Ndërlidhjet

Punëtorët nuk pajtohen me privatizimin e Telekomit


Fotografi nga arkivi.

Punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk po pajtohen me vendimin e Qeverisë se Kosovës që të fillojnë procedurat për privatizim, kurse mbështesin procedurat e ristrukturimit të kësaj kompanie.

Qeveria e Kosovës më 22 janar të këtij viti, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, kurse fillimisht të hyjë në fazën e ristrukturimit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, procesin e privatizimit e ka vlerësuar shpëtim, pasi për shkak të humbjeve financiare, rrezikohet seriozisht likuiditeti i kompanisë.

Por, Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovëspo kundërshton këtë proces. Lamih Balaj, kryetar i kësaj sindikate, tha për Radion Evropa e Lirë, se pa dhënë përgjegjësi personat që kanë shkatërruar kompaninë, nuk do të ketë privatizim.

“Privatizimi nuk duhet të ndodhë për shkak se nuk mund të amnistohet krimi që iu ka bërë Telekomit të Kosovës, dëmtimi që është bërë më vetëdije dhe tashmë ta privatizojmë dhe të mbulojmë këtë krim.Për momentin për sindikatën është i mbyllur kapitulli i privatizimit dhe aq më pak nuk do të lejohet që as në një formë edhe në rast të ristrukturimit, të zvogëlohet numri i punëtorëve ose të zvogëlohen pagat, sepse punëtorët më pagat e tyre, nuk mund të paguajnë ‘haraçin’ e dikujt tjetër”, tha Balaj.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Telekomi i Kosovës ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, sipas Balajt, është 730 euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Vladrin Lluka në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se privatizimi nuk do të ndalet, por që siguron se në këtë fazë, do të mbrohen interesat e punëtorëve. Sipas tij, sindikata do të jetë e përfshirë në çdo proces të Telekomit.

“Privatizimi nuk do të ndalet, por përfaqësimi i interesave të punëtorëve do të zë vend të veçantë. Unë jam zotuar se interesat e punëtorëve do të përfaqësohen denjësisht gjatë procedurave të privatizimit. Ne kemi dhjetë raste të suksesshme të privatizimit nëpër botë, ku interesat e punëtorëve janë përfaqësuar ashtu siç duhet, dhe probleme sociale nuk ka pasur aspak. Prandaj nuk ka hapësirë në këtë fazë për shqetësim dhe punëtorët nuk duhet të ndihen të kërcënuar sepse do të ndiqet forma dhe mënyra më e mirë e mundshme”, tha Lluka.

Ministri Lluka bën të ditur se fillimisht, në fund të këtij muaji, do të nisë procesi i ristrukturimit të Telekomit i cili do zgjatë 6 muaj, kurse më pas procesi i privatizimit pritet të fillojë në fund të këtij viti dhe të përfundojë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

“Ristrukturimi do të vendosë rregulla në Telekom dhe aty do shihet se cilat do jenë nevojat reale për Telekomin. Më rëndësi është që t’u jepet mundësi investitorëve që parashohin zgjerimin e shërbimeve dhe jo vetëm në telefoni mobile, një shtrirje më të gjerë në Kosovë. Pra, të bëhet një kompani më konkurruese në treg. Dhe zgjerimi i shërbimeve nënkupton edhe vende pune, pra realisht ndoshta edhe lëvizje të stafit aktual nëpër shërbime të reja. Ne e dimë se Telekomi është i mbipopulluar dhe në këtë rast nuk mund të garantojmë se si do të jetë e ardhmja për të gjithë. Mirëpo, privatizimi nuk mund të ndodhë pa e konfirmuar me ristrukturim, se cila do të jetë qasja e punëtorëve dhe menaxhmentit të Telekomit”, thotë ministri Lluka.

Në anën tjetër, sindikalisti Balaj edhe pse përkrah procesin e ristrukturimit, e quan të pakuptimtë rimëkëmbjen e kompanisë dhe më pas privatizimin e saj.

“Sepse nuk mundet të ndodhl në të njëjtën kohë, një ristrukturim, një investim, dhe brenda një viti një privatizim”, shprehet Balaj.

Sipas ministrit Lluka, privatizimi është veprim i duhur dhe se Qeveria e Kosovës do të mbetet aksionare nga 25 deri në 49 për qind.

Ndryshe, ministri Lluka tregon se tashmë interesim për privatizim të kësaj kompanie kanë shprehur katër kompani nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Telekomi i Kosovës ka operuar në sistemin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Por, në vitin 2012 me një vendim të Qeverisë, Posta u nda nga Telekomi dhe u themeluan si Ndërmarrje Publike.

Kështu që dy herë radhazi, PTK-ja i ishte nënshtruar procesit të privatizimit, ndonëse po për dy herë radhazi, Qeveria e Kosovës kishte dështuar ta përmbyllte me sukses këtë proces.

Për herë të parë kjo ndërmarrje i ishte nënshtruar procesit të privatizimit në vitin 2011.

Kurse më pas, në rastin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në vitin 2013 kompania “Axos- Capital” ishte shpallur fituese, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, krahasuar me atë periudhë, Agron Dida, ekspert i telekomunikacionit, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, ditë më parë për Radion Evropa e Lirë, tha se vlera e tanishme e Telekomit të Kosovës është shumëfish më e ulët.

Edhe Dida thotë se ka shumë arsye mbi të cilat mund të besohet se vetëm privatizimi e shpëton Telekomin në këtë kohë. Ai shprehet se menaxhimi jo i mirë, jokoherenca me zhvillimet teknologjike, punësimi i njerëzve joprofesionistë, janë arsyet, që sipas tij, ndikojnë që Telekomi i Kosovës duhet të kalojë te ndonjë investitor privat.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG