian tha se të akuzuarit mund të apelojnë vendimin që merret për rastin e tyre.

Protestat në Iran janë bërë më të dhunshme gjatë ditëve të fundit. Në zonat kurde në perëndim dhe veriperëndim të Iranit, dëshmitarët kanë përshkruar skena që ngjajnë me një luftë civile.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut tha se mbi 40 njerëz janë vrarë në qytetet kurde në Iran gjatë ditëve të fundit, përderisa forcat shtetërore të sigurisë po e rrisin dukshëm praninë e tyre.

Edhe në pjesë të tjera të Iranit është raportuar për vdekje dhe arrestime të shumta.

Që kur protestat nisën në mes të shtatorit, më shumë se 300 protuestues në Iran kanë vdekur, përfshirë këtu mbi 40 fëmijë, sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut. Aktivistë të tjerë për të drejta të njeriut thonë se numri i të vdekurve kalon shifrën prej 430 personave, ndërsa rreth 17.500 protestues janë arrestuar.

Protestat kundër establishmentit klerik të Iranit shpërthyen dy muaj më parë, pas vdekjes në paraburgim të një gruaje 22 vjeçe, e cila u arrestua nga policia e moralit për, siç u tha, shkelje të rregullave të hixhabit.

Autoritetet thonë se Mahsa Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.

XS
SM
MD
LG