Ndërlidhjet

Qeveria afgane thotë se ka vrarë mbi 100 talibanë


Një ushtar në provincën Kandahar të Afganistanit.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit tha se mbi 100 militantë janë vrarë në luftimet midis forcave qeveritare dhe talibanëve, gjatë dy ditëve të fundit.

Në deklaratën e Ministrisë thuhet se 52 talibanë janë plagosur, por nuk jepen detaje për ndonjë viktimë në mesin e forcave qeveritare.

Ministria tha se përleshjet kanë ndodhur në disa provinca, përfshirë Kandaharin - ish-bastionin e talibanëve.

Talibanët nuk i kanë komentuar luftimet.

Dhuna në Afganistan ka qenë në rritje mujave të fundit, pasi negociatat midis dy palëve, që kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit 20-vjeçar, kanë ngecur.

Më 1 maj, ushtria amerikane ka nisur zyrtarisht tërheqjen e trupave të mbetura nga Afganistani, me urdhër të presidentit Joe Biden.

Tërheqja do të përfundojë më 11 shtator.

Brenda muajsh do të tërhiqen edhe forcat tjera joamerikane të NATO-s.

Kjo ka rritur shqetësimet për aftësinë e forcave afgane të sigurisë për të luftuar talibanët dhe grupet e tjera terroriste.

Por, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë kundër grupeve terroriste që, sipas tij, “kanë metastazuar në të gjithë botën”.

XS
SM
MD
LG