Ndërlidhjet

Qeveria kërkon nga BE-ja të fshihet emri i UNMIK-ut nga CEFTA


Pas dhjetë vjetësh të anëtarësimit të Kosovës në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), Qeveria e Kosovës do të kërkojë nga zyra e Bashkimit Evropian, që në këtë mekanizëm mos të përfaqësohet përmes emrit të administratës së Kombeve të Bashkuara - UNMIK, por si shtet i pavarur.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se përfaqësimi i Kosovës me emrin e UNMIK-ut, paraqet trajtim jo të barabartë me vendet anëtare tjera të CEFTA-s.

Po mendojmë se është koha e fundit të tregojmë se Kosova është shtet i pavarur. Kjo çështje është duke u diskutuar, por ende nuk është kristalizuar me veprime konkrete”, tha Shatri për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Kosova në vitin 2007, zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes për Tregti të Lirë e Evropës Qendrore, që njihet më emrin CEFTA.

Në atë kohë, për shkak se Kosova ende nuk e kishte të zgjedhur statusin, marrëveshja ishte nënshkruar nga shefi i atëhershëm i UNMK-ut, Joakym Ryker.

CEFTA ishte krijuar me qëllim të thellimit të integrimit ekonomik të vendeve të rajonit me vendet e Bashkimit Evropian.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, në kohën e anëtarësimit të Kosovës në CEFTA, Bujar Dugolli, për Radion Evropa e Lirë, thotë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, rrethanat politike kanë ndryshuar, kështu që në mekanizmat ndërkombëtarë, Kosova duhet të njihet si shtet pa preambulën UNMIK.

Por, për këtë, sipas tij, duhet të ketë vullnet gjithëpërfshirës edhe nga ana e Bashkimit Evropian.

Sa i përket CEFTA-s, Dugolli thotë se shteti i Serbisë mund të paraqesë pengesë juridike për të zgjidhur këtë çështje.

Duke e ditur se qasja e Serbisë në drejtim të Kosovës është e pandryshuar si në të kaluarën edhe tani, unë mendoj se mund të jetë një pengesë juridike për ta zgjidhur këtë çështje”.

Sido që të jetë realiteti i ri në Kosovë, pavarësia e Kosovës nënkupton që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare mund të përmirësohen ose saktësohen që tani e tutje, që shteti i Kosovës apo Republika e Kosovës është e trashëguese e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare”, thotë Dugolli.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, nuk ka treguar ndonjë sukses për prodhuesit vendorë.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, për Radion Evropa e Lirë thotë se efektet e CEFTA-s për Kosovën më shumë kanë qenë politike sesa ekonomike.

Problemet më të mëdha që sot kemi është se vendet e CEFTA-s aplikojnë barriera të shumta për produktet e Kosovës, kurse këto vende munden më lehtë të shesin në Kosovë”.

Në bazë të një analize të përgjithshme se cilat janë përfitimet e Kosovës në CEFTA, atëherë del se Kosova shumë më shumë i ka dhënë CEFTA-s, sesa ka marrë prej saj”, thotë Panxha.

Sipas të dhënave zyrtare importi i produkteve nga vendet e CEFTA-s në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë mbi 753 milionë euro, kurse eksporti mallrave ‘Made in Kosova’ në vendet anëtare të CEFTA- s, është mbi 144 milionë euro.

Por, sipas Bujar Dugollit, institucionet e Kosovës dhe komuniteti i biznesit nuk i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ka ofruar marrëveshja e CEFTA-s.

Si marrëveshje ka pasur dhe ka mundësi që produktet vendore apo ekonomia e Kosovës të mbrohet në rrethana të caktuara, siç e lejon marrëveshja. Ndërsa tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare mendoj se është veprim që mund t’i kushtojë Kosovës sepse çdo marrëveshje e re nga fillimi, mund të ketë probleme të natyrës politike”, thekson Dugolli.

Ndryshe, shtatë muaj pas anëtarësimit në CEFTA, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Po, atë vit, autoritetet shtetërore të Kosovës, ndërruan edhe vulat doganore nga ato të UNMIK-ut në vulat Doganore të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG