Ndërlidhjet

Qeveria ‘Mullahkratike’ e talibanëve


Militantët talibanë shikojnë një poster me portretin e liderit të tyre Mullah Haibatullah Akhundzada. Kabul, 25 gusht 2021.

Talibanët kishin deklaruar se do të formonin një “qeveri islamike përfshirëse” dhe nuk do ta “monopolizonin pushtetin” pas marrjes së shpejt të kontrollit të Afganistanit muajin e kaluar.

Por, qeveria e re, teokratike, e shpallur më 7 shtator, përbëhet ekskluzivisht nga veteranë dhe njerëz besnikë të talibanëve, një grup militant islamik që është kryesisht pashtun. Pashtun është një grup etnik që përbën rreth 60 për qind të popullsisë së Afganistanit prej 38 milionë banorësh.

“Kjo është një qeveri etnikisht homogjene, ‘mullahkratike’”, tha Ali Adili, në hulumtues në Rrjetin e Analistëve të Afganistanit, një organizatë e pavarur në Kabul.

Nga 33 ministrat e emëruar më 7 shtator, 30 prej tyre janë pashtunë, dy janë me etni taxhike dhe një është uzbek. Në qeveri nuk është përfshirë asnjë person nga minoriteti shiitë Hazara, që ka vuajtur nga sulmet vdekjeprurëse të kryera nga talibanët në të kaluarën.

Po ashtu, në ekzekutiv nuk janë përfshirë gra.

Shtatëmbëdhjetë nga ministrat e kabinetit qeverisës janë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tyre me terrorizmin.

Po ashtu, aty nuk ka asnjë figurë nga Qeveria e rrëzuar afgane, që ishte e njohur ndërkombëtarisht.

Po ashtu, pjesë e administratës së re talibane nuk janë as partitë e fuqishme ushtarake islamike – që kolektivisht njihen si muxhahedinët – të cilët kanë luftuar kundër talibanëve në vitet e 90-ta dhe kanë dominuar skenën politike që prej rrëzimit nga pushteti të talibanëve më 2001, pas pushimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ekspertët thonë se përbërja e qeverisë së re, ekskluzivisht talibane, mund të jetë një përpjekje për të adresuar konfliktet dhe rivalitetet që janë intensifikuar që kur talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Administrata talibane, siç e ka përbërjen tani, nuk është njohur nga ndonjë shtet. Hulumtuesit thanë se militantët ka pak gjasa të marrin njohje ndërkombëtare, që është një goditje dhe do t’iu mohojë atyre qasjen në miliarda dollarë të aseteve të ngrira dhe të ndihmës së huaj.

“Komuniteti ndërkombëtar ka thënë se dëshiron që talibanët të formojnë një qeveri përfshirëse”, tha Haroun Rahimi, profesori i Drejtësisë në Universitetin Amerikan të Afganistanit në Kabul. “Është e vështirë të shihet se si kjo mund të kënaqë përkufizimin e të gjithëve për përfshirje”.

Qeveri e re, fytyra të vjetra

Talibanët kanë emëruar qeverinë e re si Qeveri të “Emiratit Islamik të Afganistanit”, emërtimi zyrtar i regjimit brutal të tyre me Afganistanin nga viti 1996 deri më 2001.

Qeveria e re udhëhiqet nga shefi i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, që është lideri suprem apo "Amir ul-Momineen", që do të thotë lider i besnikëve. Ai do të ketë fjalën e fundit në shtet, nën një sistem që të kujton udhëheqjen nga klerikët të Iranit fqinj, që udhëhiqet nga klerikët që nga viti 1979.

Mullah Mohammad Hassan Akhund – themelues i talibanëve emri i të cilit është pjesë e listës së sanksioneve të OKB-së – është emëruar shef i qeverisë dhe do të mbikëqyrë çështjet e përditshme. Mullah Abdul Ghani Baradar, një bashkëthemelues i grupit taliban dhe fytyra më publike e këtij grupi, do të jetë zëvendësi i parë i Akhundit.

