Një nguti e pashpjegueshme dhe dyshime serioze për zbatueshmërinë e ligjit - kështu e përshkruan kryetari i Komisionit parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorolli, procesin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilin Kuvendi i Kosovës pritet ta shqyrtojë sot sërish.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Qorolli kritikon mënyrën se si Partia Demokratike e Kosovës e ka shtyrë përpara nismën, duke vënë në pikëpyetje edhe mundësinë e zbatimit të ndryshimeve të miratuara më 6 tetor.
“Kam frikë që ligji siç është tani dhe siç ka qenë më 6 tetor, nuk mund të implementohet”, thotë Qorolli.
Deklaratat e tij vijnë pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, më 12 nëntor, ku u shqyrtua vendimi i presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend, ndërsa vendimi përfundimtar iu la seancës plenare.
Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe Qorolli, konfirmoi se do ta mbështesë ligjin, pas një marrëveshjeje me PDK-në, e cila ka marrë përsipër të nisë një proces të ri për ndryshimin e tij.
Sipas Qorollit, PDK-ja është zotuar se do ta nisë këtë proces të hënën, më 16 nëntor, dhe se do t'i trajtojë ndryshimet brenda dy javëve.
Radio Evropa e Lirë u përpoq të kontaktonte ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për të marrë një qëndrim lidhur me këtë proces, por nuk mori përgjigje.
Nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara - të njohura edhe si Gjykata Speciale - e ndërmori PDK-ja, pas dënimit në shkallën e parë, më 16 shtator, të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga gjykata me seli në Hagë.
Ndryshimet u miratuan nga Kuvendi më 6 tetor, në kuadër të një kompromisi politik që përfshinte edhe zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka Pula.
Por, më 22 tetor, presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim, pas kërkesës së vetë PDK-së - përfaqësues të së cilës thanë se një hap i tillë ishte rekomanduar nga disa ekspertë ligjorë.
Ata argumentuan se synimi është forcimi i bazës së tij juridike dhe sigurimi i zbatimit në praktikë.
Tani, e njëjta parti kërkon që ligji të miratohet sërish, pa ndryshime në përmbajtje, ndërsa mangësitë e tij të adresohen përmes një nisme të re legjislative.
Sipas Qorollit, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin me të paktën 61 vota, me ç'rast ai konsiderohet i shpallur. Nëse nuk sigurohet kjo shumicë, ligji konsiderohet i pamiratuar.
Ai shpjegon se në këtë fazë deputetët nuk mund ta ndryshojnë përmbajtjen e ligjit, por duhet të vendosin për tekstin e miratuar më 6 tetor. Çdo ndryshim i mëvonshëm do të kërkonte një proces të ri legjislativ.
Pikërisht kjo mënyrë veprimi nxiti kritikat e Qorollit, i cili thotë se nisma e PDK-së është proceduar pa analizën e nevojshme juridike dhe pa konsultime të mjaftueshme institucionale.
“Ka një nguti të pashpjegueshme, pavarësisht vërejtjeve që ua kemi dhënë edhe si mazhorancë, por edhe unë si kryetar i Komisionit për Legjislacion”, thotë ai.
Qorolli vë në pikëpyetje arsyet e insistimit të PDK-së për ta përshpejtuar procesin në secilën fazë - nga miratimi fillestar i ligjit, te kërkesa për kthimin e tij nga presidentja dhe përpjekja e tanishme për rimiratim.
“Ne s'kemi qenë të bindur asnjëherë për këtë rrugë që po e ndjek Partia Demokratike”, thotë ai.
Pavarësisht këtyre rezervave, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, konfirmoi më herët për Radion Evropa e Lirë se partia e saj nuk do të tërhiqet nga mbështetja për ligjin.
“Ne i kemi premtuar [PDK-së] mbështetjen dhe nuk tërhiqemi”, tha Nagavci.
Çfarë thotë Qorolli për kundërshtimet e BE-së?
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nxitën kundërshtime nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi ndryshimet të papranueshme më 12 tetor.
Brukseli, më pas, e mirëpriti vendimin e presidentes për kthimin e ligjit në Kuvend dhe konfirmoi se po zhvillon konsultime me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje.
Qorolli thotë për Radion Evropa e Lirë se kontaktet me përfaqësuesit e BE-së kanë qenë të vazhdueshme.
“Kemi qenë vazhdimisht në kontakt. Sigurisht, ata i kanë vërejtjet dhe shqetësimet e tyre”, thotë ai.
Sipas tij, kundërshtimet e BE-së lidhen me disa dispozita që prekin marrëveshjen ndërkombëtare mbi të cilën është mbështetur themelimi i Dhomave të Specializuara.
I pyetur nëse miratimi i ligjit mund të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, Qorolli përgjigjet shkurt:
“Uroj që jo”.
Ai thekson se ndryshimet e ardhshme duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe të jenë të zbatueshme në praktikë.
Dhomat e Specializuara u themeluan në bazë të ndryshimeve kushtetuese, legjislacionit të Kosovës dhe një shkëmbimi letrash me Bashkimin Evropian.
Për këtë arsye, ndërhyrjet në mandatin e tyre ngritën shqetësime për pavarësinë e gjykatës dhe respektimin e zotimeve ndërkombëtare të Kosovës.
Çfarë parashohin ndryshimet në Ligjin për Specialen?
Ndryshimet e miratuara më 6 tetor nuk parashohin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, por kufizimin e juridiksionit të tyre në krimet e lidhura drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh. Ato synojnë gjithashtu të ngushtojnë periudhën kohore dhe territorin që mbulon gjykata.
Ndryshimet parashohin edhe transferimin në institucionet e drejtësisë në Kosovë të rasteve që do të mbeteshin jashtë juridiksionit të gjykatës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim dhe mundësinë e faljes presidenciale.
PDK-ja ka argumentuar se këto ndryshime nuk do të çonin në anulimin automatik të aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e të dënuarve.
Qeveria e Kosovës ka formuar, ndërkohë, një grup punues, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, për të bashkërenduar mbështetjen institucionale në procesin e apelit të katër ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar në shkallën e parë në Hagë.
Qorolli e konsideron këtë strategji si rrugën më të përshtatshme për të mbështetur mbrojtjen e tyre.
Sa u përket ndryshimeve të ligjit, ai thotë se PDK-ja, si propozuese, duhet të sigurojë që ato të jenë të zbatueshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Ata e kanë edhe barrën e provës, edhe barrën politike”, thotë ai.