Ndërlidhjet

Haradinaj dështon në përpjekjen e parë për koalicion 


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re, të cilën një ditë më parë ua ka bërë kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt që ka dalë i dyti për kah numri i ulëseve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, por edhe koalicioni, të cilit i prin Lidhja Demokratike e Kosovës, si i treti me numër të fituar të ulëseve në Kuvend, që nga dita e hënë kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Haradinaj.

Avni Arifi, këshilltar i Haradinajt, ka theksuar se ky i fundit, do t’i ftojë në takim të gjitha partitë parlamentare.

Lidhur me refuzimin e dy subjekteve politike, të cilat pas koalicionit PAN, kanë numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, Arifaj ka theksuar se megjithatë presin një përgjigje formale nga ato.

Ne u kemi bërë ftesë formale dhe presim përgjigje formale. Propozimet e para ua bëjmë partive parlamentare, që të jenë pjesë e qeverisjes. Nëse kemi refuzim, atëherë do të shikojmë mundësinë e ndërtimit të partneritetit me deputetë, jashtë grupeve parlamentare”, ka thënë Arifaj.

Ai ka shtuar se i nominuari për kryeministër, Haradinaj, ka pasur takime me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, përveç përfaqësuesve të komunitetit serbe, të cilëve, siç tha ai, së shpejti do t’iu bëhet ftesë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, i cili gjatë ditës së hënë është takuar me zotin Haradinaj, të martën është takuar edhe me liderin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin. Subjekti politik që drejton Pacolli është në koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Detajet e këtij takimi nuk janë publikuar, por ambasadori Delawie u ka thënë shkurt mediave se “do t’i takoj të gjithë”.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhje, me çka është hapur rruga për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit, si dhe formimin e Qeverisë së re, partitë politike do të përballen me realitetin, siç e vlerësojnë, jo të lehtë.

Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë gjendet përballë dy varianteve për krijimin e institucioneve të reja.

Varianti i parë, pra, që PAN-i ta formojë Qeverinë, duket se nuk do të jetë ashtu siç kanë qenë deklaratat. Së paku, edhe nëse formohet, do të jetë shumë i brishtë koalicioni qeveritar dhe si i tillë lë për të dëshiruar se mund të ketë jetë të gjatë. Në variantin e dytë, pavarësisht se çfarë mendon personalisht presidenti (Hashim Thaçi), besoj që - duke i parë kontaktet e deritanishme me ndërkombëtarët - bashkësia ndërkombëtare, shtetet e QUINT-it, do ta detyrojnë Thaçin që t’i japin mundësinë që të formohet Qeveria nga Vetëvendosja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet tjera”, tha Beqaj.

Ai beson që pavarësisht se cili subjekt apo koalicion do të qeverisë në këtë mandat, nuk do ta ketë jetën e gjatë, por në anën tjetër as një bllokadë për formimin e Qeverisë dhe shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk janë zgjidhje për situatën dhe përballë proceseve që e presin Kosovën.

XS
SM
MD
LG