Pozita të tjera kyçe janë plotësuar me dy liderë të fuqishëm ushtarakë: Mullah Mohammad Yaqoob, djali i liderit të ndjerë shpirtëror të talibanëve, Mullah Mohammad Omar, është emëruar ministër i Mbrojtjes. Sirajuddin Haqqani, lideri i rrjetit Haqqani, që SHBA-ja e konsideron organizatë terroriste, njëherësh fraksioni më i fuqishëm i talibanëve, do të shërbejë si ministër i Brendshëm.

Militantët po ashtu kanë hequr Ministrinë e Çështjeve të Grave dhe kanë krijuar Ministrinë për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve. Në vitet e 90-ta, një ministri e tillë ishte përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të talibanëve sa i përket moralit, përfshirë edhe kodin strikt të veshjes dhe ndarjen gjinore në shoqëri. Policia e kësaj ministrie njihej për ndëshkimet publike të personave që shkelnin këto ligje.

Talibanët kanë insistuar se ministrat do të jenë ministra “në detyrë” dhe përbërja e qeverisë së “përkohshme” mund të ndryshojë.

Por, vëzhguesit thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.

“Qeveria e re e talibanëve na tregon se ata konsiderojnë se vetëm ata kanë të drejtë të qeverisin një qeveri islamike”, thotë Adili. “Unë besoj se ata nuk kishin vullnet që të akomodonin komunitetet jopashtune në qeverinë e tyre. Të vetmit persona që nuk i përkasin etnisë pashtune janë talibanët që për vite të tëra kanë qenë pjesë e lëvizjes së tyre”.

‘Parandalimi i ndarjeve’

Militantët në vazhdimësi kanë shtyrë njoftimin për qeverinë e tyre të re para 7 shtatorit.

Ekspertët thonë se talibanët po prisnin tërheqjen e plotë të trupave të huaja nga Afganistani më 31 gusht. Një arsye tjetër ishte se rezistenca anti-talibane në Luginën Panjshir, rezistenca e fundit kundër talibanëve, kontrollin e të cilit talibanët e pretenduan më 6 shtator. Por, një pretendim i tillë që është mohuar nga opozita.

Talibanët shpallin fitore në bastionin e fundit të rezistencës në Afganistan
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Por, vëzhguesit thonë se shpjegimi më i mirë për vonimin për formimin e qeverisë janë konfliktet e brendshme të grupit.

Grupi militant ka mbetur një forcë luftarake relativisht koherente, pavarësisht krizave të njëpasnjëshme, konkurrencës nga grupi militant Shteti Islamik, dhe luftës vdekjeprurëse kundër forcave të huaja dhe afgane për gati dy dekada.

Talibanët janë të ndarë në dy fraksione kryesore: Rrjeti Haqqani, fraksioni më i fuqishëm ushtarak i talibanëve. Baza e tyre është në Afganistanin juglindor dhe në rajonin fisnor në veriperëndim të Pakistanit. Ky rrjet ka komanduar operacionet ushtarake në 21 provincat lindore dhe veriore afgane. Shumë anëtarë të rrjetit janë nga fisi Ghilzai i pashtunëve.

Fraksioni tjetër dominohet nga fisi Durrani dhe selinë kryesore e ka përreth provincës jugore të Kandaharit, prej ku vijnë shumë anëtarë të këshillit udhëheqës të talibanëve, përfshirë edhe Mullah Haibatullah, Mullah Hassan Akhund dhe Mullah Yaqoob.

“Përbërja e qeverisë nuk mund të shërbejë për asnjë qëllim tjetër përveçse t’i kënaqë talibanët”, tha Rahimi. “Kjo më bën të besoj se ata duhej ta bënin një qeveri që do të parandalonte ndarjet e mëtejme”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG