Ndërlidhjet

Qeveria miraton kërkesën për shpronësim


Mihjet në Shipitullë
Mihjet në Shipitullë

Qeveria në largim e Kosovës ka miratuar kërkesën për shpronësim të pronave të paluajtshme për nevojat e Korporatës Energjetike te Kosovës, në fshatin Hade dhe Shipitullë, të Komunës së Obiliqit.

Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se më këtë vendim mund të krijohen kushte ligjore dhe të shmanget problem i krizës për sigurimin e energjisë.

Unë mendoj se me këto procese mund të krijohen kushte ligjore që të veprohet në terren dhe të evitohet problemi i krizës, për të cilin është folur aq shumë sa i përket sigurimit të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e sotme Qeverisë në largim.

Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërkaq e konsiderojnë vendim të duhur, pasi sipas tyre, shumë shpejtë pritet të nisë operimi i thëngjillit në këtë pjesë .

Arben Gjuka, drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të tokave në këto zona, që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të nënshkruajnë kontratat.

Vendimi i sotëm i Qeverisë në largim, tregon Gjuka, ka të bëjë me shpronësimin e 2. 2 hektarëve, zonë kjo ku KEK-u duhet të fillojë menjëherë kërkimin e rezervave të thëngjillit, në mënyrë që mos të ketë krizë energjetike.

Kurse, KEK është i përqendruar në shpronësimin e 52 hektarë në këtë fshat.

Vendimi i sotëm i Qeverisë në largim është për 2. 2 hektarë , i afekton 17 pronarë me 8 shtëpi. Kurse ne deri më sot kemi arritur 23 marrëveshje. Kur themi 23 marrëveshje, dy janë në zonën me prioritet të këtij vendimi, ndërsa 21 marrëveshje tjera janë për zonën 52 hektarëshe”, thotë Gjuka.

Ndryshe, procesi i shpronësimit dhe zhvendosjes nga fshati Hade dhe Shipitullë, ka nisur që nga viti 2002. Fillimisht, ato kanë nisur nga institucionet e atëhershme të përkohshme, dhe më pastaj kanë vazhduar edhe nga Qeveria e Kosovës më 2009.

Kjo zonë, për shkak të mihjeve që zhvillohen aty, në kërkim të rezervave të thëngjillit, para disa vitesh është shpallur e rrezikshme për banim, ndërsa po ashtu është shpallur zonë e interesit të veçantë ekonomik.

Pasi, këto zona janë të shtrira në afërsi të mihjeve sipërfaqësore të thëngjillit, që shfrytëzohen nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Procesi i zhvendosjes është zvarritur për shkak të pakënaqësive të banorëve më kushtet që u janë ofruar për zhvendosje.

Abide Mjeku, është banore fshatin Shipitullë. Ajo për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk ka nënshkruar marrëveshje me Korporatën Energjetike të Kosovës, për shkak se është e pakënaqur me vlerësimin për kompensim që u është bërë tokave dhe shtëpisë se saj.

Nëse shtetit po i duhet energji elektrike për krejt Kosovën, normalisht që ne dalim nga këtu, por edhe ata duhet ta paguajnë këtë. Nëse ne dalim nga këtu, qysh jetojmë pa pasur kushte. Kërkojmë tokë, qysh marrin ata tokë nga ne, kërkojmë shtëpinë të na ndërtojnë dhe të na punësojnë. Këtu po i marrin milionat e ne të dalim pa asgjë ... kemi fëmijë dhe na duhen paratë”, thotë ajo.

Për më gjatë se një dekadë, banorët që jetojnë afër termocentraleve të KEK-ut, prodhimi i të cilave varet nga thëngjilli, jetojnë në një ambient të kontaminuar nga pluhuri, ndotjet industriale, zhurma dhe problemet e vazhdueshme me zhvendosjen. Por, investimet në objekte ndërtimore kanë vazhduar dhe vazhdojnë ende.

XS
SM
MD
LG