Ndërlidhjet

Raportet e degraduara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe


Lista Serbe në Kuvendin e Kosovës, foto nga arkivi

Shkarkimi i Ivan Todosijeviçit nga pozita e ministrit të Administratës të Pushtetit Lokal, nga ana e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, është vetëm shembulli i fundit i cili pasqyron degradimin e raporteve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe, pjesë e të cilës ishte Tosdosijeviq.

Më herët, kryeministri Haradinaj, pati liruar nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo si dhe kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë, Vesna Mikiqin.

Te rastet, Teodosijeviq dhe Mikiq, arsyeja e shkarkimit, sipas Qeverisë së Kosovës, ka qenë gjuha e urrejtjes që kanë përdorur këta përfaqësues të Listës Serbë, të cilët e kishin cilësuar si “agresion” intervenimin e NATO-s në Kosovë, në vitin 1999. Todosijeviq, madje ka theksuar se masakra e Reçakut ishte “trillim” nga “terroristët shqiptarë”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se rolin kryesor në këtë degradim e ka vet Lista Serbe, e cila sipas tij, jo vetëm që ka ndjekur politikë kundër Kushtetutës dhe rendit kushtetues në Kosovë, por ka përdorur edhe fjalor shovinist që ka përhapur gjuhë të urrejtjes.

“Nuk mund të jesh me dikë kolegë në Qeveri, i cili mohon krimet, politikën e spastrimit etnik, e cila ka ndodhur para 20 vjetësh në Kosovë, e cila ka njohje dhe pranim ndërkombëtar, si dhe që dikush sot papritmas të sillet në mënyrën se si është sjellë Lista Serbe. Mendimi im është që në të ardhmen, çështja e krimeve kundër njerëzimit, çështja e politikës së spastrimit etnik, do të duhej të rregullohej me një kornizë ligjore që deklaratat e tilla të bëhen të pamundshme, sepse është një lloj krimi i dyfishtë mbi viktimat, nëse dikush pas 20 vjetësh e mohon Reçakun apo mohon edhe krimet tjera të dhunës shtetërore serbe mbi civilët e pafajshëm në Kosovë”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, ndaj shkarkimit të Teodosijeviqit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, të mërkurën ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit që ka pasur në Beograd me përfaqësuesit e Listës Serbe, Vuçiq në një konferencë për medie ka theksuar se shqiptarët dëshirojnë t’ua heqin serbëve të drejtën për të menduar, duke aluduar në ministrin e shkarkuar Teodosijeviq.

“Vetëm pse e ka thënë të vërtetën për ngjarjen në Reçak. Këtë e di sot e gjithë bota se ka pasur fabrikim nga Wiliam Woker, një mercenar i mjerë, i cili sot i bën punët më të ndyra për shqiptarët, për para dhe këtë askush prej tyre nuk e fsheh. Vetëm pse tha diçka që nuk i pëlqen lobit kriminal shqiptar, pra, Todosijeviq, ti nuk mund të jesh aty”, tha Vuçiq.

Por, zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se gjuha që ka përdorur Teodosijeviq nuk ndryshon nga gjuha e Beogradit zyrtar.

“Gjuha e tillë nuk dallon as prej Beogradit në vitin 2019, por as prej Beogradit në vitin 1999 apo në vitin 1989. Një gjuhë dhe politikë e tillë ka sjellë shkatërrimin e ish-Jugosllavisë dhe është e papranueshme, e patolerueshme dhe jo në frymën e çdo standardi evropian apo ndërkombëtar që sot dikush ta lëndojë dinjitetin e viktimave përsëri. Pyetja bazike për Listën Serbe është se a duan ata t’i përfaqësojnë interesat e një shteti dhe një shoqërie shumetnike në Kosovë, pra interesat e serbëve që jetojnë në Kosovës në mënyrë të mirëfilltë, apo duan ta përfaqësojnë një politikë të errët të së kaluarës”, u shpreh Hoxhaj.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se degradimi i raporteve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Listës Serbe është produkt i mosdefinimit të politikave që në fillim të mandatit të qeverisjes.

“Ata nuk e kanë bërë këtë. Tash ndodhë sikur ata kanë mosmarrëveshje. Pra nuk ka këtu një fajtor dhe tjetri jo. Të dy palët janë fajtorë, pra edhe Ramush Haradinaj, por edhe njerëzit në Listën Serbe, sepse këta të fundit e kanë ditur se cila është politika e Ramush Haradinajt, ashtu sikurse edhe ky që e ka ditur se çfarë është politika e Listës Serbe, gjegjësisht e Beogradit zyrtar, i cili e kontrollon Listën Serbe”, theksoi Miletiq.

Ai vlerësoi se deklarata e Teodosijeviqit ka qenë vetëm shkas për shkarkimin e tij nga Haradinaj.

Ndërkaq, Lista Serbe e ka cilësuar shkarkimin e Teodosijeviqit si vazhdim të presionit, siç kanë thënë nga ky subjekt politik, nga ana e liderëve shqiptarë mbi Listën Serbe, si dhe mosdurim ndëretnik, shkelje e të drejtave të njeriut dhe rikthim i deliktit verbal.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG