Ndërlidhjet

Qeveria do të hartojë ligj që ndalon mohimin e krimeve të luftës në Kosovë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës ka autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që të hartojë një ligj i cili sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur në Kosovë.

Kjo iniciativë është prezentuar nga zëvëndëskryeministri Enver Hoxhaj, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Shumë shpesh në diskursin politik përfaqësuesit e Listës Serbe, por edhe politikanët tjerë në Serbi po bëjnë përpjekje për të fshehur të vërtetën dhe për të mohuar krimet e kryera të Serbisë në Kosovë”, tha zëvëndëskryeministri Hoxhaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën e ka shkarkuar nga detyra ministrin e Administratës të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviq, i cili vjen nga radhët e partisë Lista Serbe. Haradinaj tha se deri te ky vendim erdhi pas disa komenteve të bëra nga Teodosijeviq, lidhur me masakrën e Reçakut.

Në Zveçan, gjatë një organizimi për të shënuar 20 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, përfaqësuesi i Listës Serbe, Ivan Teodosijeviq, ka thënë se arsye për “agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Zëvëndëskryeministri Hoxhaj, në mbledhjen e Qeverisë tha se "në aspektin moral dhe politik, ky është një krim i dyfishtë. Prandaj, unë besoj se duhet të iniciohet iniciativa ligjore dhe duhet të ndërmerren hapa konkret në mënyrë që këto deklarata dhe qëndrime të tilla të individëve që mohojnë krimet dhe genocidin e krimeve në Kosovë të ndiqen penalisht në të ardhmen".

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mbështeti iniciativën dhe më pas qeveria vendosi që Ministria e Drejtësisë të hartojë një ligj bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Në muajin mars, kryeministri Haradinaj kishte shkarkuar zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiq, pasi ajo kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Në anën tjetër partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe në reagimin e saj për të dyja rastet e shkarkimeve të zyrtarëve që janë pjesë e kësaj Liste, ka thënë se këto veprime paraqesin presion ndaj komunitetit serb në Kosovë.

“Po vazhdon presioni i liderëve shqiptarë mbi popullin serb dhe Listën Serbe. Vendimi për ta shkarkuar, për shkak se ka thënë një të vërtetë, është dëshmia më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka quajtur shkarkimet si presion duke thënë se në këtë mënyrë autoritetet në Prishtinë po “iu mohojnë lirinë e të menduarit serbëve të Kosovës”

XS
SM
MD
LG