Ndërlidhjet

BE-ja e përkrah Qeverinë e Maqedonisë për realizimin e reformave


Zoran Zaev dhe Bujar Osmani duke prezantuar planin e Qeverisë së Maqedonisë për realizimin e reformave
Zoran Zaev dhe Bujar Osmani duke prezantuar planin e Qeverisë së Maqedonisë për realizimin e reformave

Ekspertët për çështje të integrimeve duke komentuar kapacitete e Qeverisë së Maqedonisë, për të realizuar reformat e paralajmëruara përmes planit, siç e kanë quajtur 3- 6-9, si kusht për hapjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO, thonë se strategjia është e mirë por suksesi do të varet nga përkushtimi i strukturave udhëheqëse për t`i realizuar reformat. Këto reforma, kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor, mediat, administratën, policinë sekrete, “Marrëveshjen e Ohrit”, luftën kundër korrupsionit dhe të tjera.

Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar tha se Qeveria e re e Maqedonisë ka krijuar një atmosferë të re shpresëdhënëse, sa i përket procesit të integrimeve.

Ky optimizëm që ne e shohim është për vet faktin se kjo Qeveri është zotuar se do t’i zbatojë reformat të cilat kërkohen. Për vet faktin se kjo Qeveri e ka emëruar veten si Qeveri reformatore, dhe për ta dëshmuar këtë, ajo ka aprovuar planin për realizimin e reformave, që quhet 3-6-9, për të demonstruar se dhe në praktikë është zotuar në procesin e reformave”.

Tani kemi një plan me afate konkrete dhe kjo na bën të besojmë se ky plan do te realizohet”, tha Zbogar.

Ndërkohë që partia shqiptare në opozitë Lëvizja Besa thotë plani qeveritar, i njohur si 3-6-9, ka shpërfillur tërësisht kërkesat e shqiptarëve.

Të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ja kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij. Lëvizja Besa apelon deri te Qeveria LSDM-BDI-Aleancaqë të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë gjatë ditës së mërkurës prezantoi planin për reformat, që do të duhet të realizohen gjatë tre muajve të parë, me të cilin synon largimin e kushtëzimit të rekomandimit për fillimin e bisedimeve për integrimin e vendit në BE.

Sa i përket avancimit zyrtar të gjuhës shqipe, zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve Evropiane, Bujar Osmani ka thënë se “Qeveria do të përgatisë ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili më pas do të dorëzohet në Parlament, por edhe në Komisionin e Venedikut për konsultime”.

Në këtë drejtim, Albert Musliu drejtues i Institutit për Zhvillime Demokratike, organizatë e cila ishte e përfshirë në konsultimet që realizoi Qeveria e Maqedonisë me sektori civil, me qëllim që t’i jepet shtytje procesit të integrimeve, për Radion Evropa e Lirë, thotë se plani 3-6-9 paraqet një hap të mbarë për demokratizimin e Maqedonisë si shtet.

Temat të cilat janë përfshirë në këtë plan janë ato që dalin nga raporti i ekspertit gjerman, Rainhard Priebe, dhe kjo paraqet një nismë të mbarë për demokratizimin e Maqedonisë si shtet, megjithëse periudha tre mujore është e shkurtër për dekriminalizimin e institucioneve”, thotë Musliu.

Nga ana tjetër, Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane, thotë se Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë vjen në pushtet pas 11 vjetësh në opozitë, dhe i duhet kohë për të detektuar pikat më nevralgjike që mbajnë peng procesin e integrimeve.

Duhet pasur parasysh se LSDM-së i duhet kohë që të detektojë problemet që ndërlidhen me mos funksionimin e institucioneve, bazuar në vlerat demokratike që kërkohen nga faktori ndërkombëtar, njëherësh sipas meje, procesi i reformave paraqet garë maratonike në një afat më të gjatë kohor dhe jo garë brenda tre muajve”, thotë Kacarska.

Ndryshe, reformat të cilat duhet të zbatohen gjatë tre muajve të parë duhet të përfundojnë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të cilat janë caktuar për në tetor.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev gjatë prezantimit të planit 3 -6-9 dhe zëvendëskryeministri për çështje të Integrimeve, Bujar Osmani,shprehën bindjen e tyre se pas realizimit të reformave që duhet të realizohen brenda 9 muajsh, Maqedonia do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

XS
SM
MD
LG