Ndërlidhjet

Koalicioni i ardhshëm qeverisës synon votat e komuniteteve pakicë


Festimi i rezultateve zgjedhore në Mitrovicën veriore
Festimi i rezultateve zgjedhore në Mitrovicën veriore

Partitë e komuniteteve pakicë që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, sipas njohësve të zhvillimeve politike, do të kenë një rol mjaftë të rëndësishëm në kuadër të formimit të qeverisë së ardhshme.

Ata konsiderojnë se mandatari që do të merr besimin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, krahas bisedimeve që mund të ketë me partitë politike të shumicës, përkatësisht ato shqiptare, të njëjtën kohë duhet të zhvillojë bisedime edhe ma partitë politike nga radhët e komuniteteve.

Komuniteti serb, përfaqësohet me 10 deputetë në Kuvend sa kanë edhe komunitetet tjera jo serbe.

Politologu Ramush Tahiri, mendon se të gjitha partive politike nga radhët e komuniteteve iu takojnë vendet si në Kuvend ashtu edhe në Qeveri, dhe në këtë drejtim, sipas tij, nuk ka kufizime e as përjashtime.

“Mandatari, bisedimet i zhvillon me të gjitha partitë politike, në mënyrë të barabartë, varësisht nga interesi që ka dhe numrave që i duhen. Pra, pa marrë parasysh a janë parti të komuniteteve jo shumicë apo janë parti shqiptare", tha Tahiri.

Në opinion, sipas Ramush Tahirit, është krijuar një perceptim se nëse krijohet koalicioni me votat e Listës Serbe dhe të komuniteteve të tjera nuk është shumë e ndershme.

"Në opinion është krijuar bindja që duhet njëherë të sigurohen numrat e shumicës shqiptare edhe mandej të bisedohet me komunitete. Ky është një qëndrim jo i drejtë, sepse të gjitha komunitetet janë qytetarë të barabartë të Kosovës dhe i kanë të drejtat e barabarta, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike. Për atë është parim që të bisedohet barabartë me secilin varësisht nga kërkesa dhe oferta", tha Tahiri.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se minoritetet janë faktor konstituiv i shoqërisë dhe shtetit të Kosovës, por vendimet dhe koalicionet nuk mund të kushtëzohen nga pakicat.

"Do t’i respektojmë. Ideale do të ishte që të mos kishim varshmëri nga minoritetet, për hir edhe të vet interesave të komuniteteve. Por, do të jenë pjesë integruese e një procesi kushtetues, të respektimit të një rezultati zgjedhor. Në të njëjtën kohë, të kemi edhe një përfshirje sa më të gjerë të faktorëve politikë të cilët janë të Kosovës, në emër të interesave të qytetarëve", ka deklaruar Veseli, duke shtuar se roli i komuniteteve duhet të shihet si pozitiv, ‘por vendimmarrja do të duhet të jetë produkt i Kosovës'.

Ndërkaq, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjell Nojkiq, tha për Radion Evropa e Lirë se është e qartë që serbët do të marrin pjesë në formimin e Qeverisë së re në Kosovë, dhe se sipas tij, pa ata Qeveria nuk do të mund të formohet.

Duke iu referuar sidomos Listës Serbe, e cila po shihet me dyshime nga pjesa më e madhe e spektrit politik për shkak të varshmërisë që e ka nga Beogradi zyrtar, Nojkiq tha se kjo Listë, e cila do t’i ketë 9 ulëse në Kuvend mund të sjell probleme për koalicionin e ri.

"[Ata ] do të paraqesin kushte si deri tash – krijimi i Asociacionit. Tani gjithashtu mundohen edhe për vendet tjera krahas dy ministrive. Besoj që shumica e përfaqësuesve të shqiptarëve nuk do të lejojnë që të varën shumë nga serbët. Ata mund të jenë pjesë e një qeverie dhe shumicës, por jam i sigurt që nuk do të lejohet që nga ata të varet fati i ligjeve apo çështjeve tjera pa marrë parasysh a është kryeministër Haradinaj apo Kurti. Jam i sigurt që do të mundohen që t'u ikin shantazheve të serbëve", tha Nojikiq.

Duke qenë fituese, në raport me subjektet tjera politike nga komuniteti serb, Lista Serbe, e cila pretendon se i ka fituar nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës, i ka dërguar mesazhe Qeverisë së ardhshme të Kosovës, se asnjë ndryshim kushtetues nuk do të mund të bëhet pa harmonizimet me këtë subjekt politik.

Nga gjashtë subjektet politike serbe, sa kanë garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, Lista Serbe, besohet se ka fituar 9, kurse Partia e Pavarur Liberale një ulëse në Kuvend.

Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara në Kuvend si dhe dy poste ministrore dhe disa poste nën-ministrore në Qeveri.

Ndërhyrjet e Beogradit gjatë fushatës në zonat e banuara me serbë në mbështetje të Listës Serbe, janë potencuar nga diplomatët ndërkombëtarë dhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, si cenim i besueshmërisë së procesit të votimit në këto mjedise.

Sidoqoftë, Lista Serbe, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pavarësisht se cili bllok politik nga forcat politike shqiptare do ta formojnë Qeverinë e ardhshme, pritet të jetë pjesë e Qeverisë, sikurse edhe pakicat tjera joserbe.

XS
SM
MD
LG